Në një nga daljet publike në fund të javës, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, tha se “fenomeni i emigracionit është historik dhe normal dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për t’u shqetësuar, apo për ta hiperbolizuar”.
Ndonëse një shprehje që nuk shkëputet nga konteksti i stilit qeverisës në mandatin e dytë, e që mund ta gjykosh pothuaj të pritshme e që nuk habit njeri, cinizmi që përpiqet të fshehë është revoltues për të paktën dy arsye:
Së pari, si ka mundësi që një qeveri të mos shqetësohet kur populli vazhdon t’i largohet vendit të tij e t’i drejtohet emigracionit në këto shifra të larta, edhe pasi kanë kaluar 25 vjet nga rënia e komunizmit dhe mjerimi që prodhoi, a thua se statusi i emigrantit është statusi më i lartë shoqëror për një qenie njerëzore.
Së dyti, si mundet që qeveria, jo vetëm nuk po mundohet ta shikojë të vërtetën në sy, por fshihet pas shprehjeve letrare e bombastike, që synojnë ta minimizojnë problematikën dhe ta paraqesin fenomenin e rishfaqur, si një ndodhi të zakonshme e që nuk kërkon vëmendje të posaçme.
Kreu i qeverisë tha se fenomeni i emigracionit është moment historik. Ky është i vetmi përfundim për të cilin jemi dakord, por për arsye krejt të ndryshme me ato të qeverisë.
Ky është një moment historik, sepse pas më shumë se dy dekadash, që nga emigracioni biblik dhe shembjes së një sistemi komunist në vitet ‘90, shqiptarët po largohen me të njëjtin intensitet dhe masë nga vendi. Ky është një moment historik, por jo shenjë shprese, po njollë e zezë, dëshpërimi.
Qeveria mundohet të shpjegojë dhe të paraqesësh ajo që po i ndodh Shqipërisë, u ndodh edhe vendeve të tjera, madje më shumë, ndaj ajo nuk ka pse të fajësohet. Por nuk ka asnjë qeveri në botë që i gëzohet largimit të njerëzve të saj, as një ekonomi në botë që t’i gëzohet largimit të kapitalit human, asnjë shoqëri që i gëzohet largimit të trurit.
Përkundrazi, ka programe dhe beteja të përditshme për t’i mbajtur apo për t’i kthyer me oferta serioze njerëzit që të besojnë dhe të kontribuojnë për vendin e tyre. Ndërsa sot, Shqipëria nuk ka asnjë qasje serioze politike dhe as politika që t’i bindë shqiptarët të kthehen.
Qeveria mundohet të justifikohet se emigracioni nuk po ndodh për arsye politike (azilkërkuesit), pasi gabimisht (apo qëllimisht) gjykon se kjo është fija e vetme që mund ta lidhë atë me fajin. Në fakt, ka të drejtë, shqiptarët po ikin se nuk kanë punë.
Qeveria thotë se është e drejtë e çdo njeriu, edhe e shqiptarëve, të kërkojnë mirëqenie më shumë nga puna e tyre, por harron se këto vitet e fundit ka ndodhur që vendit nuk po i largohet krahu i punës, por truri, mjekët, inxhinierët, teknikët e mesëm etj. Pra nuk është çështje pune po çështje prosperiteti i zymtë, sepse njerëzit ndihen të paplotësuar për shkak se në këtë vend, gjërat nuk po ndryshojnë në raport me përpjekjet e tyre.
Ashtu siç e thotë edhe INSTAT, por që qeveria “nuk e ka lexuar këtë pjesë”, rreth 80% e të kthyerve në atdhe raportojnë se gjejnë, si dekada më parë, të njëjtën cilësi të dobët të shërbimeve publike, arsimit, shëndetësisë dhe ka pak punë.
Shifrat zyrtare dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se arsimi nuk po u qaset nevojave të tregut, se shqiptarët janë të fundit që përfitojnë nga burimet e tyre natyrore, krahasuar me vendet e tjera (Banka Botërore), se mundësitë për të investuar janë të kufizuara (INSTAT për numrin më të lartë të kafeneve në Europë), se vlera e shtuar e mirëqenies është e ngadaltë sa do t’i duhen mbi gjysmëshekulli të kapin nivelin e qytetarëve të BE-së (BERZH).
A e dini se çfarë i bën të palumtur shqiptarët. OKB, kur mat 6 variablat e palumturisë, ndër to përfshin edhe indeksin e korrupsionit (lexo monitor.al). Shqipëria renditet sipas këtij nënindeksi ndër 20 vendet më të korruptuara në botë dhe ku shqiptarët janë ndër 10 popujt më të palumtur.
Por, siç duket, qeveria po vijon t’u bëjë bisht këtyre të vërtetave duke u përpjekur “të shesë” emigracionin si një fenomen dhe jo si pasojë e një sistemi të shembur besimi dhe mundësish ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.