Të gjithë kemi ditë në punë, kur asgjë nuk shkon mirë. Zakonisht, mundohemi ta harrojmë dhe shpresojmë, që dita e nesërme të shkojë më mirë.
Megjithatë, kur ato ditë fillojnë të shtohen, dhe vëreni se energjia për punë po pakësohet javë pas jave, mund të filloni të kuptoni se nuk është thjesht një muaj ndryshe.
Fakti është që jeni të pakënaqur në punë.
Kjo nuk është e pazakontë. Në fakt, sipas sondazhit më të fundit të Gallup, vetëm 34% e amerikanëve, ndihen të përfshirë dhe të përkushtuar në punën e tyre – që do të thotë se 66%, nuk janë të angazhuar.
Për më tepër, nga ai 66%, 13% janë të shkëputur në mënyrë aktive, që do të thotë se shfaqin dhe shprehin hapur pakënaqësinë në punë (situatë mjaft toksike për veten dhe këdo rreth tyre).
Natyrshëm lind pyetja: Çfarë duhet të bëjmë kur ndiejmë rënie të përkushtimit në punë?
Njerëzit e suksesshëm, ata që e duan punën e tyre dhe kanë karriera, që përparojnë vazhdimisht në drejtim pozitiv, e marrin seriozisht këtë lloj situate. Ata marrin masa.
Më poshtë shpjegohen katër hapa, që mund të ndërmerrni, kur të filloni të ndiheni në këtë mënyrë. Ata do t’ju ndihmojnë të siguroheni, që të mos jeni të mbërthyer në një grackë, për një kohë të gjatë.
Hapi 1: Filloni mbledhjen e informacionit
Kur ndiheni të pakënaqur, mund të tundoheni t’i injoroni ato, të besoni se nuk janë një punë e madhe dhe ka të ngjarë të zbehen vetë.
Por e vërteta është, se ne shpesh nuk e kuptojmë, se sa të përhapura mund të jenë situatat e vështira në punë. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për të dhëna.
Gjurmoni vazhdimisht mënyrën se si ndiheni gjatë ditës së punës, si dhe performancën. Kështu, do të keni një pamje të qartë të ndjesive dhe problemeve, që shkaktojnë pakënaqësi. Duke ditur çfarë e shkakton, do të mund të punoni për të zbehur ndjesitë negative në vendin e punës.
Hapi 2: Analizoni të dhënat
Është e lehtë të fajësoni për ndjenjat tuaja negative njerëzit e tjerë ose faktorët e jashtëm. Dhe ndoshta ndjenjat tuaja lidhen me drejtuesin, kolegët ose vetë organizatën.
Por, gjithashtu, duhet të siguroheni, që të përjashtoni çështjet e besimit ose bagazhet e brendshme emocionale, që duhet të zgjidhen, përpara se të filloni të ndryshoni mjedisin ose njerëzit përreth jush.
Në shumë raste, ka pak punë të brendshme, që mund të bëni, që do t’ju ndihmojë të bëni lëvizjen e ardhshme me besim. Gjeni shkakun kryesor përpara se të veproni.
Hapi 3: Jini të sigurt dhe të patrembur
Nëse e analizoni situatën dhe arrini në përfundimin se puna, kolegët ose organizata, nuk janë të përshtatshëm me ju, veproni me besim dhe siguri.
Mund të tundoheni të përshtateni me grupin – edhe kur nuk është i duhuri për ju. Rezistojini atij tundimi.
Nëse e kuptoni se duhet të vazhdoni përpara, jini të emocionuar, të patrembur dhe të qartë se kjo nuk ka të bëjë fare me vlerën tuaj. Është vetëm koha për të kaluar në një mundësi, që ju përshtatet më shumë.
Ose, mund të kuptoni se jeni vërtet në vendin e duhur dhe thjesht duhet të jeni më proaktiv, në lidhje me krijimin e mundësive, që i përshtaten personalitetit dhe pikave tuaja të forta. Sido që të jetë, ndiqni hapin tjetër.
Hapi 4: Krijoni një plan
Nëse është për të kërkuar mundësi të reja, ose për të rimenduar qasjen ndaj punës ekzistuese, është koha për të ndërmarrë veprime. Ndërsa zhvilloni dhe zbatoni planin, vazhdoni të mbani shënim çdo gjë në lidhje me performancën.
Bota e biznesit (më në fund!), po përqafon kërkimin e vendeve të punës dhe kompanitë e mëdha duan, që punonjësit të jenë proaktivë me karrierën dhe performancën e tyre.
Të jesh i suksesshëm, nuk do të thotë të presësh, që diçka të ndodhë – ka të bëjë me ndërmarrjen e hapave, që ju nevojiten për të ecur përpara.
Ju duhet të përpiqeni dhe të kërkoni vazhdimisht projekte, mundësi dhe punë, që janë të përshtatshme për atë që jeni.
Pasi të ndiheni të kënaqur me hapat e mësipërm, do të shihni se të qenët i lumtur në punë, nuk është diçka që duhet t’i lihet fatit.
Duhet të ndërmerrni veprime strategjike. Së shpejti, ndjenja e pakënaqësisë do të jetë diçka për të cilën po i kushtoni vëmendje dhe po punoni për ta ndryshuar, jo diçka që thjesht e pranoni dhe e duroni. / Inc