“Jemi një kompani private, që shpenzojmë dhe krijojmë të ardhura. Në fund shikojmë diferencën, fitim-humbje. OSSH nuk është më pronë e shtetit, por private”. Ky është mesazhi i theksuar disa herë nga kreu i “CEZ Albania”, Jozef Hajsek, duke paralajmëruar konsumatorët shqiptarë që trajtimit të energjisë si “mall pa zot” i ka ardhur fundi. Sikurse është bërë praktikë, në tre vitit e fundit, OSSH ka aplikuar tek Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për ndryshimin e tarifave të energjisë. Edhe kësaj here, motivi për rritjen e tyre mbështetet te plani i investimeve dhe mbulimi i humbjeve që vjen nga konsumatorët që nuk e paguajnë energjinë elektrike.
Detyrimi i CEZ-it për të reduktuar humbjet, si masë që ul mundësinë e rritjes së çmimit, rrjedh nga marrëveshja me qeverinë. Kur kanë kaluar dy vjet nga privatizimi, duket se “ushtria” e atyre që nuk e paguajnë është shtuar, për pasojë edhe kostoja për ata që e paguajnë.
Më 1 shtator, OSSH ka aplikuar tek ERE për rritje mesatare të çmimit me rreth 11.9 për qind. Për familjet është propozuar rritje, me të paktën 23 për qind, duke iu hequr kufirin e konsumit 300 kilovatësh, që përcaktonte çmimin 7.7 lekë dhe 13.5 lekë dhe rekomandohet një tarifë unanime me 10.09 lekë. Rritja kërkohet për të gjitha kategoritë e biznesit, madje edhe për furrat e bukës, të cilat janë shumë të ndjeshme kur ndryshojnë tarifat.
Motivi që çon OSSH-në të kërkojë rritje të dytë lidhet me plane, sipas tyre ambicioze, për të zhvilluar sektorin, përmirësuar shërbimin dhe faturimin dhe një furnizim të qëndrueshëm. Për vitin 2011, OSSH planifikon të investojë rreth 4 miliardë e 900 milionë lekë, ose 400 milionë lekë më shumë se viti 2010.
Këto janë arsyet e përmendura në dokumentin që shoqëron aplikimin, por në fakt ajo që ndikon më shumë në çmimin e ri që duhet të paguajnë konsumatorët është humbja që pëson kompania nga mosshlyerja e faturave nga individë informalë dhe që e vjedhin atë.
Sa kushton mospagesa e faturave
Tashmë është bërë e ditur që konsumatorët e rregullt të energjisë elektrike e paguajnë faturën e dritave bashkë me çmimin që i takon atyre që nuk shlyejnë detyrimin. Statistikat zyrtare tregojnë se nga 10 mijë lekë faturë dritash, 28 për qind e saj, ose 2800 lekë janë detyrime që na shtohen si pasojë e atyre që nuk e paguajnë. Kjo përqindje rrezikohet të bëhet edhe më madhe në rast se OSSH nuk ndryshon nivelin e humbjeve, pasi të dhënat e 6-mujorit të parë 2010, tregojnë për një situatë disi më të përkeqësuar. Sipas INSTAT-it, humbjet në rrjet janë rritur 3.7 për qind në gjashtëmujorin e parë 2010 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. “Humbjet gjithsej për gjashtëmujorin e parë 2010 janë 1,285 GWh. Ato përbëjnë 27.2 për qind të sasisë së energjisë për përdorim, kurse humbjet në shpërndarje zënë 88.9 për qind të sasisë së energjisë të humbur në rrjet”, tregon INSTAT. E përkthyer në vlera, OSSH-së i është krijuar një dëm me të paktën 70 milionë euro (pa TVSH dhe çmim 7.7 lekë) nga konsumatorët që nuk kanë paguar dritat për pjesën e parë të vitit. Këto humbje të larta, kompania çeke duhet t´i nxjerrë diku dhe zgjidhja shihet të konsumatorët e drejtë.
Tarifat e reja të propozuara
Vendimi për rritjen e çmimit të dritave nuk është marrë ende, madje palët, CEZ-ERE janë në fazën e parë të negociatave, që do të zgjasin deri në mesin e muajit dhjetor. Për momentin, kompania ka bërë publike vetëm tarifat e propozuara, që synojnë rritje mesatare prej 11.9 përqindësh. Nuk dihet ende se çfarë qëndrimi do të mbajë ERE, duke pasur parasysh rolin e saj “të mbrojtjes së konsumatorit”, por duket qartë se kërkesa e OSSH-së është më e matur se aplikimi i vitit të kaluar, kur u kërkua një rritje me të paktën 40 për qind dhe në fund u vendos për tarifa të shtrenjtuara me 13 për qind.
