“Bullgaria do të synojë të balancojë buxhetin vitin e ardhshëm, ndërsa përpiqet të rrisë pagat publike dhe të caktojë më shumë fonde për arsimin”, tha qeveria pas miratimit të projektbuxhetit të vitit 2020. Aktualisht, ky shtet ka shënuar një suficit buxhetor, por shpenzimet e planifikuara në tremujorin e fundit, plus një marrëveshje prej 1,26 miliardë dollarësh për të blerë tetë avionë të rinj luftarakë F-16, do ta çojnë vendin drejt një deficiti buxhetor prej 2% të PBB-së në fund të 2019-ës.
Bullgaria, e cila shpreson t’i bashkohet Dhomës së Pritjes së Eurozonës deri në pranverën e vitit të ardhshëm, planifikon të zhvillojë buxhete të ekuilibruara deri në vitin 2022 dhe të vazhdojë të ulë borxhin publik në 17% të PBB-së deri në vitin 2022, i cili është aktualisht i treti më i ulët në Europë. Sipas ministrit të Financave të Bullgarisë, Vladislav Goranov, arritja e një deficiti zero dhe mbajtja në nivele të ulëta e borxhit publik, janë elementet kryesore që do ta mbrojnë Bullgarinë ndaj rreziqeve të jashtme.
Qeveria planifikon të rrisë të gjitha pagat publike me 10%, ndërsa sa i takon pagave të mësuesve, ajo planifikon t’i rrisë ato me 17% vitin e ardhshëm. Ajo ka premtuar se do të mundohet të rrisë të ardhurat e shtetit më të varfër të BE-së, duke e çuar pagën mesatare në rreth 1,500 leva bullgare (853 dollarë amerikanë) deri në 2021. Ky draft është në pritje të miratimit të Parlamentit.
Z. Goranov shprehet se qëllimi i deficitit zero i krijon Bullgarisë mundësinë për të qëndruar brenda pragut të deficitit të BE-së, prej 3% të PBB-së nëse ngadalësimi ekonomik rezulton të jetë më i lartë se sa është parashikuar dhe nëse ajo nuk arrin të rrisë shpenzimet e planifikuara publike.