Në Shqipëri, të bësh “orakullin” mbi ndikimin që do të ketë turizmi këtë vit (apo edhe në një të ardhme jo shumë të largët) në ekonomi është një mision pothuajse i pamundur, për shkak të mungesës së shifrave në lidhje me të ardhurat që qarkullon ky sektor. Për të mbushur sadopak “hendekun”, në ndihmë vijnë të dhënat që ofron Këshilli Botëror i Turizmit (WTT), ku mes 181 vendeve analizon edhe Shqipërinë. Për vitin 2012, parashikimi që bazohet në një metodë të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara tregon se kontributi direkt i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm të Shqipërisë do të rritet me 5.6%, ndërsa eksporti i vizitorëve me rreth 5%. Të gjithë këta tregues në vitet e ardhshëm do të vijnë në ulje.
Autoritetet shqiptare të turizmit, për këtë sektor ofrojnë vetëm të dhënat për numrin e vizitorëve, i cili, deri në korrik të këtij viti, vlerësohet të jetë rritur me rreth 170,000 ose ndryshe me rreth 20%. Nga këta, rreth 56% janë me net-qëndrimi krahasuar me 54% që ishte kjo shifër një vit më parë. Kjo e dhënë tregon se është rritur numri i vizitorëve që shfrytëzon minimalisht për një natë njësitë akomoduese në Shqipëri.
Kontributin më të madh në numrin e vizitorëve vazhdojnë ta japin shtetasit kosovarë, ata maqedonas dhe më pak europianët. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, shtetasit kosovarë që kanë vizituar Shqipërinë deri në muajin korrik numërohen në rreth 450,000, maqedonasit rreth 210,000. Natyrisht që periudha korrik-gusht përbën edhe kohën kur rritet më shumë numri i vizitorëve, duke pasur parasysh faktin se në përllogaritje hyjnë edhe emigrantët shqiptarë që vijnë për të takuar familjet, por edhe për të pushuar.
Jashtë këtij sezoni (janar-qershor), sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, rritje ka shënuar edhe numri i turistëve të huaj që llogaritet nga 6-41%, ku përqindjen më të lartë e kanë shënuar turistët nga Zvicra, por edhe ata nga Polonia (21%), Gjermania (9%). Për muajin korrik, numri i vizitorëve nga Greqia të ardhur në vendin tonë u llogarit në rreth 22,000, ndërsa nga Italia në rreth 17,000.
Ministria shpreson në rritjen edhe më të madhe të numrit të pushuesve, duke qenë se vihet re shtrirje e sezonit të plazhit edhe në muajin gusht.
Përpos këtyre shifrave nga ana e ministrisë është e vështirë që të artikulohen statistika për të ardhurat që mund të jenë gjeneruar deri tani apo do të gjenerohen deri në fund të vitit.
Për të plotësuar panoramën, asaj i vijnë në ndihmë institucionet ndërkombëtare, që pavarësisht se tregojnë potencialet që ka vendi, nuk arrijnë dot të bëjnë dallimin se sa realisht shfrytëzohen.
Megjithatë ajo që pranohet edhe nga hartuesit ose orientuesit e politikave të turizmit është fakti se jemi në hapat e parë të asaj që mund të quhet industria shqiptare e turizmit dhe kjo për shumë arsye. Më e rëndësishmja ka të bëjë me informalitetin e lartë që ekziston në sektorin e akomodimit. Nga zyrat e shërbimit turistik në vend, ministria ka si të dhënë se numërohen rreth 607 hotele, ku pjesa më e madhe kanë kapacitet deri në 20 dhoma. Në Shqipëri ende nuk dihet se sa është numri real i hoteleve, kjo për arsye se në QKR nuk bëhet përcaktimi që aktiviteti është hotelier, nga ana tjetër ka njerëz që nga turizmi krijojnë të ardhura sezonale dhe i shmangen detyrimeve. Për të mos folur për pjesën tjetër, njësitë akomoduese familjare që kryejnë aktivitete tërësisht informale, jashtë çdo detyrimi për të paguar taksat dhe tatimet. Turizmi në Shqipëri njeh edhe një tjetër ngërç, atë të mungesës së markave të mëdha hoteliere, që do t’i jepnin frymëmarrje tjetër jo vetëm sektorit, por do të ndihmonin në përmirësimin e shërbimit dhe të imazhit.
