Në javën e fundit të muajit mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’u vë drynin të gjitha lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit, respektivisht basteve sportive dhe kazinove. Pasi u iniciua nga Qeveria e Kosovës dhe mori votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shfuqizimi i ligjit për lojërat e fatit tani është tek presidenti Hashim Thaçi, i cili ka kohë deri në orën 24 qa ta nënshkruaj ose jo këtë ligj. E nga ky vendim mbi katër mijë punëtorë që kanë qenë të angazhuar në këtë biznes, do të mbesin pa punë.
Me 28 mars, Kuvendi i Kosovës ka votuar shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit. Por votimi i Ligjit nuk nënkupton edhe mbylljen e menjëhershme të lojërave të fatit. Kjo mund të bëhet vetëm pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ta dekretojë Ligjin që do t’i ndalojë ato.
Ligji për Lojërat e Fatit i ka shkruar Presidencës me 8 Prill. E tash, Presidenti Thaçi ka afat vetëm deri sonte në ora 24:00 që ta dekretoj apo jo Ligjin për Lojërat e Fatit.
Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka treguar se ende nuk është nënshkruar ky ligj, por thotë se ka afat ligjor për dekretimin e këtij Ligji.
“Deri sonte në ora 24:00 ka afat ligjor”.
Edhe në Agjencinë Tatimore të Kosovës kanë thënë se Ligji ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës.
“Ligji ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës”, është përgjigjur zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa.
Ndërkaq ligjet, vendimet dhe aktet tjera të cilat miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet për dekretim presidentit, i cili ka kohë tetë ditë për ta nënshkruar.
Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.
Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Por, nëse presidenti brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, Ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij.
Ditë më parë, prokuroria ua ka ngrirë llogaritë bankare për tri ditë (72 orë) pronarëve të bizneseve të lojërave të fatit.
Numri i bizneseve të cilat ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit është i madh. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e këtyre lojërave, në Kosovë do të mbyllen 306 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me Automate dhe 6 lokale me veprimtarinë Bingo.
Mbi 16 milionë euro në vit
Megjithëkëtë, këto biznese shtetit të Kosovës për çdo vit i kanë sjellë mbi 16 milionë euro të hyra.
Kështu ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
“Sa i përket Doganës nga mbledhja e akcizës në lojëra të fatit janë grumbulluar mbi 16 milionë euro”, tregon Stavileci.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, brenda vitit që lamë pas (2018) në vend kanë hyrë 250 aparate për lojërat e fatit. Kryesisht këto aparate janë prodhime evropiane.
“Brenda vitit janë importuar rreth 250 aparate për lojëra fati. Kryesisht janë prodhime evropiane”, bëri të ditur Stavileci.
Kujtojmë se kazinotë dhe qendrat e basteve sportive u mbyllën pasi ndodhën dy vrasje në lokalet ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit. Një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.
Vrasje këto që tronditën gjithë vendin, ndërsa pas vendimeve nga institucionet njësitet e Policisë së Kosovës së bashku me inspektorë tatimor e doganierë morën menjëherë aksion që t’i bastisin bizneset e lojërave të fatit.
E tërë situata për mbylljen e lojërave të fatit dhe shfuqizimin e Ligjit i cili ua lejon atyre veprimtarinë në vend, ka ardhur pas dy vrasjeve që janë bërë gjatë muajit mars pikërisht në lokale të lojërave të fatit.
Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda një kazinoje në Lipjan./Monitor.al.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.