Institucionet bankare me prejardhje nga Bashkimi Europian vazhduan të dominojnë në sektorin bankar në Kosovë. Renditja e bankave më të mëdha dhe ecuria e tyre në 2019-n. Flet Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës: Sa do të preket sistemi nga kriza e Covid-19.
Sektori bankar në Kosovë shënoi një tjetër vit pozitiv për 2019-n. Mbështetur në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 13.6%, duke arritur vlerën 4.76 miliardë euro. Rritja e aktiveve të sektorit bankar gjatë vitit 2019 u mbështet kryesisht në ecurinë pozitive të aktivitetit kreditues. Portofoli bruto i kredisë arriti vlerën e 3.03 miliardë eurove, në rritje vjetore me 10%.
Banka Qendrore vlerëson se përmirësimi i ofertës nga bankat, kryesisht nëpërmjet uljes së normës mesatare të interesit në kredi dhe zgjatjes së maturitetit të kredive, kontribuoi në rritjen e huadhënies gjatë vitit. Faktorë të tjerë me ndikim pozitiv ishin përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së portofolit kreditor, likuiditeti i mjaftueshëm dhe konkurrenca në rritje mes bankave.
Kredia për bizneset shënoi rritje vjetore me 9.8%. Sektorët që shënuan rritje më të theksuar të kreditimit gjatë vitit 2019 ishin sektori i prodhimit, i shërbimeve financiare dhe ai i ndërtimit. Struktura e kredive të ndërmarrjeve, sipas veprimtarive ekonomike, vazhdon të dominohet nga kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë, pasuar nga ato për industrinë dhe ndërtimin.
Në vitin 2019, kredia për individët shënoi rritje vjetore me 10.4%, në ngadalësim të rritjes krahasuar me vitin e kaluar. Ritmi i ngadalësuar i rritjes së portofolit për këtë kategori i atribuohet rënies së volumit të kredive të reja, që në vitin 2019 shënuan rënie prej 1%, kundrejt rritjes vjetore prej 7.1% në vitin 2018. Rënia erdhi sidomos nga kreditë konsumatore, ndërsa kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme vijoi rritjen.
Cilësia e portofolit kreditor të sektorit bankar vazhdoi të përmirësohet. Raporti i kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive zbriti në 2%, për 0.6 pikë përqindje më e ulët sesa në vitin paraprak. Ky raport i kredive joperformuese ngelet më i ulëti në nivel të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar të bankave mbështetet në pjesën dërrmuese në depozitat e publikut, të cilat përbëjnë rreth 82% të detyrimeve dhe shënuan rritje vjetore 16.2%. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar, të cilat në vitin 2019, përshpejtuan rritjen në 11.5% nga 7.9% një vit më parë.
Sektori bankar, 263 milionë euro të ardhura
Të ardhurat e sektorit bankar, vitin e kaluar, arritën vlerën prej 263.2 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 4.2%. Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave e dhanë ato nga interesat. Të ardhurat jo nga interesat shënuan rënie krahasuar me vitin 2018, të ndikuara kryesisht nga tarifat dhe komisionet. Edhe për vitin 2019, sektori bankar shënoi ecuri të mirë financiare, duke mbajtur nivel fitimesh më të lartë se mesatarja historike. Fitimi neto i realizuar për vitin 2019 arriti në 86.2 milionë euro, në rënie të lehtë me 2% krahasuar me vitin 2018.
Treguesit e përfitueshmërisë vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm, edhe pse me tendencë rënëse në dy vitet e fundit. Kthimi nga kapitali mesatar për vitin 2019 ishte 18.9%, ndërsa kthimi nga aktivet rezultoi në nivelin 2.2%.
