Flet Endlers Kërtusha, administrator i kompanisë “Aquatiq”
Projekti akuaponik prej 26 milionë eurosh, që synon zbatimin e teknologjisë më inovatore të prodhimit bujqësor, pret ende dritën jeshile për fillimin e fazës së parë të tij. Administratori i kompanisë pohon për “Monitor” se ka një përplasje me projektin fillestar dhe asaj çka iu miratua nga Këshilli i Investimeve të Shqipërisë.
Sipas z. Kërtusha, kërkesa për realizimin e projektit për ndërtimin e 146 ha fermë akuaponike ka qenë e bashkangjitur dhe me vendosjen në dispozicion të 27 parcelave, si të vetmin facilitet të kërkuar, në mbështetje të investimit strategjik nga shteti shqiptar, por që nuk i është miratuar ende.
Ai gjithashtu pohon se, ka një dëm të konsiderueshëm të shkaktuar nga zvarritja e procedurave burokratike këtë 3 vjet, si në kosto ashtu edhe në fitimin e munguar.
Si po vijon ecuria e investimit tuaj? Keni hasur problematika dhe cilat janë ato?
Investimi nuk ka filluar ende, jo për mungesën e gatishmërisë sonë si investitor, por prej arsyes se si po shkon procesi ankimimit. Dhe në këtë pikë, problematikat janë aq të shumta sa rrezikojnë projektin.
Në këtë moment që po flasim, projekti është miratuar në parim sipas kërkesës sonë nga Komiteti i Investimeve Strategjike, por i reduktuar për shkaqe të panjohura e pa argumente.
Që në aplikimin e datës 20.01.2020, subjekti “Aquatiq” e ka paraqitur të qartë dhe të plotë kërkesën dhe dosjen për realizimin e projektit për ndërtimin e 146 ha fermë akuaponike, si dhe vendosjen në dispozicion të 27 parcelave, si të vetmin facilitet të kërkuar në mbështetje të investimit strategjik nga shteti shqiptar.
Këto parcela ku do të shtrihet projekti ishin dhe vazhdojnë të jenë të lira. Për të ofruar një panoramë të projektit, bëhet fjalë për ndërtimin e 14 njësive serra hidroponike dhe akuakulture, që në sipërfaqe neto ndërtimi arrijnë në 146 ha, të cilat shtrihen ose prekin 27 parcelat me një sipërfaqe bruto prej 326 ha në zonën DJ_B_B1 të ZK.2085. Totali i këtyre serrave sjell atë që quhet Ferma Akuaponike.
Çelësi i suksesit të Fermës Akuaponike qëndron te ndërlidhja midis serrave të hidroponisë dhe akuakulturës, në nivel qendror dhe zgjerimi në sipërfaqe. Kjo konform rregullave të ndërtimit për këto ferma, si dhe planit urbanistik në to, ku krahas gjurmës së fermës, është parashikuar edhe infrastruktura ndihmëse, si rrugë/parkime, tubacione, sistemi ndërlidhës, në shërbim të saj.
Me VKIS nr.3/8, datë 15.07.2021, KIS, vendosi që të miratohej realizimi i këtij projekti, sipas vlerës totale të investimit prej 26 milionë eurosh dhe 1500 vende pune, por reduktoi sipërfaqen në 1/3 nga ajo që parashikon plani, afërsisht 100 ha.
Në këto 100 ha sipërfaqe bruto të akorduar mund të ndërtohen vetëm 48 ha sipërfaqe neto serra, nga 146 ha të parashikuara nga ne në planin e biznesit. Ky reduktim, përveçse ndikon negativisht planin e biznesit të kompanisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmton përmbushjen e marrëdhënieve kontraktuale në lidhje me tregun, si dhe fizibilitetin ekonomik, duke mos dëshmuar ndaj institucioneve financiare aftësinë për zgjerim, e cila çon në përmbushjen e plotë të planit të biznesit.
Kjo gjë ka ngritur shqetësimin tonë për të ridërguar çështjen në KIS, për ndreqje të gabimit, sepse përveç problemeve tekniko-ligjore, na e bën të pamundur realizimin e projektit.
Në pikëpamje teknike ka qenë dhe është e mundshme nga shteti shqiptar që të vendosë në dispozicion sipërfaqen e kërkuar që në momentin e aplikimit. Ndërhyrje të tilla, si reduktimi i sipërfaqes, janë të pakonceptueshme në realizimin e këtij investimi, më saktë do të thosha do të krijonte një rast absurditet ekonomik.
Parimisht, për projekte të tilla, investitori paraqet planin e investimit, projektet teknike dhe kërkesat e tij dhe shteti, në anën tjetër, pasi vlerëson, aprovon (ose jo) nëse është dakord, apo mirëpret realizimin e këtij investimi strategjik.
Shqetësimin tonë për reduktimin e sipërfaqes së kërkuar, që në momentin e parë që u njohëm në 08.10.2021, ia përcollëm Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), duke argumentuar edhe pasojat që sjell për të dy palët, mënyra e zbardhjes së vullnetit të KIS në letër. Vërtet ne si investitorë kemi një dëm të konsiderueshëm nga mosfillimi i realizimit të projektit, por edhe shteti ka dëm si përfitues direkt dhe indirekt prej këtij investimi.
Gjatë këtij procesi, kemi hasur burokraci të shumta. Sipas ligjit të investimeve strategjike, AIDA ka detyrimin ligjor që të na asistojë deri në realizimin e projektit.