Familjet shqiptare paguajnë sot një faturë energjie elektrike me 7.7 lekë/kilovat për konsum energjie deri në 300 kilovatë dhe mbi këtë volum aplikohet një tarifë 13.5 lekë. OSSH kërkon aplikimin e një forme të re faturimi, duke hequr kufirin e konsumit dhe unifikimin e tarifës në 10.09 lekë, ose me një rritje të paktën 23.6 për qind (gjithnjë pa llogaritur TVSH, e cila e shton koston finale të faturës me 20 për qind). Me këtë ndryshim, OSSH ka ulur tarifat për familjet që konsumojnë sot mbi 600 kilovatë në muaj, duke aplikuar parimin, “konsumo më shumë, paguan më pak”, pavarësisht se strategjia e ERE-s dhe KESH-it është për eficiencë të energjisë dhe një kursim të saj.
“Më datën 1 shtator 2010, OSSH paraqiti zyrtarisht pranë ERE-s kërkesën për rishikimin e tarifave të shërbimit të shpërndarjes dhe çmimeve të shitjes me pakicë për konsumatorët tariforë për vitin 2011. Kjo kërkesë bëhet në mbështetje të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi. Aplikimi i OSSH-së për rishikimin e tarifave dhe çmimeve të shitjes me pakicë të energjisë elektrike përmban një rritje të të ardhurave të kërkuara prej 11,92 përqindësh krahasuar me nivelin e të ardhurave të miratuar prej ERE-s për vitin 2010”, është deklarata zyrtare e OSSH-së që shoqëron tabelën e re të çmimit të dritave.
Rritje të çmimit të dritave është propozuar edhe për biznesin. Kategoria e subjekteve private që furnizohen me tension të ulët 0.4 kV paguajnë një çmim të ndryshëm në varësi të aktivitetit. Kështu, industria ka një tarifë konsumi të energjisë me 10.5 lekë/kilovati dhe i propozohet që t´i bëhet 11.42 lekë, shërbimet dhe tregtia paguajnë 12.2 lekë, ndërsa tarifa e re mund të shkojë në 13.17 lekë. Nuk do t´i shpëtojnë rritjes, në rast se ERE bie dakord, as furrat e bukës dhe prodhimit të miellit. Aplikimi për tarifën e re të tyre është një kilovat me 9.11 lekë, nga 7.6 që kushton sot dhe në rast se ndodh, buka 1 kilogram me çmim 100 lekë nuk do të jetë më “fantazi e bursës”. OSSH-ja nuk ka kursyer as institucionet buxhetore, të cilat pas 1 janarit mund ta paguajnë kilovatin për 15 lekë, nga 14 lekë, kurse bujqësia parashikohet të ketë rritje të tarifës me rreth 1 lek.
Raporti: Paguhet gjysma e energjisë
Faktorët që determinojnë uljen e eficiencës së konsumit të energjisë elektrike, sipas ERE-s janë niveli i lartë i humbjeve të energjisë në shpërndarje dhe niveli ulët i arkëtimeve. “Humbjet totale dhe humbjet joteknike dhe teknike në veçanti kanë nivele të papranueshme, çka reflektohet në nivelin e ulët të faturimeve të energjisë elektrike ndaj konsumit të përgjithshëm”, tregon ERE, duke iu referuar situatës së vitit 2009.
Humbjet e përgjithshme në shpërndarje në vitin 2009, sipas raportimit vjetor të OSSH-së janë në nivelin 33.98 për qind të energjisë së përgjithshme të injektuar në sistemin e shpërndarjes, kurse niveli i arkëtimeve është raportuar me 76.4 për qind të energjisë elektrike të faturuar.
Në këto kushte, ERE del në përfundimin se koeficienti vjetor i efektivitetit për sistemin e shpërndarjes (i cili merr parasysh nivelin vjetor të humbjeve dhe të arkëtimeve) rezulton me 50.4 për qind. Nga të dhënat zyrtare vërehet qartë se niveli i eficiencës në shpërndarje është shumë i ulët, çka do të thotë se nga 100 kilovatë/orë të futur në rrjetin elektrik të shpërndarjes, arkëtohet vlefta e vetëm 50.4 kilovat/orë.
Zonat me treguesit më të ulët të efektivitetit janë Kukësi, ku arkëtohet vetëm 9.5 për qind e energjisë së faturuar dhe pas tij Shkodra dhe Burreli me përkatësisht 31.2 për qind dhe 39.6 për qind arkëtime të energjisë së faturuar.