Në fund të vitit 2019, në Kosovë ushtronin aktivitet 10 banka tregtare, përfshi tre degë të bankave të huaja dhe struktura e sektorit bankar nuk ka pasur ndryshime të mëdha. Institucionet bankare me prejardhje nga Bashkimi Europian vazhduan të dominojnë në sektorin bankar në Kosovë. Bankat me kapital të huaj kanë përbërë 86.7% të totalit të aseteve. Numri total i degëve të bankave më 31 dhjetor 2019 ishte 217 dhe numri i punëtorëve, 3,331.
Raiffeisen Bank
Banka që realizoi volumin më të madh të të ardhurave për vitin 2019 në Kosovë ishte Raiffeisen Bank. Sipas pasqyrave financiare të bankës, vlera totale e shitjeve ishte 67.1 milionë euro, në rritje me 1.4% krahasuar me vitin 2018. Raiffeisen realizoi rritje të të ardhurave nga interesat, nga tarifat dhe komisionet, dhe nga të ardhurat e tjera operative.
Në rënie krahasuar me një vit më parë ishin të ardhurat nga rikuperimi i kredive dhe nga dividendët për pjesëmarrjen në kapitalin e kompanive të tjera financiare. Raiffeisen është njëkohësisht banka më e madhe në Kosovë, me një total aktivesh prej 1.02 miliardë eurosh, ose 21.6% të tregut. Madhësia e bankës u rrit me 15% në vitin 2019. Raiffeisen Bank Kosovë është bankë me kapital austriak, në pronësi të plotë të grupit bankar austriak Raiffeisen.
ProCredit Bank
Banka e dytë më e madhe për nga xhiroja në vitin 2019 ishte ProCredit Bank. Sipas pasqyrave financiare të bankës, qarkullimi total vjetor kishte vlerën e 55.4 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me vitin 2018. Të ardhurat e bankës nga interesi vitin e kaluar pësuan rënie, ndërsa të ardhurat nga tarifat dhe komisionet ishin në nivele të përafërta me vitin 2018.
Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave të ProCredit Bank e dhanë kthimet nga llogaria e provigjioneve, me 8.4 milionë euro, 16 herë më shumë krahasuar me vitin 2018. Kjo tregon se përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë ka dhënë ndikimin kryesor në përmirësimin e të ardhurave të bankës për vitin 2019.
ProCredit është banka e dytë më e madhe në Kosovë, me një total aktivesh prej 806 milionë eurosh, ose rreth 17% të tregut. Asetet e bankës u rritën me afërsisht 7% krahasuar me një vit më parë. Portofoli i kredisë për bizneset dhe familjet vitin e kaluar shënoi rritje të lehtë me 2.5%, ndërkohë që aktivet e reja të krijuara gjatë vitit ishin kryesisht instrumente financiare likuide, në formën e parasë së mbajtur gjendje në Bankën Qendrore. ProCredit Bank Kosovë është bankë me kapital gjerman, në pronësi të plotë të grupit gjerman ProCredit Holding.
TEB Banka
TEB Banka u rendit e treta për nga të ardhurat totale të vitit 2019. Sipas bilancit të audituar të bankës, të ardhurat totale për vitin 2019 kishin vlerën e 46 milionë eurove, në rritje me 10.3% krahasuar me vitin 2018. Ashtu si në rastin e ProCredit, rritja e të ardhurave të TEB u përcaktua sidomos nga rimarrja e provigjioneve, që solli 3.7 milionë euro të ardhura, pesë herë më shumë krahasuar me vitin 2018. Rritje shënuan edhe të ardhurat nga tarifat dhe komisionet, ndërkohë që të ardhurat nga interesi ishin pothuajse në të njëjtat vlera me vitin 2018.
Në fund të vitit 2019, TEB ishte banka e katërt për nga madhësia në Kosovë, me aktive totale në vlerën e 604 milionë eurove, ose 12.7% të tregut. Aktivet e bankës u rritën me 8.6% krahasuar me vitin 2018. Struktura e rritjes ishte e ngjashme me ProCredit, me zgjerim të lehtë të kredisë dhe rritje më të lartë të aktiveve financiare likuide.
