Do të krijohet Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, që synon të mbështesë dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri…
Janë publikuar në Fletoren Zyrtare disa rregullore të fundit të Bankës së Shqipërisë që synojnë përmirësimin e sistemit të pagesave, sanksionojnë disa ndryshimë në rregulloren “Mbi minimumin e rezervës së detyruar mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat” si dhe ndryshojnë rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”. Publikimi i tyre vjen teksa Banka e Shqipërisë është përfshirë në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga një punonjës i saj.
Rregullorja “MBI ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT KOMBËTAR TË SISTEMIT TË PAGESAVE” përcakton qëllimin, funksionet, detyrat, përbërjen, si dhe rregullat e organizimit dhe funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, si organ kolegjial këshillimor.
Komiteti, sipas udhëzimit, ka qëllim që nëpërmjet veprimtarisë së tij, të mbështesë dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri, në përmbushje të objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë për të nxitur funksionimin normal të sistemit të pagesave.
Sipas udhëzimit, për realizimin e qëllimit të përcaktuar në rregullore, Komiteti ushtron funksionet e mëposhtme:
a) këshillon kryesisht organet vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë për çështje të sistemit të pagesave dhe të përdorimit të instrumenteve të pagesave;
b) këshillon organet vendimmarrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për çështje të licencimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve;
c) këshillon institucionet pjesëmarrëse për çështje në lidhje me sistemet dhe instrumentet e pagesave;
d) këshillon institucionet pjesëmarrëse me qëllim promovimin dhe standardizimin e proceduarve dhe sistemeve të pagesave;
e) harton pozicione të përbashkëta, deklarata dhe udhëzime, me aktorët e tregut, për çështje strategjike të sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes;
f) nxit dhe lehtëson bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet palëve të interesuara në fushën e sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare;
g) identifikon nevojat infrastrukturore dhe juridike në fushën e sistemit të pagesave duke dhënë rekomandime/sugjerime, si dhe sipas rastit ngre grupe pune, të cilat mbështesin procesin vendimmarrës të Komitetit për këto qëllime;
h) analizon dhe diskuton inovacionet dhe praktikat/standardet më të mira ndërkombëtare në fushën e sistemit të pagesave duke vlerësuar rast pas rasti mundësinë e zbatimit të tyre në tregun shqiptar, si dhe ndikimet që krijohen në treg nga implementimi i tyre;
i) informon dhe diskuton me institucionet pjesëmarrëse, si dhe me aktorët e tregut financiar, mbi të rejat e fundit në fushën e përafrimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian;
j) harton politika/strategji me qëllim që të mbështesë rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri, duke përcaktuar objektivat dhe duke monitoruar dhe vlerësuar ndikimin që ata kanë në treg, si dhe zbatimin e tyre;
k) bashkëpunon, direkt apo indirekt, me autoritete vendase apo të huaja, me qëllim shkëmbimin e informacioneve apo bashkërendimin e veprimtarive që lidhen me fushën e sistemit të pagesave në bazë të memorandumeve të bashkëpunimit të lidhura me këto autoritete; dhe
l) çdo lloj funksioni tjetër që i shërben qëllimit ligjor të krijimit të tij.
Ndërsa vendimi “PËR MIRATIMIN E DISA NDRYSHIMEVE NË RREGULLOREN “MBI MINIMUMIN E REZERVËS SË DETYRUAR MBAJTUR NË BANKËN E SHQIPËRISË NGA BANKAT” bën ndryshimet si më poshtë:
a) Në nenin 4 “Përkufizime”, pas shkronjës “g”, shtohet shkronja “gj” me përmbajtje si më poshtë:
“Remunerimi i tepricës në llogarinë e rezervës së detyruar” – është interesi që paguhet nga bankat për Bankën e Shqipërisë për tepricën e mbajtur në këtë llogari.
b) Në nenin 4 “Përkufizime”, shkronja “g” ndryshon sipas përmbajtjes së mëposhtme:
“Remunerimi i rezervës së detyruar” – është shuma e interesit që paguhet nga Banka e Shqipërisë për bankat, për rezervën e detyruar të mbajtur nga këto të fundit në Bankën e Shqipërisë.
c) Pas nenit 12 me titull “Remunerimi i rezervës së detyruar”, shtohet neni 12/1 me titull “Remunerimi i tepricës në llogarinë e rezervës së detyruar”, me përmbajtje si më poshtë:
1. Teprica e llogarisë rezervë në lekë është diferenca e gjendjes mesatare në llogarinë rezervë së bashku me “cash në kujdestari” në periudhën e mbajtjes me rezervën e detyruar, në ditën e fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar, por jo më e vogël se niveli minimal i tepricës.
2. Teprica e llogarisë rezervë në valutë është diferenca e gjendjes në llogarinë rezervë me rezervën e detyruar, e llogaritur çdo ditë, por jo më e vogël se niveli minimal i tepricës.
3. Banka e Shqipërisë remuneron tepricën, në gjithë shumën e saj, vetëm në rastet kur tejkalohet niveli minimal i saj, ku si i tillë konsiderohet shuma për të cilën bankat nuk remunerohen. Si nivel minimal për rezervën e detyruar në lekë, euro dhe USD konsiderohen përkatësisht shumat 50 milionë lekë, 500,000 euro dhe 500,000.00 USD.
4. Norma e remunerimit të tepricave në llogarinë e rezervës së detyrueshme në lekë, euro dhe USD përcaktohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës dhe u komunikohet bankave.
5. Interesi për remunerimin e tepricës llogaritet sipas formulës së përcaktuar në pikën 3 të nenit 12 të rregullores.
Shtesa në rregulloren “PËR RAPORTIN E MJAFTUESHMËRISË SË KAPITALIT” lidhet me “Formularët raportues të kërkesave për kapital (COREP) dhe udhëzuesi metodologjik për plotësimin e tyre”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.