INSTAT ka publikuar të dhënat për prodhimin bujqësor dhe blegtoral për vitin 2015, që tregojnë një rritje të prodhimit të perimeve, drufrutorëve dhe rënie të lehtë të drithërave, fasuleve e bimëve industrial. Ndërsa në rënie të thellë ishte prodhimi i bimëve medicinale që në 2014-n kishte pasur një lulëzim të vërtetë (nga 7 mijë ton në 2013-n, prodhimi u rrit në 17.4 mijë ton në 2014-n, për të rënë në 10.4 mijë tonë në 2015-n).
Sipas INSTAT, prodhimi i bimëve të arave ndikohet kryesisht nga kulturat që janë me peshë në këtë sektor si perimet, drithërat dhe patatet. Në vitin 2015 prodhimi i perimeve ishte 1.030.000 ton nga 950.000 ton që ishte në vitin 2014 duke shënuar një rritje vjetore prej 8,4 %.
Prodhimi i patateve në vitin 2015 ishte 245.000 ton, duke shënuar një rritje me 2,1 % në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të patates u arrit në qarkun e Korçës me 65.439 ton, e pasuar nga qarqet Fier me 33.273 ton dhe Elbasan me 32.457 ton.
Numri i rrënjëve të drufrutorëve ka pësuar rritje në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014. Konkretisht kjo rritje për pemët frutore ka qenë 1,2 %, për ullinjtë 2,57 %, agrumet 6,83 %, pjergullat 0,6 % dhe sipërfaqjet me vreshta 0,5%.
Prodhimi i agrumeve në vitin 2015 ishte 30.000 ton duke shënuar një rritje prej 42,8 % krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 15.668 ton.
Blegtoria
Gjedhë: Numri i gjedhëve në vitin 2015 ka qenë 504.169 krerë nga 499.600 krerë që ishte në vitin 2014 duke shënuar një rritje vjetore me 0,9 %. Ndaj totalit të tufës së gjedhit dominojnë lopët e qumështit me 71 %. Rajonet ku është më i përqëndruar mbarështrimi i gjedhit janë: Fieri me 14 %, Elbasani me 13 %, Tirana dhe Shkodra me 10 % ndaj numrit total të krerëve në të gjithë vendin. Gjirokastra është rajoni i cili në rang vendi ka numrin më të vogël të gjedhit me 4,7 % ndaj totalit.
Të leshta: Numri i të leshtave nuk ka patur ndryshime të dukshme në vitet e fundit. Në vitin 2015, numri i të leshtave ka qenë 1.918.000 krerë ose 1,2 % më shumë se në vitin 2014. Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit me 74 % ndaj totalit të tufës. Rajonet ku është më i përqëndruar mbarështimi i të leshtave është Vlora me 18 %, Gjirokastra me 15 % dhe Fieri me 14 %. Lezha është rajoni i cili ka numrin më të vogël të të leshtave me 1,7 % ndaj totalit të numrit të krerëve në të gjithë vendin.
Të dhirta: Në vitin 2015 kanë qenë 932.000 krerë nga 904.000 krerë që ishin në vitin 2014 me një rritje vjetore 3,1 %. Kategoria kryesore janë dhitë e qumështit me 75 % ndaj totalit të tufës. Rajonet ku është më i përqëndruar mbarështimi i të dhirtave është Gjirokastra me 15 %, Elbasani me 14,1 % dhe Vlora me 13,6 %. Durrësi është rajoni i cili ka numrin më të vogël të të dhirtave me 2,3 % ndaj totalit.
Derrat: Në vitin 2015 numri i krerëve të derrave ka qenë 171.400 krerë, nga 172.500 krerë që ishte në vitin 2014 duke shënuar një rënie vjetore me 0,6 %. Përqëndrimi më madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 37 % dhe Shkodër me 28 % ndaj totalit të gjithë krerëve. Rajonet me numrin më të vogël përfaqësues të derrave janë: Gjirokastra me 0,7 % dhe Kukësi me 1,7 % ndaj totalit të krerëve të derrave në të gjithë vendin.
Gjatë vitit 2015 prodhimet blegtorale nuk kanë patur luhatje të theksuara krahasuar me vitin 2014. Në terma vjetorë prodhimi i qumështit gjatë viti 2015 është ulur me 0,2 %, prodhimi i mishit peshë e gjallë është rritur me 1,9 %, dhe prodhimi i vezëve është ulur me 0,6 % krahasuar me vitin 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.