Komisioni Europian njoftoi paktin e ri për transferimin e të dhënave me Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar t’i jepet fund pasigurisë ligjore, që mundon mijëra kompani, që transferojnë të dhënat personale të përdoruesve përtej Atlantikut.
Masa u kritikua menjëherë nga grupi jofitimprurës NOYB*, i udhëhequr nga aktivisti i privatësisë Max Schrems, i cili tha se do të kundërshtonte marrëveshjen.
Komisioni dhe Shtetet e Bashkuara, kishin luftuar për të arritur një marrëveshje të re, pasi gjykata e lartë e Europës, anuloi dy pakte të mëparshme, që mbështetnin transferimin e të dhënave personale përtej Atlantikut, për shërbime që varionin, nga infrastruktura cloud, deri te listat e pagave dhe bankat.
Komisioni, krahu ekzekutiv i BE-së, tha se masat e marra nga Shtetet e Bashkuara, siguruan një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje për të dhënat personale të qytetarëve europianë, të transferuara përtej Atlantikut për përdorim tregtar.
Ai tha se garancitë e reja detyruese, të tilla si kufizimi i aksesit të shërbimeve të inteligjencës amerikane në të dhënat e BE-së, në atë që është “e nevojshme dhe përpjestimore” dhe krijimi i një Gjykate të Rishikimit të Mbrojtjes së të Dhënave për europianët, adresojnë shqetësimet e ngritura nga gjykata e lartë europiane.
Presidenti i SHBA Joe Biden, përshëndeti paktin e transferimit të të dhënave dhe tha se ai pasqyronte një “angazhim të përbashkët për mbrojtjen e fortë të privatësisë së të dhënave”.
Shefi i drejtësisë i BE-së Didier Reynders, tha se ishte i sigurt se do të shmangej çdo sfidë ligjore.
“Parimet e kornizës së privatësisë së të dhënave, janë të forta dhe jam i bindur, se kemi bërë përparim të rëndësishëm, që plotëson kërkesat e praktikës gjyqësore të Gjykatës Europiane të Drejtësisë,” tha ai në një konferencë shtypi. “Unë kam shumë besim dhe mbroj marrëveshjen e re të të dhënave.”
Por, Schrems tha se rishikimi i fundit, ishte i pamjaftueshëm.
“Thjesht shpallja se diçka është ‘e re’, ‘e fortë’ ose ‘efektive’, nuk mjafton. Do të na duheshin ndryshime në ligjin e mbikëqyrjes amerikane, për ta bërë këtë të funksionojë,” tha ai në një deklaratë.
“Ne kemi opsione të ndryshme për sfidën, megjithëse jemi të lodhur nga ky ping-pong ligjor.” shtoi Schrems.
Grupi lobues DigitalEurope, anëtarët e të cilit përfshijnë Airbus (AIR.PA), Amazon (AMZN.O), Apple (AAPL.O), Ericsson (ERICb.ST), Nokia (NOKIA.HE), Philips (PHG.AS) dhe Samsung (005930.KS), e mirëpriti marrëveshjen.
“Rrjedhjet e të dhënave, mbështesin eksportet vjetore prej 1 trilion eurosh të shërbimeve të BE-së në Shtetet e Bashkuara, dhe ky vendim do t’u japë kompanive më shumë besim, për të kryer biznes dhe për të ndihmuar ekonomitë tona të rriten,” tha drejtoresha e përgjithshme, Cecilia Bonefeld-Dahl.
Në fillim të këtij viti, mbikëqyrësi i privatësisë i BE-së, Bordi Europian për Mbrojtjen e të Dhënave, tha se marrëveshja e fundit e të dhënave, ende dështoi dhe i kërkoi komisionit të bënte më shumë, për të mbrojtur të drejtat e privatësisë së europianëve.
Gjykata e lartë e Europës, prishi dy marrëveshjet e mëparshme pas sfidave nga Schrems, për shkak të shqetësimeve në lidhje me aksesin e agjencive të inteligjencës amerikane, në të dhënat private të qytetarëve europianë. / Reuters
* Qendra Europiane për të Drejtat Dixhitale (European Center for Digital Rights), është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Vjenë, Austri e themeluar në vitin 2017 me fokus pan-europian.