Kur kemi ndërtuar apo blerë një shtëpi, kur kemi blerë një makinë të përdorur, kemi menduar gjithçka përveç eficiencës së energjisë. Duke përjashtuar vitet e fundit, kur importi i makinave të reja është rritur ndjeshëm dhe për ndërtimet e fundit po përdoren termoizolues, gjithçka tjetër na shpenzon më shumë energji se ç´duhet. Nga vlerësimet e bëra nga Fondi i Hapur Rajonal për Energjinë, në vend shpenzohen 174 ktoe energji për të siguruar një prodhim me vlerë 1 mijë dollarë, ndërkohë që Kroacia (vend me temperatura më të ulëta) shpenzon 143 ktoe energji. Krahasimi nuk mund të bëhet me Gjermaninë, një vend edhe më i ftohtë por që kryeson në eficiencën e energjisë. Pika e fortë e Gjermanisë është pika e dobët e Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit, eficienca e energjisë. Pikërisht për këtë, javën e kaluar, ambasada gjermane në Shqipëri zhvilloi një konferencë-debat me ligjvënës e përfaqësues të shoqatave mjedisore.
Nga “detyra e shtëpisë” së Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të ulë me 9% konsumin e energjisë përmes rritjes së eficiencës së energjisë në banesa, transport, shërbime e bujqësi deri në vitin 2017. Zëvendësambasadori gjerman theksoi se sipas direktivës për eficiencën e energjisë, vendet e BE-së janë angazhuar që deri në 2018-n të ulin me 20% konsumin e energjisë përmes rritjes së eficiencës dhe Gjermania po e mbështet Shqipërinë në sektorin e energjive me projekte dhe fonde të veçanta.
Me përdorimin eficient të saj, Gjermania e uli 80% konsumin e energjisë mes periudhës 1978-2009. Kjo do të ishte një shifër e lartë për një treg si Shqipëria, ku përveç zhvillimit të gabuar të deritanishëm, i cili nxit konsumin e lartë të energjisë, nuk e kemi bërë pjesë të jetës kursimin e saj, pavarësisht se e paguajmë më shtrenjtë se edhe shumë vende më të pasura. Për më tepër, zbatimi i dobët i ligjit ka prekur edhe këtë fushë.Aheron Hizmo, ekspert i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për projektet e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së saj, theksoi se ka një fond të hapur prej 12 milionë eurosh për shtatë vendet e rajonit të Ballkanit, për uljen e eficiencës së energjisë. Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) tregojnë se deri më tani, janë hartuar strategjitë dhe normat ligjore për eficiencës e energjisë, por siç thekson edhe Hizmo, “ka ligje, të cilat nuk kanë gjetur zbatim në praktikë”. Si ligji i eficiencës për energjinë, edhe ai i etiketimit të produkteve elektronike (miratuar në 2009-n) nuk po gjejnë zbatim, sipas ekspertëve të burimeve natyrore. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Agjencinë e Burimeve Natyrore të hartojë plane ambicioze për eficiencën e energjisë.
Arta Nanaj, eksperte e AKBN-së, prezantoi dy planet kombëtare të masave për energjitë e rinovueshme dhe për eficiencën e energjisë, të cilat do të zbatohen deri në vitin 2018, sipas direktivave të BE-së. Sipas saj, “deri në vitin 2018 duhet të ulet në 9% konsumi i energjisë përmes rritjes së eficiencës së energjisë”. Sipas sektorëve parashikohet që konsumi të ulet 22% në banesa, 19% në sektorin e shërbimeve, 25% në industri, 31% në transport dhe 3% në bujqësi”.
Për këtë do të duhej zbatimi i ligjit për eficiencën e energjisë, dhe respektimi i kodit të banesës. Tashmë edhe ndërtuesit duket të jenë më të kujdesshëm në investime. Pasi në një të ardhme të afërt, AKBN ka parashikuar të fillojë auditimin në ndërtesa mbi 250 metra katrorë. Ato parashikohet të auditohen çdo tre vjet për nivelin e eficiencës së energjisë.
Ulja e planifikuar e konsumit të energjisë përmes eficiencës (deri në vitin 2018)
- 9% e energjisë në total
- 22% në banesa
- 19% në sektorin e shërbimeve
- 25% në industri
- 31% në transporte
- 3% në bujqësi
Transporti, konsumatori më i madh i energjisë
Rritja e numrit të mjeteve të transportit, veçanërisht ai rrugor, ka ndikuar direkt në rritje të dukshme të konsumit të lëndës djegëse, naftës dhe benzinës, duke e kthyer sektorin në konsumatorin më të madh të burimeve energjetike, që në bilancin total vjetor llogaritet në 44% të tij. Transporti rrugor do të vijojë të rritet, pasi po zhvillohen politika të reja për rritjen e transportit publik. Nga masat e parashikuara për rritjen e eficiencës së energjisë (deri më 2017-n) pritet që pesha e këtij sektori të zbresë në 26,7% të totalit të shpenzimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.