Pas një rënieje gjatë pandemisë, vitin e kaluar, Islandën e vizituan 2,2 milionë turistë, rreth 7 herë më shumë se numri i popullsisë vendase. Nga 2024 deri më 2026, shteti ishullor nordik i Europës pritet të mirëpresë deri në 2,5 milionë turistë në vit.
Bumi i turizmit në Islandë, sipas shkrimit të Bloomberg, me titullin: “Islanda vazhdon të ushqejë bumin e saj turistik. A do t’i shtyjë kjo vendasit jashtë?” (më poshtë gjeni linkun e shkrimit) nisi nga 2009, pasi krizës botërore të sistemit bankar në vitin 2008.
Papritur, ishulli dikur tepër i shtrenjtë, ishte tashmë i përballueshëm për turistët, falë fushatave të marketingut të drejtuara nga qeveria dhe marrëveshjet e linjave ajrore islandeze, të llojit “Ndalesë falas për këdo në Reikjavik” që joshnin udhëtarët.
Pas krizës së 2008-s, bumi turistik konsiderohej një lajm i mirë për ekonominë e ishullit, e cila u mbërthye në kolaps financiar në atë periudhë. Nga ana tjetër, ky bum turistik po shkakton probleme për rreth 400,000 islandezë, të cilët po luftojnë me sfidat e të jetuarit në një vend të orientuar kryesisht rreth turizmit.
Islanda është një vend pak më i madh se Irlanda, po e sheh ofertën e strehimit afatgjatë të pakësuar, për shkak të rritjes së lartë të apartamenteve që po jepen me qira ditore nëpërmjet Airbnb. Rritja e numrit të tyre ndikon te strehimi i vendasve.
Sipas shkrimit të “Bloomberg”, referuar të dhënave nga AirDNA, vetëm në kryeqytetin e ishullit Reikjavik ishin të listuara 8 mijë apartamente për qira ditore në AirBnb në vitin 2023, pothuajse sa 8% e të gjitha banesave rezidenciale (101 mijë apartamente banimi).
Krahasuar me 2022, numri i apartamenteve të listuara në Airbnb u rrit me 70%. Sipas një studimi të 2019-s, të cilit i referohet Bloomberg, rezultoi se të paktën gjysma e të gjithë apartamenteve të vendosura në qendër janë për qira turistike dhe deri në dy të tretat e shtëpive të listuara në Airbnb ishin më parë për qiramarrës afatgjatë.
Shndërrimi i njësive afatgjata në qira ditore në Airbnb vlerësohet jashtëzakonisht fitimprurës nga Mar Mixa, profesor i asociuar i financës në Universitetin e Islandës. Por problemi, tha ai, është se qiratë e ripërdorura “nuk janë taksuar në përputhje me rrethanat, dhe nuk ka stimuj në vend për të ndërtuar ndërtesa që nuk kanë lidhje me turizmin”.
Për të adresuar problemin e strehimit, qeveria zbatoi politikën e saj të parë të strehimit vitin e kaluar, duke u zotuar të ndërtojë 4,000 apartamente në vit për 5 vitet e ardhshme. Por gjërat nuk kanë nisur mirë.
Vlerësimet e fundit tregojnë se nevojiten më shumë se 5,000 apartamente në vit dhe vetëm 2,800 e tyre pritej të përfundonin deri në janar. Ndërkohë mungesa e fondeve ka reduktuar në mënyrë dramatike ndërtimet e reja.
Së pari, problematika po ndihet nga vendasit, të cilët tregojnë për Bloomberg vështirësitë e gjetjes së një apartamenti me qira afatgjatë, për shkak të zgjerimit të tregut të qirasë afatshkurtër.
Problemi ndërlikohet më tej, pasi banorët e Islandës historikisht kanë qenë të lidhur me pronësinë. Në vitin 2022, sipas statistikave të Islandës, vetëm 1/5 e banorëve morën apartamente banimi me qira nga gati 1/3 që kishin marrë para pandemisë.
Me më pak vende të disponueshme, një raport i vitit 2021 zbuloi se deri në 7,000 njerëz, më pak se 2% e popullsisë totale kishin banuar në banesa të paligjshme, duke përfshirë ndërtesa komerciale.
Ndërsa shtrëngimi ndihet ndoshta më së shumti nga qiramarrësit, edhe pronarët kanë qenë gjithashtu nën presion nga rritja e normave të interesit, të cilat janë më të lartat në Europën Perëndimore, me 9.25%. Disa kanë parë që pagesat e tyre mujore të hipotekave të dyfishohen vitin e kaluar, pasi Banka Qendrore ka rritur normat për të qetësuar ekonominë e mbinxehur.
Një çështje tjetër që qeveria duhet të zgjidhë është edhe diversifikimi i tregut të punës. Nga rreth 200,000 njerëz të punësuar aktualisht në Islandë, rreth 35,000 janë në turizëm. “Ne nuk kemi qenë shumë aktivë në krijimin e politikave për llojin e tregut të punës që duam të krijojmë”, – tha ekonomisti Arsgeir Brynjar Torfason.
Pasojat e mungesës së diversifikimit të tregut po ndihen te vendasit. Një qiramarrës i ri i kryeqytetit Reikjavik pavarësisht se ka një diplomë master në histori, tregon se po lufton shumë për të gjetur punë në fushën e tij.
Pas një dekade si kamerier dhe menaxher në hotele, ai është ngopur me turizmin dhe nuk sheh mundësi të tjera në Islandë për veten dhe bashkëshorten. “Ëndrra jonë, – tha ai, – është të shkojmë jashtë vendit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.