Jo vetëm që nuk jemi asistuar, por shpesh janë tejkaluar afatet pa arsye dhe jemi në pikën që presim prej më se 7 muajsh që kërkesa jonë të paraqitet në KIS dhe nuk dimë ende sa kohë do të duhet edhe në zbardhjen e këtij vendimi.
Ne si investitor kemi një dem të konsiderueshëm të shkaktuar nga zvarritja e procedurave burokratike këtë 3-vjeçar, si në kosto ashtu edhe në fitimin e munguar, p.sh., vetëm vitin e fundit kemi një rritje të konsiderueshme të çmimit të materialeve të ndërtimit, gjë e cila ndikon direkt në planin e biznesit, por jemi munduar ta menaxhojmë më së miri.
Humbja e dytë është edhe për ekonominë e vendit, e cila nuk do të përfitonte nga ky investim direkt i huaj. Taksat që rrjedhin nga ky investim, punësimi, si dhe ekonomia zinxhir me bizneset lokale, do të ishin një humbje për zhvillimin dhe promovimin e zonës.
A mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të investimit? A ndikojnë elemente si rritja e çmimit të energjisë elektrike, gazit, naftës etj. në rritjen e kostove tuaja?
- Projekti parashikon një investim prej 26 mln eurosh, 1500 persona të punësuar (rrjedhimisht më pak njerëz që emigrojnë për qëllime ekonomike). Ky projekt do të jetë më i madhi në Europë në këtë sektor. Përfitimet janë si të kompanisë natyrisht, por edhe në zhvillim të zonës, taksa e tatime për shtetin, rritje të eksporteve, rritje të punësimit etj.
- Natyrisht që rritja e çmimit të energjisë, gazit, etj., ndikojnë në kosto, por në kuadër të përgjithshëm nuk ndikojnë në planin e biznesit apo fitim, pasi edhe çmimet e tregut janë rritur ndërkohë, pra mallrat do të shiten me çmim më të lartë.
- Çka rrezikon projektin (apo edhe më keq mund të dështojë fare) nuk janë çmimet, apo kostot, por vonesat në zbatimin e projektit. Çdo biznes bëhet me një plan të caktuar, që nga marrja e kredive, investimi, prodhimi dhe finalja dalja në treg; Ne kemi siguruar tregun, por blerësit presin të kenë prodhimet tona në një datë të caktuar… nëse nuk je korrekt në respektimin e kontratave etj., humbet besueshmërinë. Humbja e besueshmërisë është kostoja më e madhe që mund të ketë një biznes.
Akuaponia ka një përhapje të ulët, një koncept inovativ për vendin tonë por me kosto të lartë të investimit. Pse vendoset të bënit pikërisht këtë investim?
Është e vërtetë që është projekt inovativ, ka përhapje të ulët në hektarë, por jo në shpejtësinë e përhapjes, pra nuk ka shumë ferma të tilla në botë, ashtu sikurse mungojnë edhe hapësirat e lira të trojeve. Por, si koncept, po përhapet më shpejt se sa një biznes tradicional. Kjo vjen për disa arsye, por mbi të gjitha për qëndrueshmërinë mjedisore që kjo teknologji mbart.
Arsyet pse Shqipëria është vendi i duhur për një investim të tillë lidhen kryesisht me arsyet mjedisore, pra klima e përshtatshme, gjithashtu pozita gjeografike e favorshme, mundësia e shfrytëzimit të gazit nga projekti TAP, krahu i kualifikuar i punës për bujqësinë në zonën e Myzeqesë, etj.
Në mbarë botën, Covid-19 ka pasur ndikim në rritjen e kërkesës për ushqime cilësore dhe pa pesticide. Mendoni se kjo do të ishte një avantazh për investimin tuaj?
Kriza e Covid-19 nuk ka nxitur kërkesën vetëm për rritjen e ushqimeve cilësore (në kuptimin që ushqimet cilësore i mbajnë larg sëmundjet). Covid-19 shkaktoi një kaos në zinxhirin e furnizimit.
Shumë shtete (p.sh. vendet europiane) kuptuan se varësia nga tregjet e largëta e ndërpret zinxhirin për arsye të pamundësisë së transportit, si në kuptim të çmimeve, ashtu edhe kohës së lëvrimit të mallrave. Shtetet europiane kërkojnë mallra apo investime sa më të afërta. Projekti ynë e plotëson këtë kusht si në cilësi, edhe në sasi, komponentë kryesorë për të depërtuar në tregjet e mëdha.
Po në Shqipëri a ka treg për këtë lloj produkti, duke qenë se kosto fundore mendohet të jetë më e lartë?
Pavarësisht se plani i biznesit dhe projekti nuk janë menduar me treg kryesor Shqipërinë, por eksportin, për shkak të madhësisë së tregut që vendi ynë ka, gjithsesi ka një fashë tregu apo klientele në Shqipëri që i vlerëson produktet e këtij standardi, të cilët nuk kanë pse blejnë apo konsumojnë produkte importi.
Cilat do të ishin përfitimet e një projekti të tillë vendas në kushtet e një krize të mundshme të zinxhirit të furnizimit të ushqimeve europiane, për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë?
Ashtu sikurse ndodhi me krizën e Covid-19, edhe për konfliktin në fjalë, shtete të ndryshme kanë kuptuar se duhet të shkëputen nga tregje që kanë çmime të ulëta, por janë me rrezik, dhe duan që fillimisht të shohin për furnizime alternative, edhe pse me kosto pak më të larta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.