Por furnizimet dhe marrja janë të pasigurta, shkruan The Economist
Në një vit të zakonshëm, në Velodrom, një arenë e mbyllur në Berlin me kapacitet deri në 12,000 persona, mbahen evente sportive, shfaqje tregtare dhe koncerte. Këtë vit, eventi më i madh për të cilin po bëhen përgatitje, është një vaksinim masiv.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të janarit, njerëzit do të kalojnë nëpër 75 kabinat e arenës që janë duke u instaluar, për të marrë dozat e furnizimeve të para të vaksinave Covid-19 në Gjermani. Dy nga aeroportet e papërdorura të Berlinit dhe vende të tjera, po kthehen gjithashtu në qendra vaksinimi. Plani është për të vaksinuar 20,000 banorë të Berlinit në ditë, për gjashtë javë. Kjo do të përbënte 10% të banorëve të qytetit, kryesisht të moshuar.
Gjermania po nxiton për të krijuar më shumë se 430 qendra vaksinimi të këtij lloji. Po ashtu po organizon ekipe vaksinimi roaming për azilet. Në pranverë, vaksinat do të bëhen të disponueshme në zyrat e mjekëve. Ekipet e lëvizshme do të vizitojnë të sëmurët në shtëpi.
Vendet e tjera europiane po përgatiten gjithashtu, megjithëse shumë janë prapa Gjermanisë. Italia ka në plan të krijojë 300 qendra vaksinimi për Covid-19, duke filluar me spitalet dhe njësitë e lëvizshme. Në Europën Lindore ka vonesa dhe disa vende nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë ngritur “task forca”.
Pika e fillimit për vaksinim në Bashkimin Europian do të jetë më 29 dhjetor, kur Agjencia Europiane e Ilaçeve (EMA), rregullatori i ilaçeve për BE-në, do të marrë vendimin mbi një vaksinë Covid-19 të krijuar nga Pfizer dhe BioNTech, e cila tashmë është miratuar në Britani. Më 12 janar, EMA do të marrë vendimin mbi një vaksinë të dytë, nga firma amerikane Moderna. Më tej do të vijohet me vaksinat e tjera Covid-19 që janë ende në prova klinike. Duket se në vitin 2021, shumica e vendeve europiane do të përdorin njëkohësisht tre ose më shumë vaksina kundër Covid-19.
Dhe një shumëllojshmëri vaksinash do të jetë e nevojshme. Furnizimet globale të secilës prej tyre do të jenë të kufizuara për muaj të tërë. Debatet për vaksina gjatë pandemisë H1N1 (gripi i derrave) në vitin 2009, i lanë disa vende europiane me furnizime të pamjaftueshme. Duke pasur këtë parasysh, Komisioni Europian, dega ekzekutive e BE-së, në fillim të këtij viti, organizoi marrëveshje të përbashkëta paraprake, në emër të të gjitha 27 shteteve anëtare, me zhvilluesit e disa vaksinave të mundshme Covid-19 (shih grafikun).
Këto kompani morën me qindra miliona euro për të ngritur struktura prodhimi, edhe para se të miratohen vaksinat e tyre. Në këmbim, ato po rezervojnë sasi të mëdha dozash për BE-në, me një çmim të caktuar. Vaksinat e miratuara do të shpërndahen nga prodhuesit në çdo vend të BE-së, në proporcion me popullsinë, pasi dozat të bëhen të disponueshme.
Premtimet
Për momentin, BE-së i janë premtuar deri në 300 milionë doza të vaksinës Pfizer dhe 160 milionë doza të Moderna-s. Të dyja kërkojnë dy injektime, kështu që duhet të jetë e mjaftueshme për të mbuluar 60% të të gjithë të rriturve në BE. Problemi është se një pjesë e mirë nuk do të jetë gati para pranverës, edhe nëse nuk ka ngërçe në prodhim, gjë që nuk është e garantuar, pasi vaksinat janë të reja dhe zinxhirët e prodhimit shtrihen në disa vende.
Në fillim të vitit 2021, Italia, një vend me 60 milionë banorë, pret që të marrë mjaftueshëm doza nga dy vaksinat për 4.7 milionë njerëz. Sipas disa vlerësimeve, nëse Gjermania mbështetet vetëm në vaksinën e Pfizer, do të duhen dy vjet për të vaksinuar 60% të popullsisë së saj, pragu i parashikuar edhe për “imunitetin në masë”, nivelin që ndalon përhapjen e sëmundjes.
