Lajme të mira! Turistët janë gjithnjë e më të të vetëdijshëm për mjedisin.
Sipas Sustainable Travel Report, i publikuar në pranverë, me rastin e Ditës së Tokës, nga Booking.com, më shumë se gjysma – 55% – e turistëve që morën pjesë në sondazh thanë se favorizojnë destinacionet “eco friendly”.
Studimi gjeti se 72% e udhëtarëve e vlerësojnë të nevojshme marrjen e vendimeve në destinacione eko të qëndrueshme, jo vetëm për të shpëtuar planetin, por edhe për ta ruajtur për brezat e ardhshëm. Më të bindurit në këto pohime ishin të intervistuarit e moshës 46 – 55 vjeç (74%), ndjekur nga millennials (71%).
Lexoni më poshtë se cilat janë disa prej destinacioneve eko të qëndrueshme në botë..
Katalonja, Spanjë
Ky është rajoni i parë në botë që ka marrë certifikatën Biosphere Responsible Tourism , një program i mbështetur nga Global Sustainable Tourism Council dhe UNESCO, i cili njeh marrëdhëniet simbiotike midis njerëzve dhe natyrës. Një udhëtim në Katalonja është i thjeshtë – mjaft të kërkoni aktivitetet (e shumta) tregtare, të cilat shquhen për produkte dhe shërbime ekologjike me cilësi të lartë, si për shembull vizita në minierat e vjetra për nxjerrjen e qymyrit apo kripës, të shndërruara sot në qendra kulturore eko të qëndrueshme.
Kosta Rika
Objektivi i vitit 2021 – të bëhet një ndër destinacionet e para në botë pa emetime dioksidi karboni. Kjo është ajo çfarë ka bërë Kosta Rika, një vend, i cili vitet e fundit, falë edhe përpjekjeve të ish-presidentit Luis Guillermo Solís (i emëruar nga Kombet e Bashkuara, Ambasador i Posaçëm i World Tourism Organization), ka punuar shumë për të përmbushur thuajse të gjithë kërkesën për energji elektrike nga burime të rinovueshme.
Kopenhagën, Danimarkë
Kufizimi i automjeteve personale, rritja e infrastrukturave për biçikleta dhe rritja e hapësirave të gjelbra – këto janë tre parimet kryesore të administratës së Bashkisë së Kopenhagën. Kryeqyteti i Danimarkës, është për të tretin vit me radhë, në vend të parë të Copenhagenize Index i cili analizon çdo vit se cilat janë qytetet më të mira për të lëvizur me biçikletë (dhe jo rastësisht, indeksi ka marrë emrin e qytetit danez). Një kuriozitet – a e dini se në Kopenhagën ka më shumë biçikleta se njerëz?
Rottnest Island, Australi
Një parajsë natyrore, rreth 20 kilometra larg bregdetit perëndimor. Rottnest Island është vendi ideal për ata që pëlqejnë notin, të bëjnë sërf apo zhytje. Në ujërat e tij të kristalta ju mund të shihni më shumë se 100 specie peshqish tropikalë dhe relikte anijesh. Ishulli i ka kushtuar rëndësi respektimit të mjedisit – këtu nuk lejohet përdorimi i automjeteve vetjake. Ju mund të lëvizni më këmbë, me biçikletë apo me autobusë të vegjël të zonës.
Zvicra
Sipas një studimi të kryer në vitin 2018 nga Enviromental Performance Index të Universitetit të Yale, Zvicra është vendi më i gjelbër në botë. Raporti, i cili publikohet çdo dy vjet, analizon disa parametra, ndër të cilët, angazhimi ekologjik i një vendi, politikat e qëndrueshmërisë në afat të gjatë, mbrojtja e biodiversitetit.
Sardenja, Itali
Sardenja është destinacioni i parë i qëndrueshëm në Europë për turizmin dhe mjedisin. Komisioni Europian i ka dhënë certifikatë në vitin 2016, mbështetur në disa kritere. Ndër to – praktikat më të mira për qëndrueshmërinë në drejtim të ruajtjes së mjedisit, komunitetit dhe identitetit të saj.
Islanda
Vështirë të mos e cilësosh “destinacion green” Islandën. Ishulli i virgjër, toka e vullkaneve është një ndër vendet eko të qëndrueshme në botë. Nga vitet ‘80 Islanda mbështetet ekskluzivisht vetëm tek energjitë e rinovueshme, fabrikat e vjetra dhe impiantet janë braktisur dhe sot janë shndërruar në qendra kulturore.
Zelanda e Re
Jetojeni nga afër kulturën e vendit, hani produkte lokale, flini në fermat e fshatarëve dhe në fund të vizitës suaj blini një bimë dhe mbilleni në vend. Turizmi eko i qëndrueshëm “made nga Zelanda e Re”, i adoptuar nga disa tour operatorë lokalë, ka si qëllim njohjen e kulturës maore nga ana e turistëve, dhe në të njëjtën kohë, ruajtjen e traditave dhe mjedisit, për ta bërë vendin gjithnjë e më të gjelbër.
Ishujt Galapagos, Ekuador
Mbretëria e biodiversittit, një arkipelag ishujsh, larg nga bota e civilizuar, ku protagonistë janë kafshët. Ishujt Galapagos janë një nga ato destinacione që duhet t’i vizitoni një herë në jetë. Shumë struktura lokale kanë marrë masa ekologjike, shumë përdorin sistemin e riciklimit dhe pastrimit të ujit të shiut, të tjera ndërtojnë mure me gur vullkanikë, të mbledhur në zona ku është e lejueshme; të tjera kanë miratuar programe për ripyllëzimin.
