Rritja e numrit të bankave dhe e klientëve të tyre, zgjerimi i territorit ku ofrohen shërbimet bankare dhe shumëllojshmëria e shërbimeve, në një publik ende pak të edukuar ka bërë të domosdoshme përmirësimin e transparencës së bankave në raport me klientët e tyre. Të paktë janë ata klientë bankash që mund të kuptojnë koston e vërtetë të një kredie të marrë në bankë. Në vendet e tjera bankat qendrore dhe autoritetet e konkurrencës kanë miratuar rregulla për transparencën bankare. Po Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës çfarë presin?Para disa ditësh më tregon një miku im: “Shkoj në një bankë dhe interesohem për një kredi konsumatore. Doja të dija sa është interesi që duhet të paguaj nëse marr X lekë hua. Por përgjigjen e asaj për të cilën isha unë i interesuar si klient nuk e mora dot. Në vend të saj u njoha vetëm me kushtet, si p.sh., maturimi maksimal i këtyre lloj kredive është deri 24 muaj, shuma maksimale sa 5-fishi i të ardhurave mujore, por jo më shumë se X lekë; dorëzënës-bashkëshortja ose një klient kredie, komisioni 1%, sigurimi i jetës-i kërkueshëm në të gjitha rastet, apo kufizime për persona me të ardhura mujore më pak se 30,000 lekë. E vetmja gjë që nuk më tregoi punonjësi i bankës ishte se sa ishte norma e interesit për kredinë në fjalë dhe se cila ishte shuma e akumuluar e interesit që duhet të paguaj unë për shumën X ?! Këto mund ti merrje vesh vetëm kur merr kredinë, ishte mesazhi i nënkuptuar i punonjësit të bankës?!”. Dhe ky miku im nuk është i vetmi që mbeti pa përgjigje.Përmasat e fenomenitViti 2005, karakterizohet nga një zhvillim i vrullshëm i sistemit financiar në tërësi dhe atij bankar në veçanti. Numri i bankave arriti në 17-të, duke u shoqëruar nga një zgjerim i ndjeshëm i degëve dhe agjencive të tyre në rrethe të ndryshme të vendit. Rrjeti i ATM-ve po përhapet me shpejtësi jo vetëm në kryeqytet, por dhe në rrethet e tjera. Kartat e debitit dhe të kreditit, po marrin përhapje, ndërsa sistemi i pagesave, transfertave të vogla e të mëdha brenda vendit, por edhe nga jashtë po zhvillohet me shpejtësi. Një rol jo të vogël po luan angazhimi i Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për të reduktuar qarkullimin në cash, nëpërmjet pagimit të pagave të institucioneve publike drejtpërdrejt nga bankat. Nga ana e vet, sistemi bankar është mjaft i gatshëm të kreditojë klientët që marrin pagat tek bankat. Rritja e depozitave gjithsej me një shtesë vjetore 60-65 miliard lekë të reja, me një ritëm rritje prej rreth 18% në vit, kur PBB reale është rritur rreth 5.5% dhe inflacioni mesatar rreth 2.4% është një tregues i qartë i rritjes së besimit të ndërsjelltë të klientëve te bankat, por edhe pasojë e natyrshme e zhvillimit dhe përmirësimit cilësor të gamës së shërbimeve që po ofron sistemi financiar dhe ai bankar. Një tipar tjetër i zhvillimeve të sistemit financiar në tërësi dhe atij bankar në veçanti është rritja galopante e kreditit bankar. Në fund të tetorit të kaluar, teprica e kredisë arriti shumën e 110 miliard lekëve ose 13.2% e PBB-së, nga 63.1 miliard lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Raporti kredi depozita po shkon rreth 27% (nëntor 2005-26.9%), nga vetëm 12-13% që ishte dy-tre vjet më parë. Pra, vetëm brenda një viti shtesa e tepricës së kredisë ishte 46.9 miliard lekë ose me një rritje prej 74.3%. Pa u ndalur në faktorët kryesorë të kësaj rritje, siç janë rritja e kredisë së re, përmirësimi i strukturës së kredidhënies në favor të kredisë afatgjatë, apo edhe efekteve të ndikimit të kursit të këmbimit gjatë