TEB banka ka aksioner të vetëm TEB Holding AS, kompani e regjistruar në Turqi, me aksionerë grupin financiar francez BNP Paribas dhe grupin e biznesit turk Çolakoĝlu. Secila palë kontrollon 50% të aksioneve. Palë e fundit kontrolluese deklarohet BNP Paribas.
Banka NLB
Banka e katërt për nga xhiroja në Kosovë, në vitin 2019 ishte NLB Banka. Sipas pasqyrave financiare të bankës, xhiroja e vitit 2019 ishte 45.5 milionë euro, në rritje vjetore me 16.8%. NLB regjistroi rritje dyshifrore, si në të ardhurat nga interesat, ashtu edhe në ato nga tarifat dhe komisionet.
Në fund të vitit 2019, NLB Banka është banka e tretë më e madhe në Kosovë, me një total asetesh prej 801 milionë eurosh, ose rreth 16.9% të tregut. Vitin e kaluar, NLB Banka u rrit me 20%, norma e dytë më e lartë e rritjes vjetore mes bankave tregtare në Kosovë. Ndryshe nga ProCredit, NBL ka shfaqur një oreks më të lartë për rrezik vitin e kaluar dhe rritja e bankës u mbështet sidomos nga rritja e portofolit të kredisë, me 15.7%.
Aksioneri kontrollues i bankës, me 81.21% të aksioneve, është Nova Ljubjanska Banka, ish-bankë me kapital 100% shtetëror sllovene, e cila prej vitit 2018 është e listuar në Bursën e Londrës. 75% e aksioneve janë të listuara në Bursë, ndërsa qeveria sllovene mbetet aksioneri më i madh, me 25% të aksioneve.
BKT Kosovë
Banka e fundit që renditet mes 50 bizneseve më të mëdha në Kosovë për nga xhiroja është BKT. Në vitin 2019, BKT realizoi një xhiro prej 26.2 miliardë eurosh, në rritje me 29% krahasuar me vitin 2018. Kontributin kryesor e dha rritja e të ardhurave nga interesat, ndërkohë edhe shumica e zërave të tjerë të të ardhurave shënuan rritje pozitive krahasuar me vitin 2018.
BKT Kosovë zotëronte aktive totale në vlerën e 536 milionë eurove, ose 11.3% e tregut. Gjatë vitit 2019, BKT arriti një rritje të aseteve me 31%, niveli më i lartë i rritjes vjetore për sektorin bankar në vend. Rritja e bankës u mbështet kryesisht nga ritmet shumë të larta të huadhënies. Portofoli i kredisë vitin e kaluar u zgjerua me pothuajse 26%. BKT Kosovë zotërohet në masën 100% nga Banka Kombëtare Tregtare Shqipëri, ndërsa palë e fundit kontrolluese është grupi turk Çalik. Në vitin 2019, BKT Kosovë filloi operacionet si bankë e veçantë, pasi që nga themelimi në vitin 2007, pati operuar si degë e bankës mëmë në Shqipëri.
Banka Ekonomike e Kosovës
Banka Ekonomike e Kosovës, për vitin 2019, raportoi një xhiro në vlerën e 19.2 milionë eurove, në rritje me 10% krahasuar me vitin 2018. Zgjerimi i të ardhurave u mbështet sidomos nga rritja e të ardhurave nga interesat.
Banka Ekonomike është banka e gjashtë më e madhe në Kosovë, me rreth 6.8% të aktiveve të tregut. Në fund të vitit 2019, totali i aseteve arriti në 322.5 milionë euro, në rritje vjetore me 15%. Rritja e portofolit të kredisë ishte shtysa kryesore e rritjes së bankës, me një zgjerim vjetor prej 22%. Banka Ekonomike e Kosovës është në pronësi të një grupi biznesmenësh të Kosovës dhe aksioneri më i madh është Behgjet Pacolli.
