Industria e filmit shqiptar, këtë vjeshtë po vuan “izolimin” e dytë, për shkak të mbylljes së kinemave dhe mbajtjes online të festivaleve botërore, si Kana, Venecia dhe Berlini. Regjisorë, producentë dhe drejtues të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë tregojnë se prej qershorit janë prodhuar 16 filma, por shitja e tyre është e paralizuar dhe bashkëprodhimet janë të parealizueshme. Përfaqësuesit e kinematografisë kërkojnë mbështetjen e shtetit për kapërcimin e situatës
Dorina Azo
Pas tre muaj mbyllje të prodhimit, me nisjen e verës, kinematografia shqiptare u shfaq “e etur” për rinisjen e xhirimit të filmave. Qendra Kinematografike Shqiptare thotë se pas karantinës u prodhuan 16 filma. Xhirimet e një filmi kërkojnë pjesëmarrje të një numri të madh personash, si: aktorë, kineastë, grimierë, stilistë, dekorues skenash, kameramanë, përgjegjës audio, të cilët duhet të punojnë së bashku në mënyrë të përsosur për realizimin e projektit. Në realitetin e ri të COVID-19, xhirimet e skenave në afërsi të njëri-tjetrit dhe me vendosjen e maskës nga aktorët pas përfundimit të çdo skene, u bënë edhe më të vështira.
Katër ekspertë të industrisë tregojnë se si këto ekipe u përshtatën për të kapërcyer këtë sfidë të prodhimit të filmit. Por, aktualisht, shqetësim më i madh për ta është mungesa e premierave në sallat e boshatisura të kinemasë dhe të prezantimeve në tregjet botërore të filmit, si Kana, Venecia apo Berlini që do të mbahen online. Mosfunksionimi i zinxhirit të shfaqjes së filmit në tregun ndërkombëtar, për përfaqësuesit e industrisë, konsiderohet një tjetër “izolim” i kinematografisë shqiptare, e cila pritet të përkeqësohet edhe më shumë në stinën e dimrit.
Arben Lami, drejtor i projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) thotë se prodhimi i filmit, e rinisi punën në muajin qershor. Kontratat për financim përcaktonin përgjegjës për zbatimin e masave COVID-19 producentin e shtëpisë kinematografike.
“Në karantinë, për shkak të ndalimit të lëvizjeve, realizimi i projekteve kinematografike u shty për tre muaj. Pas kësaj periudhe, puna për projektet e nënshkruara, vijoi normalisht. Te kontratat për financimin e filmave u përcaktua se përgjegjës për zbatimin e masave COVID-19 gjatë xhirimeve, është producenti dhe shtëpia kinematografike.
Xhirimet janë kryer në përputhje me rregullat e pandemisë, që nga përdorimi i maskës për stafin, matja e temperaturës deri te ruajtja e distancimit social. Më tepër vështirësi janë hasur për xhirimet e skenave në ambiente të mbyllura, por deri tani asnjë aktor nuk rezulton të jetë i prekur me COVID-19. Është treguar kujdes maksimal”.
Për drejtorin e “Balkan Film Market”, Andamion Murataj, nga e thëna në të bërë e filmit në këto kushte, vështirësitë janë të shumta. “Edhe në Shqipëri, si kudo në botë, janë realizuar projekte që nuk janë indiferente ndaj pandemisë, por përvijimi i tyre nuk është i lehtë. Me gjithë përpjekjet e bëra dhe riskun e marrë përsipër nga artistët është groteske të imagjinosh një shesh xhirimi me maska, ku aktorëve për arsye sigurie, do t’u duhet të heqin e të vendosin maskat pas çdo dialogu dhe skene”.
Regjisori Florenc Papas shprehet se pandemia nuk është bërë tërësisht pengesë për xhirimin e filmit. Përjashtim është bërë me rastet kur aktori kryesor ka shfaqur frikë për kryerjen e xhirimeve dhe për shkak të pamundësisë për ta zëvendësuar është shtyrë realizimi i projektit. “Xhirimet e filmave shqiptarë po vijojnë rregullisht që nga muaji qershor. Çdo produksion po respekton në mënyrë të rreptë protokollet e COVID-19, siç janë mbajtja e maskave dhe dorezave.
Distancimi social është i pamundur të ndodhë gjatë xhirimit të një filmi, pasi ekipi duhet hera-herës të ketë kontakte fizike apo të qëndrojnë shumë afër. Këtu përjashtojmë xhirimet masive me plot figurantë, skena të cilat për momentin nuk janë të munduara të realizohen. Pengesat kanë ndodhur vetëm atëherë kur ndonjë aktor kyç i paravendosur në një film ka anuluar punën për shkak të COVID-19, pasi jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj ndaj pandemisë. Disa respektojnë në mënyre rigoroze rregullat, të tjerë janë më pak skeptikë. Personalisht nuk kam qenë i prekur në shtyrjen e një prodhimi, pasi jam në fazën e zhvillimit të një skenari, që mund ta punoj në shtëpi”.