E në këto kushte, duket se problemet për turizmin shqiptar do të vazhdojnë të ekzistojnë gjatë, me apo pa krizë financiare apo ekonomike.
WTT, Shqipëria me shifra më modeste
Këshilli Botëror i Turizmit ka vlerësuar se për vitin 2011 kontributi direkt i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në 81.4 miliardë lekë (6.2% e PBB-së), ndërsa sipas parashikimeve për vitin 2012, kjo shifër do të rritet me 5.6% për të arritur në rreth 86 miliardë lekë. Këto shifra reflektojnë aktivitetin ekonomik të gjeneruar nga industria, si hotelet, agjencitë e udhëtimit, kompanitë ajrore, shërbimet e tjera të transportit të pasagjerëve, restorantet apo edhe të argëtimit, që mbështesin këtë industri. Deri në vitin 2022, kontributi direkt i turizmit dhe udhëtimeve ndaj PBB-së do të rritet me 5.4% në vit për të arritur vlerën 145.4 miliardë lekë (7% e PBB-së).
Ndërsa kontributi në total i turizmit shqiptar ndaj PBB-së për vitin 2011 arriti në rreth 288 miliardë lekë ( rreth 22% e PBB-së, ndërsa parashikohet që për vitin 2012 të rritet me 5.1% për të arritur në rreth 302 miliardë lekë ( 22% e PBB-së).
Deri në vitin 2022 rritja e kontributit total të turizmit në ekonomi parashikohet të jetë 5.1% në vit, për të arritur në vlerën 505 miliardë lekë (ose 24.2% e PBB-së).
Kurba e rritjes është disi më modeste kur bëhet fjalë për punësimin. Në vitin 2011, sipas të dhënave të WTT-së, turizmi gjeneroi në mënyrë direkte 51,000 vende pune (5.5% të totalit të të punësuarve). Për vitin 2012, parashikimi është që ky segment të rritet me 4.3%, duke arritur në 53,500 të punësuar (5.6% të totalit). Në terma më të gjatë kohorë, ritmi i rritjes vjetore së punësimit direkt në turizëm parashikohet të ngadalësohet ndjeshëm, në 2.7%. në vitin 2020 do të ketë 70 mijë të punësuar më turizëm (6.5% të punësimit total).
Kontributi në total i turizmit në punësim (ku përfshihen faktorë të tërthortë si investimet apo shërbimet) parashikohet të rritet me 3.7% në vitin 2012, duke e çuar numrin e vendeve të punës në 190,000.
Një tjetër element kyç, mbi të cilin WTT ka bërë kërkime dhe ka analizuar treguesit është eksporti i vizitorëve, që për vitin 2012 parashikohet të arrijnë në 2.7 milionë vizitorë, me rritje rreth 5%. Deri në vitin 2022, kjo shifër do të arrijë në rreth 3.7 milionë turistë. Po në këtë vit, eksporti i turistëve pritet që të gjenerojë në total të ardhura në 322 miliardë lekë ose rreth 5.3% më shumë.
Sa i përket tërheqjes së investimeve kapitale nga kontributi i industrisë së turizmit dhe udhëtimeve për vitin 2011 vlera në total u llogarit në 21 miliardë lekë, ndërsa parashikohet që kjo shifër të rritet me 7.5% për 2012-n. Deri në vitin 2022 tërheqja e investimeve kapitale do të rritet me 4.6% në vit.
Përqindja e investimeve të sektorit të turizmit dhe udhëtimit ndaj totalit të investimeve kombëtare do të rritet nga 4.9% në vitin 2012 në 5% në vitin 2022.
Duke u ndalur në mënyrë pak më të detajuar te natyra e udhëtimeve turistike në Shqipëri, raporti tregon se pjesa më e madhe (75%) kanë natyrë të lirë, ndërsa pjesa tjetër kanë si qëllim biznesin. Për vitin 2012, udhëtimet me karakter të lirë parashikohet që të pësojnë rritje me 4.4%, ndërsa ato për qëllime biznesi me rreth 10%.
