Drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein, shprehet se Shqipëria duhet të zhvillohet duke rritur investimet dhe eksportet. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo shprehet se duhet luftuar korrupsioni sidomos në shërbimin shëndetësor.
A mendoni se Shqipëria mund të arrijë së shpejti në nivelet e rritjes ekonomike në nivelin 4-5% të PBB para krizës?
Po, në fakt, keni të drejtë, përpara krizës globale, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kishin një rritje ekonomike prej 5-6% dhe Shqipëria nuk përbënte përjashtim, me një rritje ekonomike afërsisht 6% në vitet 2005-2007; por që nga kriza globale, rritja ekonomike ka rënë në mënyrë dramatike, duke shënuar shifra shumë të ulëta në vitet 2012-2013. Tani Shqipëria ka filluar të rimëkëmbet dhe aktualisht ka një rritje ekonomike 2-3%. Shqipëria ka potencial të fuqishëm që të rritet më me shpejtësi dhe nëse do të ndërmarrë reformat e duhura ekonomike, ne do të shohim që rritja ekonomike do të përshpejtohet në dy vitet e ardhshme.
A ekziston rreziku që Shqipëria të hyjë në një fazë paqëndrueshmërie makroekonomike?
Mendoj që ka shumë pak rrezik për paqëndrueshmëri ekonomike. Reformat strukturore po sjellin qëndrueshmëri makroekonomike dhe kjo do të përshpejtojë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Borxhi tani është në nivele të larta 71%, por ne presim, që në dy vitet e ardhshme, të ulet në 66% deri në vitin 2017. Ky objektiv bazohet tek marrëveshjet e Shqipërisë me FMN, Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian që po e mbështesin Shqipërinë, që ajo të shkojë në një stad tjetër zhvillimi, me një rritje ekonomike të përshpejtuar.
Ju tingëlloni disi optimiste për ekonominë e Shqipërisë, edhe pse ajo ndeshet me disa probleme. Cilat janë, sipas jush, burimet e rritjes ekonomike për Shqipërinë?
Në afat të gjatë, unë jam shumë optimiste për Shqipërinë, sepse ajo ka mjaft burime natyrore dhe njerëzore; gjithashtu ajo kufizohet me grupin më të madh ekonomik të botës, BE-në. Pra, në afat të gjatë Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje ekonomike dhe për të arritur standardet europiane të jetesës. Aktualisht, në kushtet kur vetë vendet europiane janë në vështirësi për rritje ekonomike, kjo do të jetë e vështirë, por dua të theksoj se Shqipëria po rritet me ritëm më të shpejtë ekonomik se sa vendet e BE-së dhe mendoj se kjo rritje do të përshpejtohet. Burimet e rritjes ekonomike për Shqipërinë janë ato natyrore. Siç thashë, vendi ka potencial për të zhvilluar turizmin, ka burime hidroenergjetike, të cilat mund t’i eksportojë në vendet rajonale dhe natyrisht, burimi më i madh që ka Shqipëria, është ai njerëzor.
Ju përmendët emigracionin. Në fakt Shqipëria e ka ndier ndikimin e krizës, mes të tjerash, përmes pakësimit të remitancave.
Po flitet shumë për një model të ri ekonomik në Shqipëri dhe kjo do të thotë se vendi duhet të kalojë nga një nivel bazuar te konsumi dhe remitancat, te një model rritjeje, që orientohet më tepër ndaj investimeve dhe eksporteve. Për të arritur këtë, duhet të zhvillohen reforma në klimën e investimeve, në sektorë si energjia, e drejta e tokës dhe e pronës, si dhe burokracia në mjedisin e zhvillimit të biznesit, si dhe duke përmirësuar kualifikimin e forcës punëtore, përfshirë rininë dhe gratë.
Një pyetje lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në shoqërinë shqiptare dhe si po e ndihmon Banka Botërore Shqipërinë të luftojë korrupsionin?
Kjo është një pyetje e shkëlqyer, sepse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë prapa standardeve europiane për sa i përket çdo indikatori për qeverinë dhe korrupsionin. Në kontekstin shqiptar, ne e fokusojmë mbështetjen tonë te transparenca e qeverisë dhe përgjegjshmëria e saj për shërbimet ndaj qytetarëve. Ne po e mbështesim qeverinë shqiptare në krijimin e qendrës model për shërbimet ndaj qytetarëve. Ne përpiqemi që qeveria të jetë më transparente me popullin, për këtë po përdorim teknologjinë e informacionit dhe kontrollin e këtij lloj informacioni. Kjo e bën më të efektshme dhe më të përgjegjshme qeverinë. Përveç kësaj, ne ndihmojmë në sektorë të veçantë, si ai i energjetikës p.sh., ku qeveria shqiptare ka filluar një fushatë madhore për të trajtuar vjedhjet e energjisë; ne mbështesim me forcë idenë se përdoruesit e energjisë duhet ta paguajnë atë, duke e kombinuar me rrjetin e duhur të sigurisë në sektorin energjetik, për të mbrojtur personat më vulnerabël. E njëjta gjë bëhet me të gjitha shërbimet publike, si p.sh. furnizimi me ujë, shërbimet sanitare, cilësia e shërbimit shëndetësor dhe transparenca, në mënyrë që të mos përdoret bakshishi për të marrë një shërbim të mirë shëndetësor. Banka i ka shtrirë operacionet e saj në të gjitha këto fusha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.