Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, dhe homologu i tij francez Bruno Le Maire kanë diskutuar të ardhmen e Europës.
Një normë minimale e taksës së korporatave mund të luajë një rol në këtë drejtim.
Ministrat e financave nga Franca dhe Gjermania kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të mbështetur një taksë minimale prej 21% të korporatave siç është propozuar nga homologu i tyre amerikan, sipas një interviste të përbashkët të botuar në gazetën Die Zeit.
Bruno Le Maire i Francës dhe Olaf Scholz i Gjermanisë po zhvillonin bisedime në lidhje me Fondin Europian të Rimëkëmbjes dhe vendimin për të marrë 750 miliardë euro (905 miliardë dollarë) borxh për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike të bllokut. Të dy ministrat u shprehën se do të pajtoheshin me një normë minimale prej 21% të taksës së korporatave.
“Unë, personalisht, nuk kam asgjë kundër propozimit të SH.B.A-së”, tha Scholz për gazetën gjermane. “Nëse ky është rezultat i negociatave, ne gjithashtu do të biem dakord”, shtoi Le Maire. Cili është qëndrimi europian mbi normat e taksave të korporatave?
Sekretarja e Thesarit e SH.B.A. Janet Yellen, paraqiti shifrën e propozuar të një norme minimale tatimore prej 21% për korporatat në fillim të këtij muaji. Ajo tha se po punonte me vendet e tjera të G20 për të arritur një marrëveshje mbi një normë minimale globale të taksave.
Le Maire theksoi në intervistë se një normë minimale prej 12.5% ishte tashmë në shqyrtim ndërsa Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD) po diskutonte rregullat e reja.
Die Zeit pyeti dy ministrat nëse ata kishin folur me homologët e tyre në Irlandë, Maltë dhe Luksemburg në lidhje me këtë propozim, pasi këto vende përfitojnë nga një normë më e ulët e taksës së korporatave sesa fqinjët e tyre. “Negociatat janë duke vazhduar”, u përgjigj z.Scholz.
“Niveli i shkallës së taksës është pjesë e këtyre diskutimeve”.
Cili do të jetë roli që Europa do të luajë në të ardhmen?
“Njerëzit janë të lodhur nga kompanitë e mëdha që nuk paguajnë pjesën e tyre të taksave. Dhe ata janë të lodhur nga fakti që kompanitë dixhitale nuk paguajnë të njëjtën normë taksash si kompanitë e vogla, as në Gjermani dhe as në Francë”, tha Le Maire, duke përmendur kompanitë e teknologjisë si Amazon, të cilat kanë pasur mosmarrëveshje paraprake. Të dy ministrat e financave gjithashtu kthyen vëmendjen e tyre në pozicionin afatgjatë të Europës brenda ekonomisë botërore duke dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Për La Maire, çështja e rëndësishme është roli që Europa do të luajë në një botë të përcaktuar nga konkurrenca midis SH.B.A-së dhe Kinës mbi epërsinë ekonomike globale. “Ose do të mbetemi teknologjikisht dhe ekonomikisht konkurrues, ose do të zbresim në ligën e dytë”, tha ai. Çelësi për Scholz është “Sovraniteti Europian” dhe ndërtimi i një baze për të ardhmen.
“Bota e së ardhmes do të jetë një botë me 10 milion njerëz dhe disa pole të fuqisë: SHBA-ja, Kina, por edhe Rusia dhe shtete të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine”, tha Scholz./DW