Drejtori i Prodhimit në QKK thotë se pas karantinës, pavarësisht vështirësive në zbatimin e protokolleve të sigurisë, janë prodhuar 16 filma dhe do të nisin xhirimet për dy të tjerë. “Pas muajit maj, janë xhiruar 13 filma të studentëve të diplomuar në Universitetin e Akademisë së Arteve, për të cilët një pjesë e projektit financohet nga Qendra Kinematografike Kombëtare.
Përveç filmave të diplomatëve, xhirimet kanë përfunduar edhe për tre të tjerë dhe dy dokumentarë. Në muajin tetor nisin xhirimet për një film të gjatë dhe në nëntor pritet të nisë realizimi i filmit të gjatë me regjisorin Fatmir Koçi”, nënvizon zoti Lami.
Si po ndikon shfaqja online e filmit?
Nëse një film po arrin të xhirohet edhe në kushtet e pandemisë “shitja” e tij ka mbetur e paralizuar. Sipas producentit Dritan Huqi, nga shtëpia kinematografike “Onfilm Production”, industria po vuan mungesën e shpërndarjes së produktit, për shkak të mbylljes së kinemave dhe mbajtjes online të festivaleve botërore. “Nga pandemia është prekur zemra e sistemit të kinematografisë, siç janë: fansat e kinemasë, workshop-et, forumet, festivalet. Shumë aktivitete janë pezulluar, të tjerat po mbahen online, por kjo e bën të pamundur vendosjen e kontakteve për realizimin e projekteve.
Në të gjithë Europën, sallat e kinemave janë të paralizuara. Kjo po ndodh edhe te ne. Hallka më e rëndësishme e shpërndarjes të filmit, ende është e mbyllur edhe në Shqipëri dhe nuk dihet se kur do të hapet. Pak javë më parë isha pjesëmarrës në festivalin për producentët e rajonit që u mbajt online në Sarajevë. Por takimet në zoom janë ndryshe nga kontaktet e drejtpërdrejta, të cilat janë jetike për vendosjen bashkëpunimit në industrinë tonë”.
Producenti Huqi shpjegon se aktualisht, kinematografia shqiptare nuk po e vuan mungesën e fondeve të dhëna nga QKK, por mosfunksionimin e një rrjeti më të gjerë i cili po pengon realizimin e projekteve. “Në vendet partnere, me të cilat bashkëpunojmë, buxheti për filmat është reduktuar. Bashkëprodhimet me Shqipërinë nuk janë më prioritet, pasi parësore janë projektet vendase. Kriza nga pandemia ka tkurrur interesin e televizioneve shqiptare, për produkte kinematografike, pasi edhe ata po përballen me vështirësi në marketing. Nga kriza e COVID-19 është prekur i gjithë zinxhiri i kinematografisë”.
Zoti Lami nga QKK thotë se vështirësitë te bashkëprodhimi janë edhe për shkak të ndalimit të lëvizjeve me jashtë. “Është e pamundur që të bëhet 14 ditë karantinë kur xhirimet e një filmi zgjasin 6 javë. Për shkak të këtij rregulli, më i prekur është bashkëprodhimi i filmit me një shtet tjetër.”
Nga pandemia, këtë vit edhe “Balkan Film Market” është i detyruar që shumë takime apo workshope t’i kryejë online. Drejtuesi i kësaj nisme, Andamion Murataj, nënvizon se mbajtja në distancë e festivaleve ka prekur bashkëpunimin që konsiderohet esenca e kinematografisë.
“Filmi është art kolektiv që shijohet në grup, në salla kinemaje dhe mbyllja e tyre po influencon negativisht te kjo industri. Situata është e ngjashme në të gjithë botën, por ajo që ndryshon me Shqipërinë dhe vendet përreth është mbështetja që institucionet kanë dhënë për ‘punonjësit e kinemasë’. Një pjesë e marketeve dhe festivaleve, duke nisur nga muaji prill, janë përpjekur të përshtaten online, ose duke u mbajtur me numër të kufizuar individësh. Pjesëmarrja fizike në Festivalin e Kanës u anulua dhe pritet të mbahet online.
Vendim i njëjtë është marrë edhe për evente të tjera. Festivali i Venecias u zhvillua me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Për kineastët shqiptarë, kufizimet e lëvizjeve kanë vështirësuar edhe më tepër situatën. Me ardhjen e dimrit, klima pritet të përkeqësohet. E vërteta është që për momentin, arti kinematografik mbetet i intubuar, duke pritur ditë më të mira”.
Mungesën e audiencës në festivalet botërore, regjisori Florenc Papas e quan disfatën më të madhe për artin e kinematografisë. “Mosrealizimi i festivaleve të filmit në mbarë botën krijoi mungesën e audiencës dhe të shfaqjes së filmave në ekranin e madh. Ndaloi tregtimin e filmit dhe takimet e shumta të producentëve në këto vende kyçe të industrisë kinematografike.