Banka për Biznes
Për vitin 2019, Banka për Biznes e Kosovës raportoi xhiro totale në vlerën e 19.65 milionë eurove, në rritje me rreth 13% krahasuar me vitin 2018. Rritja u mbështet nga një rritje paralele e të ardhurave nga interesat dhe nga tarifat e komisionet.
Totali i aktiveve të bankës për biznes, në fund të vitit 2019, arriti në 297 milionë euro, në rritje vjetore me 16.5%. Me këtë shifër, Banka për Biznes zotëronte rreth 6.2% të tregut bankar, duke u renditur e shtata për nga madhësia në Kosovë. Rritja e vitit të kaluar u mbështet kryesisht nga huadhënia dhe portofoli i kredisë së bankës u zgjerua me 15%. Kapitali aksioner i Bankës për Biznes e Kosovës është në pronësi të një grupi biznesmenësh vendas, ndërsa 10% e aksioneve mbahen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Degët e bankave të huaja, pjesë tregu të vogël
Veç shtatë bankave që funksionojnë si entitete të veçanta, në Kosovë operojnë edhe degët e bankave turke Ziraat dhe Isbank dhe dega e Bankës Tregtare të Beogradit (Komercijalna Banka ad Beograd), që vepron vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës.
Vetëm dega e Isbank ka publikuar të dhëna të përditësuara për vitin 2019. Në fund të vitit, Isbank kishte aktive totale në vlerën e 106 milionë eurove, në rritje të lehtë vjetore me 2%. Isbank zotëronte rreth 2.2% të tregut bankar. Ashtu si për shumicën e bankave në Kosovë, kreditimi është aktiviteti kryesor në bilanc, me 65% të aktiveve.
Isbank Kosovë, për vitin e kaluar, raportoi xhiro në vlerën e 4.3 milionë eurove, rreth 16% më pak krahasuar me vitin 2018. Banka raportoi të ardhura më të ulëta nga interesi, por edhe nga tarifat dhe komisionet.
Mikrofinanca
Në fund të vitit 2019, asetet e sektorit të mikrofinancës arritën në 306.5 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 22.6%. Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar vazhdon të dominohet nga kreditë bruto, me 72.3%, ndjekur nga portofoli i qirasë financiare, me 17.2%.
Rritja e aseteve të sektorit mikrofinanciar në vitin 2019 i atribuohet rritjes së kredive bruto, aktivitet i financuar kryesisht nga huamarrjet në sektorin e jashtëm.
Aktiviteti kreditues i sektorit mikrofinanciar, gjatë vitit 2019, shënoi rritje vjetore prej 20.5%, vlera e të cilave arriti në 221.6 milionë euro. Dinamikat në zhvillimet e aktivitetit kreditor të sektorit pasqyruan kryesisht ecuritë pozitive të kreditimit ndaj ekonomive familjare, si kategori me pjesëmarrje prej 67.5% të portofolit total të sektorit.
INTERVISTA
Intervistë me Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës.
Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, foli ekskluzivisht për “Monitor” lidhur me ecurinë e sektorit bankar në Kosovë. Sipas tij, në vitin 2020, sektori bankar ka pasur një numër të lartë të sulmeve në bankomate dhe kjo ka shkaktuar rritjen e rrezikut ndaj jetës dhe pronës në Kosovë.
Si rezultat i pandemisë COVID-19, sektori bankar është ballafaquar me kërkesa për shtyrje të kësteve të kredive dhe i është mundësuar shtyrja e mbi 1 miliard euro kredi për klientët. Kryeshefi i Shoqatës së Bankave ka thënë se në vitin 2019, sektori bankar ka pasur gjithsej 3,331 punëtorë, ndërsa në shtator 2020 janë 3,381 punëtorë.
A mund të na thoni si ka qenë viti 2019 për bankat që operojnë në Kosovë?
Për sektorin bankar në Kosovë, 2019-a ka qenë një nga vitet më të suksesshme të saj, meqenëse ka shënuar rritje pothuajse në të gjithë indikatorët më kryesorë. Gjatë vitit 2019, asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej 12.1%, kreditimi 10%, kurse depozitat shënuan rritje prej 16.2%.