përllogaritjes së këtij treguesi nuk do të ishte e tepërt të shihet më në detaje se çfarë përfaqëson një rritje prej 46.9 miliard lekësh vetëm brenda një viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shtesa e tepricës së kredisë nga mesi i vitit 1999 deri në fund të vitit 2004, është realizuar vetëm brenda një viti, nga tetori 2004 deri në tetor 2005. TEPRICA E KREDISË 1998 17.7 mld lekë 1999 19.9 mld lekë2000 21.9 mld lekë 2001 36.6 mld lekë2002 38.7 mld lekë 2003 50.6 mld lekë2004 69.3 mld lekë Shtesa në madhësi absolute që është realizuar në pesë vjet e gjysmë, tani është realizuar vetëm brenda një viti. Natyrisht, kjo shtesë nuk është e papritur dhe nuk po ndodh si rrufeja në qiell të hapur. Këto të dhëna dëshmojnë se ky proces, ndonëse nuk është aq i papritur, në të njëjtën kohë konfirmon dukurinë e përshpejtimit të zgjerimit të kreditit të institucioneve bankare, por edhe atyre të institucioneve jo bankare të mikrokredisë. Një situatë e tillë bën të domosdoshme të kthehen sytë ndaj cilësisë së portofolit të kredisë, duke e mbikëqyrur me kujdes e në mënyrë të vazhdueshme këtë proces.FRIKA NGA RRITJASipas organeve të specializuara ndërkombëtare, sistemi bankar shqiptar ka pasur një ecuri relativisht të mirë në vitet e fundit, duke u karakterizuar nga nivele të larta të të ardhurave dhe të kapitalizimit, por dhe nivele të ulëta të kredive të këqia. Por përshpejtimi i lartë i ritmeve të rritjes së kredisë kërkon një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos u shfaqur dukuri të krizës financiare të vendeve aziatike në dekadën e kaluar. Kjo lidhet me disa aspekte. Së pari, rritja sasiore dhe cilësore e sistemit bankar është shoqëruar me një rritje të dukshme të konkurrencës. Ndërsa rritja e konkurrencës mund të ulë dhe ka ulur në fakt koston e huamarrjes duke shpënë ujë drejt një sistemi bankar më eficient. Së dyti, gjatë viteve 2003-2004, por edhe deri në mars të vitit 2005, Banka e Shqipërisë ka ndjekur politikën e uljes së interesit bazë deri në 5%, por duke vazhduar më pas me një qëndrim neutral. Por kjo politikë në kushtet e dominimit të tregut bankar dhe “apatisë” së bankës qendrore më e theksuar pas mbajtjes së zgjedhjeve, u pasua me një rënie të ndjeshme të interesave të bonove të thesarit, të cilat në muajin qershor 2005 arritën një nivel mjaft të ulët limit për vitin 2005.Për rrjedhojë në muajin qershor 2005, yield-i mesatar i ponderuar i bonove të thesarit arriti nivelin me të ulët historik ose 5.04% për bonot me maturim 3-mujor, 6.37% për bonot me maturim 6-mujor dhe 6.78% për ato me maturim 12-mujor. Në një nivel të përafërt u stabilizuan këto interesa në fund të vitit duke qenë respektivisht 5.38% për bonot me maturim 3-mujor, 6.73% ato me maturim 6-mujor dhe 6.91% për ato me maturim 12-mujor (më 20 dhjetor). Në këto rrethana bankat e nivelit të dytë, në veçanti Banka Raiffeisen, i ulën interesat e depozitave bankare në lek. Madje duhet thënë se në ndonjë rast në banka me pozicion dominues në tregun bankar dhe me efekte në ekonomi normat reale të interesave kanë qenë afër ose nën zero. Një situatë e tillë teorikisht nuk mund të mos shoqërohej me ulje edhe të interesave të kredisë në lekë. Kjo për faktin se disa banka kanë shpallur se përqindja e interesit të kredisë (për këtë ose atë lloj) i përshtatet formulës: përqindja e yield-it të bonove të thesarit 1 vjeçare + X pikë përqindjeje. (Këtu duhet nënvizuar se niveli i X është shpallur vetëm për kreditë për shtëpi, që nga disa banka është 3.5%. Por për llojet e tjera të kredisë X mbetet X, shpesh i panjohur). Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2005 ka pasur një ulje të interesave të kredisë nga 0.36% për kreditë me maturim deri në 6 muaj dhe nga 0.36% deri në 3.76% për kreditë nga 3 muaj deri tek ato mbi 1-3 vjet. Por ndërkohë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2005, vihet re një rritje e interesit të kredive, me përjashtim të kredive mbi 3 vjet (kryesisht për shtëpi). Sidoqoftë ulja e kredimarrjes nga ana e qeverisë (brenda kufijve të parashikuar) dhe kostos së kësaj huamarrje, në kushtet e rritjes së volumit të depozitave, kanë krijuar hapësira mjaft të mira si për rritjen e shpejtë të kredisë bankare për sektorin privat dhe individët, ashtu dhe për uljen e interesit të tyre. Mjaft banka, të cilat e kishin portofolin e tyre të investimeve orientuar në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, gjatë vitit 2005 morën një orientim të dukshëm ndaj kreditit bankar. Së treti, një element tjetër është se, pavarësisht nga rritja e peshës specifike të kredive në lekë (në nëntor 2005, 25.2%) pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë të huaj në dollarë ose në euro, rreth 75-80%. Por ndërkohë gjatë vitit 2005, leku është nënçmuar ndaj dollarit amerikan dhe është mbiçmuar lehtë ndaj euros. Në këto kushte për ata që kanë marrë kredi në USD, iu duhet të përdorin më shumë lekë për të shlyer kredinë e tyre. Në këto raste kemi përkeqësim të barrës së borxhit për kredimarrësit nga lëvizja e kursit të këmbimit. Së katërti, një element tjetër që ia vlen të mbahet parasysh në procesin e kredimarrjes nga bankat, është se struktura e tij po orientohet drejt kredisë afatmesme dhe afatgjatë duke iu përgjigjur më mirë nevojave të vendit për investime për kapacitete prodhuese. Kredia për sektorin e tregtisë po pëson një ulje (nga 34% në vitin 2003, në 23.3% në vitin 2004 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, në 19.3% në nëntor 2005) dhe duke u shoqëruar njëkohësisht me një rritje të lehtë në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit. Por të gjithë këta faktorë kanë ndikim mbi rrezikun e kredisë. Për hir të së vërtetës bankat po marrin më shumë rrezik duke investuar në aktive me rrezik më të lartë, ndryshe nga ajo kohë kur investimet kryesore të tyre ishin në bonot e thesarit me një interes shumë të lartë krahasuar me normën e inflacionin, por edhe me interesat e depozitave bankare. Kjo përbën një aspekt të rëndësishëm të sfidave të stadit të tanishëm.Të publikohen interesat realeËshtë për të nënvizuar se gjithë kjo situatë po shoqërohet me një qëndrim të dyzuar. Nga njëra anë, bankat (Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare të nivelit të dytë) po rritin dhe po përforcojnë skenarin për kredimarrjen dhe kredimarrësit (çka është një dukuri mjaft pozitive sa e nevojshme, aq edhe e domosdoshme), sidomos për bilancin e firmave, deklarimin e të ardhurave, por edhe kushtet që duhet të plotësojnë etj.Ndërkohë është mjaft pozitive që disa banka të nivelit të dytë po publikojnë raportet e tyre vjetore (çka është edhe një kërkesë ligjore). Për më tepër, botojnë raportet e publikime 3-mujore mbi treguesit financiarë të tyre, përfshirë kreditë me probleme. Por ky qëndrim transparent nuk është i plotë dhe nuk realizohet nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, ku çdo klient të dijë gjendjen financiare të bankës ku depoziton paratë etj. Por ajo çka është kryesorja, klientët e bankave shpesh janë privuar nga një informacion më i thjeshtë ekonomiko-financiar të nevojshëm, por pse jo dhe të domosdoshëm.Në