Dikur pjesë e Jugosllavisë, Ballkani Perëndimor tradicionalisht ka përjetuar nivele të larta emigracioni. Largimi i qytetarëve nga rajoni u rrit në fillim të viteve 1960, një periudhë në të cilën Jugosllavia kishte të njëjtat nivele papunësie me ato nivele që ka rajoni sot.
Me shpresën për të lehtësuar presionin në tregun e punës dhe në ekonominë më të gjerë, si dhe duke njohur mundësitë që paraqiten jashtë kufijve të saj, qeveria jugosllave preferoi t’i lejonte punonjësit e papunë të lëviznin jashtë vendit, me mundësinë që ata të fitonin aftësi të reja, të dërgonin remitanca në shtëpitë e tyre, si dhe të ndihmonin në fuqizimin e investimeve vendase.
Në pikun më të lartë, në mesin e viteve 1970, rreth 1.1 milionë punëtorë, shumica e të cilëve nga mosha 20 deri në 45 vjeç, u larguan nga Jugosllavia. Kjo ishte një shifër domethënëse për një komb me rreth 20 milionë banorë. Midis këtyre emigrantëve, pjesa më e madhe e të cilëve burra, kishte shumë fermerë me fare pak arsim, por edhe banorë nga qytetet. Por emigracioni nuk i zgjidhi problemet e qeverisë.
Edhe pse punëtorët emigrantë dërgonin remitanca në vendin e tyre, paratë kishin pak ndikim në investime dhe në faktorë të tjerë, të cilët mbështesnin strukturën e ekonomisë. Shumica e parave financonin blerje të mallrave të konsumit. Megjithatë, rrjedhja masive e njerëzve ndryshoi qëndrimet publike ndaj emigracionit, duke hapur dyert për shumë të tjerë të bënin të njëjtën gjë.
Shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, konfliktet e dhunshme dhe një tranzicion i ngadaltë nga një ekonomi e centralizuar te tregjet e hapura nxitën edhe një herë një emigrimin masiv nga Ballkani Perëndimor, duke zgjeruar komunitetet tashmë të mëdha në diasporë.
Nga fundi i vitit 2013, 5.7 milionë njerëz me origjinë nga Ballkani Perëndimor jetonin jashtë vendeve të tyre, duke e çuar normën mesatare të emigrimit në rajon në 31.2%. Gjatë periudhës 1990 – 2010 nga Shqipëria janë larguar mbi 1.4 milionë persona, sa 45% e popullsisë rezidente.
Ndërsa në periudhën 2014 – tremujori i parë 2019, kanë aplikuar për azil 155,803 shqiptarë, ndërkohë mijëra tjerë kanë emigruar në SHBA, Kanada, Turqi për arsye emigrimi, me lotari apo aplikime të tjera. Emigrimi i shqiptarëve shtrihet deri në Zelandën e Re.
Megjithatë, në pesë vitet e fundit, rritja e ngadaltë, si dhe kushtet e këqija socio-ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndërthurura me perspektivat në rënie që këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, kanë krijuar një zhgënjim, i cili ka rezultuar në një valë të re emigrimi.
Shpresa e vendeve të Ballkanit Perëndimor për konvergjencë me Bashkimin Europian, një tranzicion, i cili do të krijonte kushte ligjore, ekonomike dhe sociale të krahasueshme me ato në vendet anëtare, nuk u bë kurrë realitet. Nëse Ballkani Perëndimor ruan një normë rritje mesatare me rreth 3%, sipas parashikimit të projektimit të Bankës Botërore, rajonit mund t’i duhen gjashtë dekada që të mund të arrijë aspektin ekonomik të kësaj konvergjence.
Në vitin 2014, normat e papunësisë varionin nga 12.4% në Shqipëri deri në një përshkallëzim prej 31% në Maqedoni, me nivele papunësie veçanërisht të larta midis të rinjve – 62.3% në Bosnjë-Hercegovinë. Në vitin 2008, kriza globale ekonomike dëmtoi ekonominë e rajonit, duke i detyruar qeveritë atje të merrnin masa të ashpra, të cilat pengonin rritjen, nga ana tjetër
Sipas konstatimit të Njësisë së Inteligjencës Ekonomiste, “në vitin 2012, PBB në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pothuajse 10% nën nivelin e saj të vitit 1989, ndërkohë që ishte mesatarisht 60% më e lartë në vendet, të cilat iu bashkuan BE-së në vitet 2004-2007.”
Duke iu referuar mungesës së dukshme të një progresi të qartë, ekziston një ndjenjë e thellë brenda Ballkanit Perëndimor se asgjë nuk do të ndryshojë, dhe se në kërkim të një jete më të mirë, të mundësive më të mëdha, ose thjesht në kërkim të një standardi të mirë jetese – qytetarët e rajonit gjithmonë e më shumë janë të gatshëm të lëvizin në vende të tjera.
Duke e bërë këtë gjë, ata shpresojnë të përmbushin potencialin e tyre diku tjetër dhe të shijojnë përfitimet që vijnë në një shoqëri të begatë shumë më shpejtë sesa është e mundur në atdheun e tyre.
Sipas regjistrimit më të fundit, në Bosnjë-Hercegovinë jetojnë rreth 3.8 milionë banorë. Rreth gjysma e tyre janë shprehur se do të ishin të gatshëm të punonin jashtë vendit – përqindja më e lartë kjo në Europën Juglindore. Një gjetje e ngjashme qëndron edhe për Shqipërinë, vend i cili ka pasur nivele të konsiderueshme emigrimi në periudhën nga viti 2011 deri më 2016.
Në Kosovë, me popullsinë më të re në Europë dhe me një përqindje relativisht të lartë lindjesh, tabloja është po aq e zymtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.