Kur flasim për Kanën apo Berlinin, kemi të bëjmë me qindra mijë vizitorë e shikues. Nuk mendoj se prezantimet e filmave online janë efikase, ndryshe një produksion nuk do të zgjidhte një festival, por shumë lehtë mund ta përfshinte direkt filmin në një platformë online. Nuk jam kundër kësaj mënyre prezantimi, por duhet të bëhet pas shfaqjes së filmit në kinema”.
Gjatë stinës së verës, në shumë qytete të Shqipërisë, janë mbajtur festivalet e filmit në ambiente të hapura, si: Festivali i të Drejtave të Njeriut; Balkan Film and Food në Pogradec; Tirana International Film Festival (TIFF); Open Cinema, ku u shfaqën filma shqiptarë në qytete të ndryshme të vendit. Drejtuesi i Qendrës Kombëtare Kinematografike pohon se pjesëmarrja ishte e lartë, pasi qytetarët ishin të interesuar t’i ndiqnin këto evente. Pavarësisht mbajtjes së festivaleve shqiptare të filmit, edhe z. Lami mendon se prezantimet e filmit online në koncertet botërore me jetëgjatësi 50-vjeçare vështirësuan marketimin.
“Këtë vit, për shkak të pandemisë, është vështirësuar pjesëmarrja e regjisorëve dhe aktorëve shqiptarë në koncertet ndërkombëtare, si Kana apo Venecia, që do të mbahen online. Çdo vit në Romë zhvillohet një projekt me shfaqjen e filmave shqiptarë dhe të vendeve të tjera Ballkanit. Këtë vit, për shkak të pandemisë, përshëndetja e pjesëmarrësve për këtë event u zhvillua online. Kjo lloj pjesëmarrje nuk është e njëjtë si të jesh fizikisht, por këto procedura po zbatohen nga festivalet më të mëdha botërore, të cilat mbeten të pashmangshme edhe për ne”.
Buxheti për kinematografinë
Me fondet e buxhetit të shtetit, nëpërmjet Qendrës Kombëtare Kinematografike, financohet 60-70% e kostos të realizimit të filmit. “Mesatarisht për një film të realizuar nga një regjisor karriere financimi i projektit nga QKK është në vlerat e 28-30 milionë lekëve. Në Europë, buxheti për filmin është më i lartë. Kostoja për xhirimin e një filmi me metrazh të gjatë është më tepër se vlera e financuar, por asnjë projekt shqiptar nuk realizohet pa bashkëpunim me kompani të huaj”, thotë zoti Lami, teksa shpjegon se një formë tjetër financimi për bashkëprodhimin e filmit është edhe nga Eurimagines.
“Për të aplikuar në këtë institucion është e domosdoshme të ketë edhe një bashkëprodhues të filmit, që mund të jetë kompani: maqedonase, italiane, greke, kroate etj., që duhet të jetë anëtar i Eurimagines. (Bashkëpunimi me Kosovën në këtë rast nuk është i vlefshëm, pasi nuk është anëtare e këtij institucioni.) Për aplikuesit që shpallen fitues përfitojnë 17% të buxhetit të përfituar nga QKK.
Rritja e buxhetit për kinematografinë do të shtonte mundësinë për përfshirjen e sa më shumë autorëve në prodhimin e filmave, por jo cilësinë e tyre sipas regjisorit Florenc Papas. “Nuk është e thënë që sa më shumë filma një shtet të prodhojë, aq më shumë cilësi do të ketë, pasi një pjesë e tyre nuk arrijnë të kenë sukses. Avantazhi i rritjes së prodhimit është te punësimi, pasi të ardhurat e ekipeve realizuese të filmave bazohen te numri i projekteve. Ne nuk arrijmë të prodhojmë dot as 10 filma të gjatë në vit. Kurrë nuk do të kemi industri të mirëfilltë, nëse nuk rritet prodhimi”.
Sipas producentit Murataj, disa shoqëri e shohin artin si nevojë esenciale, ndërsa të tjera si luks. Kjo ndasi ndikon te mbështetja e shtetit për artin e kinematografisë. “Pozicionimi i shtetit ndaj artit reflektohet në cilësinë dhe mbështetjen në vazhdimësi, për artin kombëtar, që pavarësisht përgjegjësive të Shqipërisë ndaj kulturës kombëtare, lë shumë për të dëshiruar.
Kur në kulmin e luftës, Çurçillit iu sugjerua që të shkurtohen fondet e artit për t’i kaluar ushtrisë, përgjigjja e tij ishte: ‘Po atëherë, përse po luftojmë?’ Për këtë arsye, vende si Franca dhe Italia e kanë rritur shumëfish mbështetjen për punonjësit e kinemasë. Madje edhe në Greqi pati efekt të madh lëvizja masive “suport art workers”. Shpresojmë që nisma të tilla në mbështetje të artit të gjejnë zbatim edhe në Shqipëri.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.