Administrata tatimore do të vazhdojë deri në muajin nëntor fushatën informuese me bizneset për fiskalizimin.
Akti normativ për mosvendosjen e masave administrative do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2021. Për këtë periudhë tranzitore Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ripërsërit se qasja e saj ndaj tatimpagueseve do të jetë këshilluese.
“Qasja e Administratës Tatimore do të jetë këshilluese dhe informuese për t’i ardhur në ndihmë çdo tatimpaguesi. AT i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të marrin pjesë në trajnimet Online të cilat kanë nisur që prej muajt Nëntor të vitit të kaluar, për t’u informuar sa më mirë rreth këtij procesi. Gjithashtu do të vazhdojë fushata e vizitave në terren deri në muajin nëntor në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve duke i ndihmuar për plotësimin e disa hapave të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit”, thanë tatimet për Monitor.
Nga 1 shtatori nisi faza e tretë e fiskalizimit, ku do të përfshihen 90,000 subjekte, kryesisht biznes i vogël. Sipas të dhënave të tatimeve deri tani janë fiskalizuar 36, 847 biznesi nga totali i 120,000 bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen. Nga bizneset e fiskalizuara 20,685 prej tyre janë biznese të vogla. Në total numri i bizneseve të pajisura me certifikatën elektronike të AKSHI-it arrin 62% e bizneseve aktive që duhet të fiskalizohen.
Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me parë në dorë në total janë 29,239 dhe tatimpagues që kanë lëshuar fatura pa para në dorë janë 20,755. Nga të dhënat rezulton se numri i faturave me para në dorë është 46,6 mln dhe i faturave të fiskalizuara pa para në dorë është 2,2 mln.
Si do veprohet me faturat e shitblerjes të biznesit të vogël
Nga 1 janari 2022 kur nis zbatimi i penaliteteve bizneseve do t’u duhet të bëjnë të gjitha deklarimit arke, orare pune, etj. Kontabilistët pohuan më herët se kjo pritet të krijojë vështirësi, pasi biznesi i vogël ende nuk e ka të qartë procesin. Pas 1 janarit edhe faturat e shitblerjes të biznesit të vogël nuk do të kryhen sipas sistemit të vjetër të faturimit. Pas përfundimit të fazës tranzitore bizneset nuk kanë mundësi të shkarkojnë librat e shitjes në e-filing. Kontabilistët kërkuan që në portalin SelfCare të formatohet libri i blerjeve dhe shitjeve siç e kërkon ligji për TVSH-në, pasi ashtu siç del libri është i komplikuar dhe jo në përputhje me ligjin e TVSH-së.
“Dorëzimi i deklaratës së librave të shitjes dhe blerjes do të vazhdojë të kryhet manualisht nëpërmjet e-filing, sipas edhe njoftimit që kemi publikuar më parë në faqen tonë: https://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/1668/dorezimi-i-deklarates-se-tvsh-se-dhe-librave-te-shitjes-dhe-blerjes-do-te-vijoje-te-kryhet-nepermjet-e-filing
Deklarimi i gjendjes fillestare në arkë është detyrim ligjor dhe tatimpaguesi duhet të deklarojë gjendjen fillestare para lëshimit të faturës (nuk ka limit për çelje fillestare të arkës).
Për sa i përket orarit të punës, përcaktohet nga vet tatimpaguesi sipas dinamikës së aktivitetit që ushtron.
Çdo tatimpagues për më tepër informacion duhet t’i referohet faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në adresën: https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi të drejtohen në çdo moment në platformën Help Desk, në faqen http://helpdesk.tatime.gov.al të kontaktoni Administratën Tatimore, nëpërmjet shërbimit për tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale ku janë të regjistruar, apo videot udhëzuese në Youtube për mënyrën e përdorimit të Self-Care”, sqarojnë tatimet.
Më herët kontabilisti Sotiraq Dhamo kërkoi që librat e shitjes dhe të blerjes duhet të formatohen në platformën SelfCare sipas formatit aktual të ligjit për TVSH-në me qëllim që mos krijohen probleme pas 1 janarit 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.