Austria
Kur mendojmë Austrinë, na vijnë menjëherë ndër mend Vjena (e cila është thuajse gjithnjë në podium, në klasifikimin e vendeve me nivelin më të lartë të jetesës) dhe Salsburgu, por zemra e gjelbër e Europës ka disa thesare që kanë adaptuar filozofi turistike eko të qëndrueshme vërtet interesante – në Werfenweng, Weissensee e Ramsau, për të shtyrë turistët që të lënë në shtëpi makinat – mund të shfrytëzohen falas shërbimet e transportit si dhe të rezervojnë në hotele që përdorin sisteme ngrohjeje ekologjike.
Korsikë, Francë
Korsika është një destinacion fantastik për të gjithë të pasionuarit e aktiviteteve outdoor. Ishulli francez ofron itinerare të mrekullueshme për të zbuluar faunën e rrallë dhe florën që numëron më shumë se 2 mijë specie bimore. Shtigje të vjetra, vende ku duket sikur koha ka ndalur, për ekspertë dhe fillestarë, në pyjet e Parkut Rajonal Natyror të Korsikës, me familjen apo miqtë, ishulli është një nga ato destinacione që duhet t’i vizitoni një herë në jetë.
Amsterdam, Holandë
Thuajse 90% e popullsisë që jeton në Amsterdam shkon çdo ditë në punë apo në shkollë me biçikletë. Kultura e përdorimit të biçikletës në qytet dhe respekti për mjedisin janë dy parime të rrënjosura thellë në mentalitetin holandez për dekada me radhë. Në vitet e fundit, administrata lokale ka rritur ndjeshëm rrugët për çiklistët, si në qendër të qytetit edhe në periferi të tij, për një total prej 400 kilometrash për t’u përshkuar mbi dy rrota.
Bahamas
Plazhe si në ëndërr, det i kristaltë dhe diell gjatë gjithë vitit – Bahamas është një parajsë në Tokë, ose më mirë në mes të detit. Për disa ditë pushimesh në kërkim të eko-qëndrueshmërisë zgjidhni me kujdes strukturat se ku do të qëndroni dhe do të hani: Kalamame Cayon Andros Islands ju propozon disa pjata me bazë peshk-luan, një specie që ushqehet me peshq indigjenë dhe rrezikon të shkatërrojë ekosistemin lokal; hoteli The Other Side furnizohet me energji diellore; Tiamo Resort përdor vetëm produkte të certifikuara dhe punëson personel të zgjedhur nga banorët e zonës, për të mbështetur komunitetin lokal.
Dolomitet, Itali
Kalimi i pushimeve në mal, në Dolomite është një zgjedhje për gjithnjë e më shumë familje italiane. Arsyet janë të thjeshta: peizazhe që të lënë pa frymë, një zonë e pastër dhe aktivitete të shumta për fëmijë dhe adoleshentë. Në krahinën e Belluno, rreth dy vjet më parë u përurua Ally Farm Summer, një park lojërash 4000 metra katrorë, i zhytur në natyrë dhe i realizuar tërësisht me materiale miqësore ndaj mjedisit.
Kolumbia
Në Amerikën e Jugut, një nga destinacionet e pëlqyera nga turistët në të gjithë botën, është Kolumbia. Vendi, falë politikave inovative (dhe serialit të famshëm “Narcos”) është thuajse gjithnjë në vendet e para të klasifikimeve për turizëm. Që të ndieni shpirtin “green” të saj ju këshillojmë të rezervoni në hostelet vendase dhe jo në rrjetet e hoteleve, të bëni ekskursione në xhungël duke ndjekur ritmet e ngadalta Rio të Amazonës apo të bëni paragliding në Ande, duke ndihmuar dhe duke mbështetur popullsinë lokale.
Hydra, Greqi
Mirë se vini në Hydra. Ishulli në detin Egje është një nga destinacionet më të mira green në botë. Plazhe të virgjëra, site arkeologjike të ruajtura mirë, kuzhinë e pasur. Makinat janë të ndaluara në ishull. Nëse shkoni në Hydra, duket të përgatiteni se do të përshkoni kilometra të tëra më këmbë, ose siç ndodhte një herë e një kohë, mbi një gomar.
Vankuver, Kanada
Është qyteti i tretë më i populluar në Kanada, i cili ka ndërmarrë një sërë politikash green. Për shkak të këtyre politikave, më shumë se gjysma e popullsisë kanë braktisur automjetet private në favor të mjeteve publike dhe biçikletave. Në vitin 2015, në Vankuver njoftuan se duan, brenda vitit 2050, të përdorin energjitë e rinovueshme. Objektivi është arritur pjesërisht që tani. Trafiku është reduktuar ndjeshëm dhe sistemet e ngrohjes dhe transporti publik funksionojnë pa përdorimin e karburanteve fosile.
Sllovenia
Në vitin 2016, Lubjana u vlerësua kryeqyteti i gjelbër i Europës, falë masave të ndërmarra nga administrata e qytetit në mbrojtje të mjedisit dhe qëndrueshmërisë, si për shembull rritja e zonave për këmbësorët në qendrën e qytetit, hapësira të reja të gjelbra, më shumë shërbime bike sharing dhe rritja e mjeteve ekologjike. Por e gjithë Sllovenia është një thesar parqesh (numërohen më shumë se 40 të tilla), me zona natyrore të mbrojtura, me liqene dhe lumenj të paprekur, falë të cilave ka fituar çmimin Destinacion Green.