Sektori bankar, gjatë vitit 2019, gjithashtu ka qenë fitimprurës, likuid dhe mbi të gjitha i besueshëm për qytetarët e vendit. Është e rëndësishme të theksohet se krahas këtyre shifrave në rritje, sektori bankar ka arritur që të menaxhojë portofolin kreditor në vetëm 2.1% të kredive jo-performuese, ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë kishte rënë në 6.42%.
Cila është dallimi mes vitit të kaluar dhe këtij viti që tashmë jemi në fund?
Sigurisht që dallimet ndërmjet këtyre dy viteve janë shumë të mëdha, sidomos kur e dimë që vitin 2020 e ka dominuar pandemia e COVID-19 si dhe pasojat e ndërlidhura me të në ekonominë e vendit. Viti 2019 është karakterizuar si një vit i zhvillimit ekonomik të vendit dhe me këtë, edhe i sektorit bankar.
Viti 2020 është dominuar nga çështja e rimëkëmbjes ekonomike, si rezultat i masave kufizuese të vëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sektori bankar, gjatë vitit 2020, ka mundësuar që mbi 1 miliard euro kredi të ristrukturohen për klientët me vështirësi financiare në realizimin e pagesave të kësteve të kredive.
A kanë pasur bankat probleme në tregun ekonomik që ofron Kosova dhe në aspektin e burokracisë, pengesa të ndryshme?
Sikurse edhe në çdo ekonomi tjetër të vendeve të ndryshme, edhe ekonomia e Kosovës dhe me këtë, sektori bankar, është ballafaquar me sfida të ndryshme. Duke pasur parasysh që ekonomia e vendit ka qenë një ekonomi e brishtë, mund të themi se pandemia COVID-19 në vitin 2020 e ka goditur ndjeshëm vendin tonë, sidomos pas vendosjes së masave kufizuese nga qeveria.
Kjo është reflektuar ndjeshëm në performancën e klientëve bankarë në realizimin e pagesave të kësteve kreditore, pasojat e së cilës presim që të ndihen edhe në vitin 2021. Një aspekt, i cili e ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen ekonomike, kanë qenë vonesat e mëdha të shkaktuara në miratimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi në dhjetor të këtij viti.
Me miratimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, presim që masat lehtësuese për subvencionimin e normave të interesit, si dhe rritjen e skemës së garantimit të kredive nëpërmjet Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive do të ndihmojnë ndjeshëm në rritjen e përkrahjes dhe qasjes financiare të bizneseve, kryesisht atyre të vogla dhe të mesme, të cilat janë goditur direkt apo indirekt nga pandemia.
A ofron, sipas jush, Kosova siguri të mjaftueshme për tregun e bankave dhe a vlerësoni se ka konkurrencë reale në tregun bankar në Kosovë?
Kosova është sfiduar edhe në rrafshin e sigurisë në vitin 2020, pasi në sektorin bankar ka pasur një numër të lartë të sulmeve në bankomate. Kjo ka shkaktuar rritje të rrezikut ndaj jetës dhe pronës në Kosovë. Sidoqoftë, vlerësojmë se me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes, Kosova ka nevojë të bëjë përmirësime të ndjeshme edhe në fushën e zbatimit të kontratave, dixhitalizimit, edukimit dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale për profesionet që konsiderohen se janë vitale në funksionimin e mirë të ekonomisë së vendit.
Siguria kibernetike është po ashtu me rëndësi jetike në rrethanat aktuale. Aktualisht, në Kosovë, operojnë gjithsej 11 banka komerciale, gjë që e pasuron tregun bankar dhe mundëson që qytetari të zgjedhë ofertën më të mirë.
Sa kanë qenë të hyrat në bankat komerciale që operojnë në Kosovë në vitin 2019?