Por, janë pikërisht shpenzimet e turistëve të huaj ato që japin kontributin më të madh, direkt në turizëm, duke përbërë rreth 82% të “tortës” totale të shpenzimeve. Ky segment pritet të rritet me 5% për vitin 2012, ndërsa shpenzimet e brendshme turistike me 9.4%. Në strukturën totale të turizmit, vihet re se faktorët indirektë janë ata që zënë më shumë përqindje, madje raporti vë re se kontributi total i turizmit në PBB është katër herë më i madh se ai direkt.
Po çfarë ndodh në raport me vendet e tjera, si renditet Shqipëria? Të dhënat e WTT-së tregojnë se Shqipëria renditet në vendin e 103-të (nga 181 në total) sa i përket kontributit direkt të turizmit në PBB dhe në vendin e 95-të sa i përket kontributit total. Për ndikimin direkt të turizmit në punësimit, Shqipëria renditet në vendin e 107 dhe në të 94-tin, për kontributin në total. Nuk ofron entuziazëm as renditja në lidhje me investimet kapitale (vendi i 111), ndërsa disi më mirë renditemi për eksportin e turistëve (vendi 74-të).
Sa i përket ritmit të rritjes së elementëve kryesorë që vlerësohen në raportin WTT për vitin 2012 (kontributi në PBB, punësimi, investimet etj.) bie në sy parashikimi optimist për Malin e Zi.
Vendi fqinj renditet i pari për sa i përket rritjes që parashikohet për kontributin direkt të turizmit në PBB-në e vendit (16.8%) dhe ndaj totalit (15%). Vendi i parë mbahet edhe për punësimin. Shqipëria e ka lënë pas Malin e Zi në renditje sa i përket parashikimit të rritjes së investimeve për vitin 2012, ku pozicionohemi në vendin e 48.
Turizmi në botë, rritja 2-3%
Turizmi dhe udhëtimet vazhdojnë të jenë një nga industritë më të mëdha, kontributi i të cilit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror për vitin 2011 u llogarit në 9% ose më shumë se 6 trilionë dollarë me 255 milionë vende pune.
Në 10 vitet e ardhshme kjo industri parashikohet të rritet mesatarisht me një normë vjetore 4%, duke zënë 10% të totalit të PBB-së në rang botëror ose rreth 10 trilionë dollarë. Deri në vitin 2022, kjo industri do të punësojë 328 milionë njerëz ose ndryshe 1 në 10 persona do të punojë në turizëm.
2011-a u cilësua si një nga vitet më sfiduese për industrinë botërore të turizmit.
Kërkimet e fundit tregojnë se, pavarësisht klimës politike dhe pasigurive ekonomike, kontributi direkt i turizmit në PBB-në botërore për vitin 2012 do të jetë në masën 3% ose me rreth
2 trilionë dollarë. Gjatë këtij viti do të krijohen në total
1.2 milionë vende të reja pune, ndërsa eksporti i vizitorëve do të rritet me 3.5. Kjo rritje do të mbështetet kryesisht nga rritja e eksportit të vizitorëve dhe investimet kapitale. Ndër tregjet që do të ndihmojnë në rritjen e turizmit do të jenë edhe ato në zhvillim. Në Europë, raporti vë re se konsumatorët do të vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm me shpenzimet, për shkak të masave të forta shtrënguese që janë marrë në disa vende të këtij kontinenti. Këshilli Botëror i Turizmit, nga analizat e tij, vë re se gjatë 20 viteve të fundit, rrallë janë reflektuar shifra të tilla nga turizmi, duke sugjeruar se nxitja dhe zhvillimi i kësaj industrie është tepër e rëndësishme për ekonominë botërore.
Këshilli Botëror i Turizmit (WTT) prej rreth 10 vitesh realizon kërkime mbi ndikimin që ka industria e turizmit në ekonominë botërore në përgjithësi, por edhe në vende të veçanta, veçanërisht në kontributin ndaj PBB-së dhe gjenerimit të vendeve të punës. Me anë të këtyre shifrave, ky këshill synon që t’i shërbejë qeverive të ndryshme apo kompanive private që të planifikojnë të ardhmen. Në raportin e vitit 2012 janë marrë në vlerësim 181 ekonomi shtetesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.