Fëmijët duan që kompanitë e teknologjisë të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur, por a do ta bëjnë?
Sipas një studimi të ri, të publikuar pak ditë më parë, fëmijët duan më shumë mbrojte online dhe kërkojnë nga kompanitë teknologjike dhe qeveritë të bëjnë më shumë për t’u garantuar atyre sigurinë.
Studimi përkon me Safer Internet Day (6 Shkurt), një ditë për të rritur ndërgjegjësimin për një internet më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë, veçanërisht për fëmijët. Kërkimi vjen pasi drejtuesit mediave sociale të Silicon Valley, si CEO i Meta, Mark Zuckerberg, janë vënë nën akuzë në një seancë gjyqësore në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi “Big Tech dhe krizën e shfrytëzimit seksual të fëmijëve online”.
Studimi, i kryer nga organizata e bamirësisë “Save the Children” dhe “Young & Resilient Research Centre” të Western Sydney University, zbuloi se fëmijët flasim rregullisht me njerëz që nuk i njohin online, dhe ka tre herë më shumë të ngjarë ta injorojnë apo ta refuzojnë një kërkesë të papërshtatshme apo të padëshirueshme sesa ta raportojnë apo bllokojnë.
Në sondazh morën pjesë thuajse 600 fëmijë të moshës mes 9 dhe 16 vjeç në Australi, Kamboxhia, Finlandë, Filipine, Kenia, Afrikën e Jugut dhe Kolumbi. Nga studimi u zbulua gjithashtu se fëmijët përdorin intuitën e tyre në vend që t’u kërkojnë ndihmë të rriturve të besuar për të menaxhuar ndërveprimet online me njerëz që nuk i njohin, duke u dhënë më shumë rëndësi kompanive të mediave sociale.
“Sugjeroj që të gjitha faqet në internet të kenë një kufizim moshe dhe të kërkojnë një provë kur përfshihet mosha. Njerëzit duhet të jenë të gjithë të sigurt kur ndërveprojnë me të panjohurit online, pasi një mesazh, një video, një postim, mund të ketë pasoja të mëdha në mendjen e një fëmije”, – tha Sophie 12 vjeçe, nga Australia (një emër i rremë). Fëmijët e anketuar në sondazh i dhanë rëndësi të madhe faktit që qeveritë duhet t’u kërkojnë llogari kompanive teknologjike.
“Personalisht do të doja që qeveria të miratonte rregulla të rrepta për platformat e ndryshme të mediave sociale që bashkëpunojnë me organizatat. Do të doja që qeveria të ndërgjegjësonte më shumë të rinjtë që përdorin internetin dhe nuk dinë për rreziqet online”, – tha Bianka (jo emri i vërtetë), 15 vjeçe nga Kenia. Studimi zbuloi gjithashtu se fëmijët shpesh abuzohen dhe shfrytëzohen online nga njerëz që i njohin” – tha Steve Miller, Drejtori Global për Mbrojtjen e Fëmijëve të “Save the Children.
“Fenomeni vjen nga bashkëmoshatarët e tyre dhe ndryshe nga sa ndodhte 10 – 15 vite më parë kur mund të dilje nga shkolla dhe të ktheheshe në shtëpi. Tani ajo ju ndjek në thelb në shtëpi”, – deklaroi Miller për EuroneWs Next.
Miller deklaroi se seanca dëgjimore e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e rëndësishme sepse flitet për mbrojtjen e fëmijëve online, por shtoi se kompanitë teknologjike dhe qeveritë duhet të punojnë së bashku.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht të denigrosh një kompani apo një individ të caktuar, që ka një rol të rëndësishëm – tha Miller. “Në të gjithë botën ka një mospërputhje të tillë në industri kur flitet për rregullat e sigurisë për t’u zbatuar dhe kjo është problematike, prandaj duhet që sektori privat të vendosë kufijtë në këtë fushë gjithnjë e më të rëndësishme”.
Masa të pamjaftueshme
Në Europë, ligji për shërbimet dixhitale (Digital Services Act) godet njoftimet e reklamave të synuara dhe përmbajtjet e promovuara dhe mund të gjobisë kompanitë teknologjike nëse nuk eliminojnë përmbajtjet e paligjshme. Në Shtetet e Bashkuara, legjislacioni po kalon në Kongres për të detyruar kompanitë e mediave sociale të japin llogari për materialin e publikuar në platformat e tyre.
Për herë të parë, Zuckerberg u kërkoi falje prindërve të fëmijëve që vdiqën pas shfrytëzimit seksual apo ngacmimeve në mediat sociale dhe u premtoi se kompania “do të vazhdojë të bëjë përpjekje në mbarë industrinë për t’u siguruar që askush të mos përballet me fatkeqësi të tilla, siç u përballën familjet tuaja”. Por jo të gjitha kompanitë e mediave sociale janë treguar të gatshme të bashkëpunojnë me qeverinë.
Gjatë seancës dëgjimore në Senat javën e kaluar, Zuckerberg dhe CEO i TikTok, Shou Zi Chew, ranë dakord vullnetarisht të dëshmonin, por drejtuesit e Snap, X (ish-Twitter) dhe platforma e mesazheve Discord fillimisht refuzuan të merrnin pjesë dhe si pasojë morën fletëthirrje nga qeveria.
“Ata nuk janë të motivuar t’i japin përparësi sigurisë, shëndetit apo mirëqenies së fëmijëve, sepse nëse do të ishin, nuk do të kishim pasur nevojë ta mbanim këtë seancë dëgjimore” – deklaroi Titania Jordan, Chief Marketing Officer dhe Chief Parenting Officer në Bark Technologies, i cili prodhon një telefon për fëmijë me monitorim të plotë të teksteve dhe mediave sociale për prindërit.
Jordan, e cila është edhe autore e librit “Parenting in a Tech World”, deklaroi se nuk beson se kompanitë teknologjike do t’ia dalin ndonjëherë të garantojnë sigurinë dixhitale te fëmijët, pasi strategjitë që kanë zbatuar nuk kanë qenë të mjaftueshme.
“Duhet të mos presim më që kompanitë e mediave sociale të vendosin fëmijët para fitimeve” – tha ajo për Euronews Next. “Ne duhet të ndalojmë së besuari se ato do të bëjnë gjënë e duhur. Duhet të fillojmë të mbështesim një reformë legjislative që t’i lejojë prindërit dhe fëmijët të kenë fuqinë, për t’i bërë këto kompani përgjegjëse për dëmet që po sjellin te fëmijët”.
Çfarë mund të bëjnë prindërit
Jordan këshillon se prindërit mund të ndihmojnë duke bërë biseda të shpeshta dhe të sinqerta me fëmijët e tyre, mbi atë se çfarë po ndodh në jetën e tyre dixhitale kur janë të rinj. Ajo këshilloi vendosjen e filtrave, kufizimit të kohës dhe kontrolleve prindërore.
Teknologjitë e monitorimit të mediave sociale mund të lajmërojnë prindërit mbi ngacmime të mundshme online dhe janë të këshillueshme, në mënyrë që prindërit të ndërhyjnë para se të jetë tepër vonë. “Është detyra juaj t’i mbroni fëmijët në mjedisin dixhital, ashtu siç bëni në jetë me rripin e sigurimit dhe mbrojtjen nga dielli” – tha ajo.
“Teknologjia nuk është as e mirë dhe as e keqe, por është një mjet. Për këtë arsye fëmijët duhet ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme.
/ Euronews