EDICIONI I KATëRT I TIRANA AUTO SALLON 2019, CILËSI DHE STANDARDE
Expocity Albania mbledh brandet më të njohura të automobilëve në Auto Sallon 2019
Expocity Albania organizoi eventin më të njohur të fushës së automobilave, për të katërtin vit rradhazi, Tirana Auto Sallon 2019. Ambientet e tij u shndërruan në një sallon makinash me brandet më të njohura me koncesionaret kryesore te sektorit, të cilët sollen modelet e tyre me te fundit si: Mektrin Motors, Autostar Albania, Albanian Motor Company, Auto France Albania, Automaster, United Motors, Autovision Sha, Guevera Doo, etj.
Në mbrëmjen e ditës së parë u organizua një koktej mikpritës me të ftuar specialë, për të festuar bashkë me pjesëmarrësit një organizim të rëndësishëm në sektorin e autos. Ky event vijon të zhvillohet dhe të mbledhë aktorët kryesorë të sektorit, që shfaqin cilësinë dhe standardet e tyre më të larta, në një treg me sfida të shumta.
Ditën e dytë, më datë 11 Tetor, u zhvillua Automotive Forum, një pjesë e rëndësishme ndërgjegjësuese e Tirana Auto Sallon 2019, i cili mblodhi aktorë të rëndësishëm të qeverisjes, infrastrukturës dhe mjedisit, sigurise rrugore si dhe sigurimeve, etj. Temat që u prekën ishin siguria rrugore, diskutimi i politikave të reja në fushën e mbrojtjes mjedisore, si dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit nga sektori i transportit; nismat e reja ligjore të ndërmarra nga Ministria dhe impakti përkatës etj.
Z. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, pjesë e panelit të forumit, falenderoi Expocity Albania për këtë organizim të kthyer tashmë në një traditë, si dhe theksoi premtimin e mbajtur, reduktimin e makinave nën euro 4.
Gjatë ditëve të Auto Sallonit 2019 u zhvillua edhe një aktivitet i veçantë dhe dinamik, i tipit Drift & Burnout, i quajtur “Smoke Monkeys”. Pesë kampionë të driftit nga Kosova dhe Shqipëria, 200 makina ekstreme të kategorisë sport/supersport/race/classics off road dhe project cars u bënë pjesë e aktivitetit Të apasionuar të autove dhe motorëve ndoqën driftet e realizuara nga profesionistët më të njohur në Ballkan. Një garë plot adrenalinë e cila u finalizua me tre çmime kryesore.
Tirana Auto Sallon 2019 u mbyll më datën 13 tetor, pas katër ditëve të larmishme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.