Bashkimi Europian propozoi të mërkurën të rrisë konkurrencën në sektorin e pagesave, duke i dhënë mbështetje ligjore një euro dixhitale dhe duke ruajtur rolin e parave cash, duke qenë se gjithnjë e më pak njerëz përdorin monedha dhe kartëmonedha.
Paketa e reformave të Komisionit Europian, që përditëson rregullat dhjetëvjeçare, synon të hapë një treg pagesash, i cili prej kohësh është dominuar nga bankat dhe dyshja amerikane Visa dhe Mastercard, që sot sfidohet nga “fintech” që ofrojnë shërbime konkurrente.
“Në praktikë, ky propozim do të sjellë produkte dhe shërbime financiare më inovative për përdoruesit dhe do të nxisë konkurrencën në sektorin financiar” – deklaroi Komisioni.
Shtetet e BE-së dhe Parlamenti Europian do të kenë fjalën e fundit mbi paketën, me mundësinë për të bërë disa ndryshime.
Reformat synojnë që t’ua bëjnë më të vështirë bankave që t’i pengojnë kompanitë fintech të hapin një llogari në to dhe t’u japin fintech-eve akses në infrastrukturën e pagesave në të njëjtën mënyrë si bankat.
“Ne do të identifikojmë qartë pengesat që fintech nuk duhet t’i kishin hasur kurrë” – tha një zyrtar i BE-së.
Pagesat elektronike në BE u rritën nga 184,2 trilionë euro (201,7 trilionë dollarë) në vitin 2017 në 240 trilionë euro në vitin 2021, të përshpejtuara gjatë pandemisë.
Mbrojtja e të dhënave do të forcohet për të nxitur konsumatorët që të përdorin shërbimet konkurrente.
Zyrtari i BE-së sqaroi ndër të tjera bazën juridike që lejon bankat dhe shoqëritë e tjera të pagesave të ndajnë informacione pa rënë në kundërshtim me rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, me synimin për të përforcuar kapacitetin kolektiv të sektorit për t’u përballur me mashtrimet.
Banka Qendrore Europiane duhet të vendosë në tetor nëse do të vazhdojë me një euro dixhitale. Rregullat e propozuara të mërkurën do ta bëjnë atë mjet ligjor, që do të thotë se do të duhet të pranohet si një formë pagese.
/ Reuters