Një nga pikësynimet e artistit është observimi i asaj që ai percepton dhe më pas interpretimi dhe krijimi i një realiteti ku ai merr rolin e krijuesit.
Në tërë rrugëtimin e tij, arti është orientuar nga këto parime që nga njeriu primordial deri tek artistët bashkëkohorë.
Artan Buca i përket pikërisht këtij mentaliteti artistik, ku ai kthehet nga një vrojtues në interpretues i një realiteti, i cili nuk kalon përmes filtrave thërritës, por shtresëzimeve që flasin përmes heshtjes, duke na dhënë mesazhe dhe histori ku të gjithë fillojmë dhe gjejmë një pjesë tonën.
Artan Buca është diplomuar në Universitetin e Arteve në degën Grafike në vitin 2001. Prej vitesh, ai është bërë pjesë e stafit akademik të këtij institucioni në Programin e Pikturës.
Artan Buca ka marrë pjesë në një numër të madh ekspozitash personale dhe kolektive, ku me krijimet e tij ka arritur të krijojë një identitet artistik, që ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe koleksionistëve.
Vepra e Artan Bucës unifikohet përmes fillit lidhës të një peizazhi sa metafizik, aq realist, me një notë misteri ku subjekti është vetë objekti i pikturuar, duke shmangur figurën njerëzore.
Ky evitim të jep përshtypjen se ai e sheh figurën njerëzore të tepërt në marrëdhënien midis shikuesit dhe veprës.
Nuk është se ai e kërkon të krijojë një botë izolacioniste, por përmes aftësive kompozicionale, i kthen elementet e zakonshëm dhe të parëndësishëm të jetës së përditshme në forma koloristike joshëse, duke na dhënë mundësinë e një bashkëbisedimi të sinqertë me të.
Trajtimi koloristik në veprat e tij është i një natyre të përmbajtur, ku ai, ashtu si vetë natyra e tij, i shtresëzon paternat, duke ruajtur freskinë e ngjyrës, por në të njëjtën kohë duke transmetuar dhe një histori pas saj.
Kjo e bën që tërësia e krijimtarisë së tij të ketë një paletë koloristike të unifikuar dhe të mirëmenduar, ku përkrah paletës së përmbajtur koloristike, aftësitë e organizimit grafik kthehen në një rregullator i tërësisë kompozicionale.
Veprat e tij janë larg trukeve sipërfaqësore, ku efekti merr prioritet si një karrem për shikuesin e paorientuar, por është një vepër e cila e ofron atë të bëhet pjesë e bashkëbisedimit dhe në fund, të largohet me një reflektim.
Në vështrimin e veprave të Artan Bucës merr ndjesinë e një ecjeje të përditshmërisë, ku ne i shohim këto imazhe, por në amullinë e dinamikës së një shoqërie rëndese konsumeriste, ku çdokush është në kërkim të Eldorados, i anashkalojmë, duke harruar të shijojmë të bukurën.
Dhe përmes formateve të tij modeste dhe pa pretendime megaloma, ai mundohet të na rikthejë këtë udhëtim, por kësaj radhe pa nxitimin frenetik. Ne fillojmë të shijojmë detaje, natyrën që operon me rregullat e saj ku harmonia ka një rregullsi dhe estetike jokalimtare, por universale.
Ndaj dhe koleksioni i Artan Bucës “Arkitektura e natyrës” shihet si një gjetje sa origjinale, aq edhe e sinqertë e një artisti, i cili nuk kërkon protagonizëm, por ofron atë që ai e përjeton.
Dhe këtë përjetim, ai me altruizëm, jashtë interesit të ngushtë, mundohet ta transmetojë për te shkuesi dhe i bën të ditur publikut se jeta ka shumë për të shijuar, larg kiçit dhe pretendimeve materialiste.
Me serinë e veprave që Artani ka krijuar, tashmë shihet si një artist, i cili ka tërhequr vëmendjen dhe po zë vendi e tij me një zë tejet origjinal mes më të mirëve të artit vizual në vendin tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.