Situata
Humbjet
Statistikat zyrtare tregojnë se nga 10 mijë lekë faturë dritash, 28 për qind e saj, ose 2800 lekë, janë detyrime që na shtohen si pasojë e atyre që nuk e paguajnë
Efektet
“Humbjet gjithsej për gjashtëmujorin e parë 2010 janë rreth 1,285 GWh. E përkthyer në vlera, OSSH-së i është krijuar një dëm me të paktën 70 milionë euro (pa TVSH)
Rritja
Familjet paguajnë sot një faturë energjie me 7.7 lekë/kËh për konsum 300 kË dhe mbi këtë sasi ka çmim 13.5 lekë. Tarifa e re propozohet të jetë 10.09 lekë
Paralajmërimi
ERE mohon deklaratat për rritje të çmimit
Enti Rregullator i Energjisë nuk vonoi shumë të sqaronte opinionin publik se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Deklarata e ERE-s erdhi në një moment, kur palët ende nuk kishin nisur të negocionin për aplikimin e tarifave të reja. “ERE, institucioni i vetëm ligjor për vendosjen e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike, për të gjithë klientët tariforë, ndien detyrimin të cilësojë si të pavërteta dhe spekulative disa deklarata mediatike nga subjekte të caktuara se në vitin 2011, çmimet e energjisë elektrike do të rriten”, bëri të ditur enti, pas publikimit në media për kërkesën e OSSH-së. Në fakt, trajtimi në media ishte për aplikimin e tarifave të rritura dhe jo për një vendim, ndërsa ERE me deklaratën e bërë, paralajmëron OSSH-në që vendimi për ndryshimin e tarifave nuk do të sjellë ndikime negative për konsumatorin. Më tutje, enti thotë se “ERE, si i vetmi institucion vendimmarrës për çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike, asnjëherë nuk ka deklaruar se në vitin 2011 do të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Sigurojmë konsumatorin se do të vlerësojmë me objektivitet, me transparencë dhe me profesionalizëm të lartë çdo aplikim për çmime dhe tarifa, duke mbrojtur me konsekuencë konsumatorin nga çdo abuzim që mund të synohet nga pozicioni monopol i furnizimit me energji elektrike”, tha enti, duke i bërë të qartë OSSH-së se ndoshta nuk do të ketë një vendim për rritjen.
Ministri
Meta: Vendimi, në mbrojtje të konsumatorëve
Ministri i ri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, nuk ka dhënë asnjë qëndrim rreth procesit të ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike, duke u mjaftuar me faktin se është ende herët për të folur dhe se vendimi i takon vetëm ERE-s. Gjithsesi, për ministrin do të jetë prioritet mbrojtja e familjeve dhe çdo gjë do të varet nga negociatat dhe takimet, që ende nuk kanë nisur. “Autoriteti i cili vendos për tarifat e çmimit të energjisë është Enti Rregullator i Energjisë, një institucion tërësisht i pavarur jo vetëm nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, por edhe nga qeveria. Lidhur me kërkesat e kompanisë, natyrisht që do të diskutohen dhe do të gjykohen në mënyrë shumë transparente nga Enti Rregullator i Energjisë, ku natyrisht dhe Ministria e Ekonomisë do të japë mendimin e saj. Ne ende nuk kemi pasur një takim për këtë çështje, sepse ky është takimi i parë, por natyrisht që bashkëpunimi do të jetë shumë konstruktiv dhe do të jetë transparent në raport me median dhe opinionin publik, por edhe me të gjithë konsumatorët”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Energjetikës.
Rreziku
KESH i bashkohet OSSH-së, kërkon rritje me 46%
Bashkë me OSSH-në, rritje të çmimit të energjisë elektrike kërkon edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Kërkesa e KESH-it konsiston në vendosjen e dy alternativave. E para, propozohet që tarifa aktuale prej 2.03 lekësh për kilovat, me të cilën KESH shet energjinë e prodhuar nga HEC-et tek OSSH-ja, të shkojë 3.97 lekë për kilovat, ndërkohë që varianti i dytë konsiderohet më i rrezikshëm, pasi sugjerohet një rritje që e çon kilovatin në 5.31 lekë. Gjithashtu, ka kërkuar që tarifa e prodhimit të energjisë elektrike, e cila aktualisht është 0.4 lekë, të bëhet 1.12 lekë. Të gjitha këto ndryshime ndikojnë në planin final të vendosjes së çmimit për konsumatorët, pasi një rritje e çmimit për KESH-in, me rreth 46 për qind, sjell automatikisht rritje edhe për OSSH-në, kur vet kjo e fundit ka propozuar tarifa të larta, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme kosto të lartë të kilovatit për konsumatorët.