Në vitin 2019, sektori bankar ka arkëtuar gjithsej 200.9 milionë euro të hyra, ndërsa shpenzimet ishin në vlerën 176.9 milionë euro. Sektori bankar ka shënuar fitim gjatë vitit të kaluar dhe ky fitim dallon në varësi të institucionit bankar.
Sa është numri i punonjësve që kanë bankat dhe sa ka pasur vitin e kaluar?
Në vitin 2019, sektori bankar ka pasur gjithsej 3,331 punonjës, ndërsa në shtator 2020, në sektorin bankar numëroheshin 3,381 punonjës.
Prej muajsh, Kosova po përballet me COVID-19. Çfarë ndikimi ka pasur pandemia te bankat që operojnë në vend?
Si rezultat i pandemisë COVID-19, sektori bankar u ballafaqua menjëherë me kërkesa për shtyrje të kësteve të kredive, me ç’rast është mundësuar shtyrja e mbi 1 miliard euro kredi për klientët bankarë. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre klientëve kanë shënuar përmirësim në gjendjen financiare dhe si rrjedhojë, kanë vazhduar me pagesa të rregullta tanimë. Bankat kanë arritur të tejkalojnë edhe nivelin e kreditimit të vitit paraprak, duke kredituar ekonominë në vlerë prej 1,2 miliardë eurosh deri në fund të muajit tetor të vitit 2020, që paraqet një nivel të njëjtë të kreditimit me vitin paraprak.
Pak ndikimi nga kriza
Si rezultat i pandemisë COVID-19, sektori bankar u ballafaqua menjëherë me kërkesa për shtyrje të kësteve të kredive, me ç’rast është mundësuar shtyrja e mbi 1 miliard euro kredi për klientët bankarë. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre klientëve kanë shënuar përmirësim në gjendjen financiare dhe si rrjedhojë, kanë vazhduar me pagesa të rregullta tanimë
Me çfarë problemesh po ballafaqohen bankat aktualisht dhe cilat janë pritshmëritë për muajt dhe vitet në vijim?
Ka shumë paqartësi në kuptimin se sa do të jetë efekti negativ i pandemisë, pasi nuk mund të parashikohet saktësisht se sa do të zgjasë pandemia dhe masat kufizuese. Nga kjo është e qartë se, pandemia ka ndikuar negativisht pothuajse në çdo fushë të ekonomisë.
Vlerësojmë se efektet negative të saj mund t’i vërejmë më saktë dhe më qartë në vitin e ardhshëm 2021, ku do të shihet dinamika e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Shpresojmë që ligji “Për rimëkëmbje ekonomike”, tashmë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, do të ndihmojë në këtë aspekt, për t’i mbështetur bizneset që të kthehen në normalitetin e tyre. Gjithashtu, presim që të rritet pakoja financiare për rimëkëmbje ekonomike, pasi nevojat në sektorin privat janë shumë të mëdha.
Intervistoi: Fatos Shala
INTERVISTA
Intervistë me Robert Wright, drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Kosovë
Robert Wright, drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Kosovë, në një intervistë për revistën “Monitor”, analizon shkaqet se pse sektori bankar në Kosovë ka nivele të larta përfitueshmërie dhe ka vuajtur më pak se bizneset e tjera në rajon pasojat e krizës së vitit 2008. Sipas tij, sektori bankar në Kosovë pati një zhvillim më të vonë në kohë dhe kriza e vitit 2008 e gjeti pa ekspozime të mëdha.
Kjo i dha mundësinë t’u përgjigjej efekteve të krizës dhe të ndiqte ritmin e një zhvillimi pozitiv të ekonomisë në vend në dekadën e fundit, me rritje të kreditimit dhe të penetrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare në treg.
Z. Wright shprehet se efektet e pandemisë në ecurinë e sektorit bankar do të jenë më të prekshme në vitin 2021. Megjithatë, ai shprehet se mjedisi ekonomik pritet të përmirësohet ndjeshëm, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2021, çka do të reflektohet edhe në aktivitetin e sektorit bankar.
