Bizneset e mesme në sektorin fason po mbyllen

19/06/2019 12:46 PM 0 komente

Flet Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë

 

Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, tha se muajt e fundit shumë ndërmarrje me 20-40 punëtorë kanë dalë në shitje. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt si efekt domino i situatave aspak të favorshme do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do të jenë katastrofike. Zekja tha se ka një hezitim për të zgjeruar porositë nga kontraktorët e huaj, edhe për shkak të pasigurisë politikë.

 

A po e ndikon kriza politike sektorin fason?

Pa tjetër që kriza politike ka ndikim direkt te biznesi fason, ashtu siç ka ndikim dhe te të gjithë eksportuesit dhe te turizmi. Kriza më e madhe është kriza e besimit dhe e perspektivës për të ardhmen. Uljes së tmerrshme të euros, situatë që do ta krahasoja me fatkeqësi natyrore për eksportuesit, të cilit u shtohet dhe pasiguria politike. Situata është jo e favorshme dhe në komunikimin me institucionet qendrore dhe me administratën publike me biznesin.

Po perceptimi nga kontraktorët e huaj, apo ngurojnë të zgjerohen më tej?

Lidhja e kontratave të reja apo rinovimi i tyre po bëhet i pamundur, sepse na duhet të hartojmë marrëveshje të reja me një shtesë në vlerë monetare 15% më të lartë si pasojë e rënies së euros. Kësaj anomalie i shtohet dhe pasiguria politike që është një situatë artificiale e krijuar nga interesa të ngushta politike.

Kjo na nxjerr tërësisht nga tregu ballkanas i fasonit. Muajt e fundit kemi dhe një fenomen shumë të rëndësishëm që është dalja në shitje të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla (20-40 punëtorë). N.q.s vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt, si efekt domino i situatave aspak të favorshme, do të kemi falimentimin e biznesit fason dhe pasojat do jenë katastrofike. 500 biznese me traditë gati 30-vjeçare dhe daljen në papunësi të mbi 100,000 vetave.

A keni një mesazh për klasën politike?

 Duke qenë se biznesi fason është biznesi më social (80% gra nga shtresa më vulnerabël e shoqërisë) si dhe mbulon 47% të eksporteve normalisht dëmtimi apo eliminimi i këtij do t’i sillte një dëm të pariparueshëm vendit, ndaj mesazhi për politikën është që të qetësojë situatën politike dhe t’i bëhet krah biznesit sa nuk është vonë se kambanat e alarmit kanë filluar të sinjalizojnë diçka të paparë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of