KESH e argumenton rritjen me situatën kritike financiare, e zhytur në borxhe që shkojnë deri në 80 milionë euro dhe me banka që i “trokasin” çdo ditë në derë për kreditë e marra në kohën e krizës së madhe energjetike. Diskutimet paraprake mes KESH-it dhe ERE-s tregojnë se palët nuk kanë gjetur konsensus. Sipas ERE-s, situata energjetike ka ndryshuar, nuk është më ajo e dy viteve më parë, me më shumë prodhim, rritje eksporti dhe fitime të garantuara për KESH-in. Por drejtuesit e korporatës e kundërshtojnë këtë qëndrim të ERE-s, pasi sipas tyre, situata e vitit të kaluar ishte një rastësi dhe nuk mund të përgjithësohet. “Ne patëm fitime nga eksporte pasi ra shi dhe kishte prurje të mëdha nga lumenjtë. Po kush na garanton që e njëjta situatë do përsëritet”, tregon drejtori i përgjithshëm, Engjëll Zeqo.
Kreu i CEZ, Jozef Hajsek:
Rritja e tarifave, kusht për investimet dhe humbjet
“CEZ Albania”, pronare e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Sipas drejtorit të përgjithshëm të CEZ, Jozef Hajsek, energjia është një mall që duhet paguar dhe nëse ndodh kështu, atëherë do të vijohet me rritjen e çmimeve. “Ne kemi plane ambicioze për zhvillimin e kompanisë dhe sektorin energjetik. Duam të ndryshojmë shumë elementë të kompanisë, të cilat kërkojnë investime të mëdha. Këto investime garantohen me rritjen e të ardhurave nga faturimi i energjisë dhe një rishikim të tarifave”, deklaroi kreu i CEZ-it, në krah të të cilit qëndronte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Energjetikës, Ilir Meta.
“Shqiptarët duhet të kuptojnë që energjia është një mall që duhet paguar dhe OSSH nuk është më shtetërore, por funksionin me parimet dhe rregullat e një privati. Të gjithë duhet ta paguajnë energjinë elektrike, pasi në të kundërt përballemi me rritjen e saj. Në rast se paguhet e gjithë sasia, atëherë garanton një ulje të çmimit”, vuri në dukje Hajsek.
Në fund të vitit 2009, CEZ pasi u bë aksioneri më i madh i OSSH-së, investoi rreth 3 miliardë e 900 milionë lekë. Në vitin 2010 programi i investimeve në vazhdim ka një volum prej 4 miliardë e 500 milionë lekësh dhe lista e investimeve për vitin 2011 arrin në shumën prej rreth 4 miliardë e 900 milionë lekësh.
Emri i ri
“CEZ Group” dhe qeveria e Shqipërisë deklaruan riemërtimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë në Shqipëri në CEZ Shpërndarje. Duke lënë pas një filozofi të vjetër pune dhe menaxhimi dhe duke përqafuar standardet dhe vlerat e “CEZ Group”, riemërtimi i kompanisë sipas imazhit të korporatës të CEZ erdhi si një hap i natyrshëm përpara. “Ne po ndërmarrim ndryshime thelbësore në kompani. Shumë shpejt të gjithë do të jemi në gjendje të dëshmojmë dhe përjetojmë që ‘CEZ Shpërndarje´, kompania e re që ne po ndërtojmë, nuk ka shumë gjëra të përbashkëta me atë që ne gjetëm kur erdhëm për herë të parë në Shqipëri”, deklaroi në konferencën për shtyp Hajsek. Ai prezantoi disa nga zhvillimet e reja të kompanisë si: krijimin e qendrës së re të faturimit, faturën e re dhe metoda të reja të shpërndarjes së saj, kanalet e reja të pagesës, krijimin e qendrave të kujdesit ndaj klientit, publikimin e numrave të rinj të gjelbër për klientët, krijimin e faqes zyrtare të internetit etj.
ZMK:
Rritja, spekulative në dëm të konsumatorëve
Ka reaguar menjëherë Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Sipas drejtuesit të kësaj qendre, rritja e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga OSSH është e padrejtë pasi kompania me tarifat aktuale e mundon fitimin e sigurt. “Në kushtet kur kemi rritje të prodhimit, eksporteve dhe më e rëndësishmja ulje të importeve, rritja e çmimit në këtë rast nga ERE është e palogjikshme dhe e dëmshme për konsumatorin”, tha Goxhaj. Sipas tij, në rast se do të merret një vendim i tillë, atëherë ZMK do t´i drejtohet prokurorisë për shkeljen e ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe rregullave të tregut për ndalimin e situatave monopol.
Përgatiti: A.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.