Prandaj disa vende po tregohen të paduruara për të plotësuar mungesat me furnizime jashtë BE-së. Hungaria po importon një vaksinë ruse të paverifikuar nga EMA. Gjermania po lidh marrëveshjet e veta individuale me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave, duke iu bashkuar një radhe që tashmë përfshin Amerikën, Britaninë, Japoninë dhe një konsorcium global që po blen vaksina Covid-19 për vendet e varfra. Qeveritë europiane i kanë varur shpresat në suksesin e disa prej vaksinave të tjera që janë duke u zhvilluar.
Duke qenë se për njëfarë kohe, kërkesa do të tejkalojë ofertën, qeveritë po ndërhyjnë për të vendosur se cili do të ketë përparësi. Përgjigjja ndryshon sipas shtetit. Për shembull, Bullgaria, planifikon të fillojë me punonjësit e mjekësisë, sepse spitalet e saj janë të mbingarkuar me pacientë me Covid-19 dhe infeksionet midis mjekëve dhe infermierëve janë përhapur në mënyrë të shfrenuar.
Ndërsa Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë peshuar përfitimet e vaksinimit të grupeve të ndryshme dhe kanë vendosur të nisin me të moshuarit. Ekspertët gjermanë morën në konsideratë tre skenarë: vaksinimi i atyre me sëmundje, personave mbi 60 vjeç dhe personave mbi 80 vjeç. Modelet e tyre statistikore tregojnë se nëse vaksinohen vetëm 500,000 njerëz në javë, gjatë një periudhe 12-javore, do të ndodhë ulja më e madhe e vdekjeve dhe shtrimeve në spital. Vitet e jetës së fituar nga vaksinimi i grupit mbi 80 vjeç gjithashtu vlerësohet se janë të shumta.
Nga prilli ose maji, problemet e vaksinimit të Europës mund të ndryshojnë: dozat e vaksinës mund të jenë më të shumta, por marrësit mund të jenë shumë të paktë. Sondazhet që i pyesin europianët nëse do të ishin të gatshëm të merrnin një vaksinë kundër Covid-19, po japin rezultate shkurajuese. Sondazhi Ipsos zbuloi se në disa vende, pjesa e njerëzve që thanë “po” ra midis gushtit dhe tetorit.
Një shenjë e hershme që duhet vërejtur, është shkalla e marrjes së vaksinës midis punonjësve të shëndetësisë, të cilët shumica e vendeve europiane planifikojnë t’i vaksinojnë më herët. Shumë prej tyre i shmangin vaksinat sezonale të gripit dhe kanë dyshime në lidhje me sigurinë e vaksinave të para kundër Covid-19. Mjekët janë të prirur të besojnë keqinformimin në lidhje me vaksinat ashtu si kushdo tjetër.
Por Jacques de Haller, ish-president i Komitetit të Përhershëm Europian të Mjekëve, një shoqatë profesionale, thotë se disa mjekë i shmangin vaksinat e gripit thjesht për arrogancë, duke besuar se janë të pamposhtur ndaj sëmundjes.
Bazuar në të gjitha këto, disa ekspertë kanë frikë se, pa fushata të forta të mesazheve publike, marrja e vaksinave në Europë, mund të jetë në nivelin 40%. Fushatat masive të komunikimit publik tashmë janë duke u planifikuar. Një ide që qarkulloi në Gjermani ishte slogani “Mëngët lart”, me fotografi të njerëzve të qeshur që marrin injektimin, ndoshta me një numër telefonik qendror, ku njerëzit mund të telefonojnë për të rezervuar një takim.
Por do të nevojiten shumë më tepër sesa postera dhe parulla. Në Francë, ku njerëzit janë ndër më të dyshimtit në Europë ndaj vaksinave, me miliona njerëz kanë parë “Hold-Up”, një dokumentar dyorësh në internet, i mbushur me trillime konspirative rreth vaksinave Covid-19. Ai është mjaftueshëm i saktë sa për të shkaktuar konfuzion te shikuesit.
Teksa dozat e vaksinave fillojnë të mbërrijnë në qytetet europiane, një pyetje e madhe mbetet pa përgjigje. A do ta shohin njerëzit atë si mënyrën më të mirë për të mbrojtur gjyshen, për të frenuar pandeminë dhe për ta kthyer jetën në normalitet? Apo do ta shohin si një ilaç të rrezikshëm që tregtohet nga qeveri dhe korporata të pabesueshme dhe do të vendosin të mos ngrenë mëngët? Nëse shumë bëjnë zgjedhjen e gabuar ose egoiste, viti 2021 do të jetë një tjetër annus horribilis./ Përktheu Lira Muça