Si e vlerësoni ecurinë e Raiffeisen Bank – Kosovë në vitet e fundit? Cilat ishin arritjet kryesore të biznesit tuaj?
Performanca e Raiffeisen Bank Kosovë, në vitet e fundit, ka qenë e shumë e mirë. Sigurisht, e prisnit një vlerësim të tillë të thënë nga unë, por mendoj se një konkluzion i tillë mbështetet te shifrat dhe besimi që na kanë dhënë klientët. Në periudhën shtator 2019 – shtator 2020, kredia është rritur me 10% dhe depozitat me 9%. Gjithashtu, kemi shënuar rritje të konsiderueshme në shërbimet alternative jashtë degëve, si banking përmes internetit dhe telefonit celular.
Për shembull, tashmë 78% e transaksioneve tona kryhen online. Në tremujorin e tretë 2020, pagesat nëpërmjet terminaleve elektronike (POS) janë rritur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca jonë vlerësohet edhe nga kënaqësia e klientëve, e matur me treguesin Net Promoter Score (NPS), i cili na krahason me bankat konkurrente. Në vitin 2020, ne kishim vlerësimin më të lartë NPS në segmentin e korporatave dhe në segmentin mikro.
Vitet e fundit kanë qenë një periudhë intensive edhe në proceset e ndryshimit të brendshëm, me qëllim që të vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet tona për klientët. Ndryshimet ishin të nevojshme në një sërë drejtimesh, si shërbimet dixhitale, produkte dhe shërbime më konkurruese dhe ndërtimit të një kulture korporative më të orientuar tek klientët.
Këto procese u bënë edhe më urgjente nga pandemia e COVID-19. Këto zhvillime janë gjithmonë punë në proces përmirësimi, për t’u përshtatur me ndryshimet në teknologji, me ndryshimet e sjelljeve konsumatore dhe me konkurrencën në rritje, qoftë nga aktorët tradicionalë, qoftë nga konkurrentët e tij, si kompanitë FinTech. Asgjë nuk është e përhershme, veç ndryshimit.
Sektori bankar në Kosovë ka qenë ndër më pak të prekurit në Rajon dhe Europë nga kriza e gjatë që pati origjinën në vitin 2008. Pse bankat në Kosovë e vuajtën më pak krizën?
Ka një sërë arsyesh për këtë. Në fillimet e krizës, industria e shërbimeve financiare në Kosovë ishte relativisht e re. Produktet bankare komplekse mungonin dhe ato ekzistuese nuk kishin një bazë të gjerë klientele, si në segmentin familjar, ashtu edhe në atë të biznesit. Proceset e punës menaxhoheshin me sisteme jo bashkëkohore.
Zhvillimi më i vonuar e bëri industrinë bankare më të aftë për t’iu përgjigjur shpejt krizës. Klientët tanë nuk kishin ekspozime të mëdha dhe afatgjata borxhi dhe kjo i mundësoi sistemit bankar të ruante nivele të larta kapitalizimi, likuiditeti dhe tregues të kënaqshëm të administrimit të rrezikut. Një faktor specifik që ndihmoi në një menaxhim më pozitiv të krizës ishte fakti që tregu i kredisë për individë nuk kishte ekspozime të mëdha në segmentin e pasurive të paluajtshme dhe nuk vuajti goditje nga ky segment, siç ndodhi në ekonomi të zhvilluara, si SHBA apo Britania e Madhe.
Bankat janë ndër bizneset më fitimprurëse në Kosovë. Ku mbështetet përfitueshmëria e lartë e bankave tregtare?
Industria bankare në Kosovë ka tregues shumë të mirë të performancës financiare krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Një faktor kyç është patjetër kënaqësia e klientëve me produktet dhe shërbimet financiare. Një element tjetër është fakti që industria bankare ende po përfiton nga rritja e lartë në segmentin e huadhënies, kartave të kreditit dhe numrit të llogarive rrjedhëse.
