Dijsselbloem nën shënjestër pas deklaratës se vendet e Eurozonës i kanë shpenzuar paratë për “alkool dhe femra”

23/03/2017 4:37 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Jeroen Dijsselbloem, kreu i ministrave të Financave të Eurozonës, po përballet me kërkesat për t’u dorëhequr pasi refuzoi që të kërkonte ndjesë pas deklaratës se vendet e europiane të goditura nga kriza i kanë shpenzuar paratë e tyre për “alkool dhe femra”.

Shefi holandez i politikave, partia e të cilit u përball me një humbje ndëshkuese në zgjedhjet kombëtare javën e shkuar, u cilësua si ofendues dhe vulgar nga anëtarët e Parlamentit për vërejtjet e bëra në gazetën gjermane Allgemeine Zeitung. Gjatë dëgjesës në parlamentin europian, zoti Dijsselbloem tha se nuk do të kërkonte ndjesë pas vënies në presion për të distancuar veten nga vërejtjet ndaj bllokut të vendeve të jugut si Spanja, Portugalia, Italia dhe Greqia.

Në komentet e raportuara nga shtypi spanjoll, zoti Dijsselbloem tha për AZ: Gjatë krizës së euros, vendet e veriut kanë treguar solidaritet me vendet e prekura nga kriza. Si një socialdemokrat, i atribuoj rëndësi të jashtëzakonshme solidaritetit. Por, gjithashtu ka dhe detyrime. Nuk mund t’i shpenzosh të gjitha paratë për alkool dhe femra dhe më pas të kërkosh për ndihmë. Pavarësisht se i është dhënë disa herë mundësia për të kërkuar ndjesë, zoti Dijsselbloem mbetet i palëkundur, duke këmbëngulur se solidariteti në eurozonë kuptonte mbajtjen e premtimeve për t’ju përmbajtur rregullave të BE-së ndaj borxhit dhe limitit të deficitit.

Koncepti se po tregohem i ashpër me ligjet dhe rregullat… dhe se po i marr ato shumë seriozisht, se ky është një sulm, është një gabim i madh, tha ai për anëtarët e Parlamentit. Greqia, Irlanda dhe Portugalia u shpëtuan nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në 2010-n, ndërsa sistemi bankar spanjoll u shpëtua me fondet e kreditorëve në 2012-n. Deputeti spanjoll, Gabriel Mato tha se komentet ish- absolutisht të papranueshme dhe një fyerje për vendet anëtare, duke pretenduar se zoti Dijsselbloem ka humbur paanshmërinë e tij si shef i Eurogrupit.

Kritikat kanë gjasa të shtojnë presionin ndaj pozicionit të Dijsselbloem. Ai aktualisht është ministër i përkohshëm i Financave në Holandë pasi partia e tij e qendrës së majtë humbi mbështetjen në zgjedhjet kombëtare javën e shkuar. Mandati i zotit Dijsselbloem si president përfundon në janar të 2018-s. Përpara kësaj, ai kishte nënkuptuar se do të qëndronte në këtë pozicion deri sa të formohej një koalicion në Holandë. Në përgjigje të kritikave të anëtarëve të parlamentit, zoti Dijsselbloem tha:

“Mos u ofendoni, nuk ka të bëjë vetëm me një shtet, por për të gjitha shtetet tona. Edhe Holanda vetëm disa vite më parë dështoi në plotësimin e kushteve të rëna dakord. Unë nuk shikoj një konflikt midis rajoneve të Eurogrupit. “Nëse kërkoni që të mbani mbështetje të publikut dhe politike në mbarë Europën si solidaritet, duhet gjithashtu të flisni për angazhimet dhe për përpjekjet që duhen bërë nga secili për të mirëmbajtur këtë solidaritet.”

Ministri portugez i Çështjeve me Jashtë, Santos Silva, bëri thirrje që zoti Dijsselbloem të dorëhiqet. Duket se presidenti i Eurogrupit ka kaluar gjithë këto vite pa kuptuar se çfarë ndodhi vërtet në shtetet si Portugalia, Spanja apo Irlanda, tha ai. Gianni Pitella, kreu i grupit socialist në Parlamentin Europian, vuri në pikëpyetje nëse zoti Dijsselbloem ishte i përshtatshëm për të mbajtur pozicionin që ka në Europgrup. Dijsselbloem ka tejkaluar cakun duke përdorur argumente diskriminuese ndaj vendeve të Europës Jugore. Nuk ka justifikim për një gjuhë të tillë, veçanërisht nga dikush që supozohet të jetë progresiv. Në Parlament, deputeti spanjoll Ernest Urtasun iu drejtua ministri holandez: Mbase për ty është argëtuese, por unë nuk e mendoj kështu.

/Financial Times/

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of