kushtet kur interesat vjetore të depozitave në lekë në disa banka janë ulur nga rreth 30-35% në fund të vitit 1997 dhe fillim të vitit 1998, deri te 2.9%-3.25% në vitin 2005, kur inflacioni vjetor mesatar rezultoi mesatarisht 2.4%, por për 4 muaj të vitit ai ishte nga 3%-3.3%, po del e domosdoshme që krahas interesave nominale të depozitave dhe kredive të dhëna nga sistemi ynë bankar në lekë, të publikohen domosdoshmërisht dhe interesat reale të tyre, ose me fjalë të tjera kostot dhe përfitimet reale nga marrëdhënia me bankat. Koncepti i normave reale të interesave është thelbësor për kuptimin dhe realizimin e implikimeve të sistemit financiar e bankar për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë, si dhe mbrojtjen e klientëve që “konsumojnë” shërbime dhe produkte bankare. Atje ku e lamë Po i rikthehem edhe një herë ngjarjes me mikun tim. Pa pasur asnjë kundërshtim mbi kushtet apo kufizimet përkatëse për kredinë, nuk mund të mos çuditesha për këtë mungesë transparence lidhur me atë që më interesonte mua më tepër. Kurdoherë që më është dashur të blej një mall të kushtueshëm me përdorim afatgjatë si p.sh., makinë larëse e teshave, vazhdon miku im, kam vëzhguar se si paraqiten çmimet në supermarkete, dyqane të ndryshme, apo tregun përkatës me shumicë të këtyre pajisjeve, cilat janë kushtet e tjera si garancia etj. Kudo iu kërkohet shitësve të publikojnë çmimin e mallit të ofruar, i cili vërtet i shërben klientit për një zgjedhje sa më të mirë, ndërsa në banka kjo mungon?! A duhet të ndodhë kjo, që klienti i bankave për kredi të mos ketë njohjen e plotë paraprake për çmimin e kredisë, përqindjen e interesit dhe për shumën totale që duhet të paguajë. Mendoj se kjo nuk është një çështje për të cilën janë të interesuar vetëm klientët e bankave. Zhvillimet e kohëve të fundit kur disa klientë të bankave janë hequr nga puna, ose iu duhet të kalojnë nga biznes i vogël në biznes i madh, (me apo pa arbitraritet të organeve tatimore), nuk mund të mos sjellin probleme për kreditë e marra. Zgjerimi galopant i kredive, dhe veçanërisht atyre afatgjata në fushën e prodhimit, kërkon një vetëllogaritje mjaft të saktë nga vetë klientët. Hapi i parë është që të ballafaqohet kostoja e kredisë së marrë me përfitueshmërinë e investimit të kryer. Përmirësimi i aftësive për analizat financiare për kreditë e dhëna nga ana e oficerëve të kreditit, sado e dobishme, nuk është i mjaftueshëm pa rritjen e vetëdijes dhe përgjegjshmërisë së vetë klientëve. Por që të arrihet kjo, në radhë të parë duhet të ofrohet një tranparencë më e plotë e bankave ndaj klientëve të tyre, por edhe pse jo ndaj publikut potencialisht klient i bankave jo vetëm për kufizimet dhe kushtet e kredidhënies, por edhe për çmimin koston e saj, përqindjen e interesit dhe shumën kumulative të tij. A është e mjaftueshme ti thuhet klientit se për një kredi për shtëpi me shumë totale prej 1 milion lekë dhe me maturim prej 20 vjetësh, vlera mujore për tu paguar (principal+interesa) për vitin e parë është 9 650 lekë. Ai do të dijë sa është interesi, cili është interesi kumulativ që duhet të paguajë, a është konstant apo zbritës. Rritja e vetëdijes së huamarrësve për rreziqet e kredisë së marrë nuk është një çështje thjesht njohje, por mjaft e rëndësishme si për klientët, për vetë bankat, edhe për rritjen e eficiencës së kreditit dhe sistemit bankar në tërësi. Përshpejtimi i zgjerimit të kredive bankare mendoj se e bën të nevojshëm dhe të domosdoshëm transparencën e ndërsjelltë të sistemit bankar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.