Kosova ende ka një përqindje relativisht të ulët të popullsisë me akses në shërbimet dhe produktet bankare, por kjo përqindje është në rritje, sepse më shumë të rinj po hapin llogari bankare dhe më shumë punëdhënës po i paguajnë pagat nëpërmjet bankave. Kjo po nxit rritjen e kredisë konsumatore, kartave të kreditit, por edhe të kredisë për blerjen e banesave nga individët. Në segmentin e biznesit, shërbimet bankare po rriten, të mbështetura nga rritja pozitive e ekonomisë në vitet që i paraprinë shpërthimit të pandemisë.
Sa ka ndikuar deri tani kriza e pandemisë në aktivitetin e Raiffeisen – Kosovë dhe sektorit bankar në tërësi? Në cilat drejtime, pasojat e krizës kanë qenë më të prekshme?
Kriza e lidhur me pandeminë e ka prekur sektorin bankar kudo dhe sigurisht që Kosova nuk bën përjashtim. Por, megjithatë, kjo krizë e gjeti sektorin mjaft të shëndetshëm, fitimprurës dhe me tregues të lartë kapitalizimi dhe likuiditeti. Efekti kryesor i pandemisë në raport me bankat tregtare ka qenë paaftësia e bizneseve të vogla dhe të mesme për të paguar këstet e kredive, por reagimi bashkëpunues i bankave ndihmoi në minimizimin e pasojave.
Në muajin mars, bankat, në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Ministrinë e Financave të Kosovës, ranë dakord të shtynin pagesat e kredive me tre muaj, për të gjithë klientët që do ta kërkonin një gjë të tillë. Deri në mesin e muajit prill, mbi 1 miliard euro kredi u shtynë. Mundësia e shtyrjes së kredive është ende e hapur për ata huamarrës që po vuajnë pasojat e krizës.
Shtyrja e kësteve nuk ka lejuar përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë për vitin 2020. Por, kur efekti i masave të mësipërme të ketë përfunduar, në vitin 2021, efektet e krizës do të bëhen më të prekshme dhe në sektorin bankar. Rënia e prodhimit të brendshëm me të paktën 5% dhe rritja e papunësisë do të reflektohen në mënyrë të pashmangshme edhe në një rritje të kredive të këqija.
Një faktor shumë i rëndësishëm për zbutjen e efekteve të krizës në Kosovë është mbështetja me remitanca nga diaspora. Remitancat kanë vazhduar të rriten edhe gjatë periudhës së pandemisë, çka ka ndihmuar ekonominë dhe ka ruajtur aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve. Remitancat kanë qenë prej më shumë se 20 vjetësh faktor kyç në mbështetjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në Kosovë për vitin e ardhshëm?
Sfida kryesore për sektorin bankar do të jetë menaxhimi i pasojave të pandemisë së COVID-19. Kjo sëmundje do të ketë ndikim shumë domethënës edhe në gjysmën e parë të vitit 2021, edhe nëse do të nisë një program i suksesshëm vaksinimi. Duhet të jemi të vetëdijshëm se sidomos bizneset kanë pësuar dëme të thella dhe afatgjata në treguesin kyç të performancës financiare dhe do të duhen vite që këta tregues të kthehen në nivelet e para pandemisë. Sidoqoftë, mendoj se viti 2021 do të jetë më i mirë se viti 2020.
Kërkesa për produkte dhe shërbime të lidhura me turizmin, udhëtimet dhe argëtimin është shtyrë në kohë, ashtu siç janë shtyrë edhe projekte të rëndësishme investimesh në industri. Kjo do të përkthehet në një kërkesë të shtuar për kredi gjatë vitit 2021 dhe mendoj se edhe oreksi i bankave për të dhënë hua do të shtohet sërish. Një kuadër i tillë do të sjellë mjedis më pozitiv për ekonominë dhe, rrjedhimisht edhe për bankat, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Intervistoi: Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.