Gjermania ka varrosur të shtunën shpresën për negociata për të mos çuar Greqinë në faliment, duke thënë se një vendim i papritur i kryeministrit grek Aleksis Tsipras për të thirrur një referendum, nuk kishte lënë asgjë për të diskutuar, përveçse si të përballen me dështimin e aftësisë paguese.
Të shqetësuar se vendi do të shpallë paaftësi paguese dhe madje edhe të lënë eurozonën, grekët mbajtën radhë në automate për të tërhequr fonde, edhe pse nuk ka pasur shenja të panikut në Athinë. Shumë dukeshin sfidues, duke thënë se Tsipras u kishte ofruar atyre një mundësi të rëndësishme për të përcaktuar fatin e tyre.
Ministrat e financave evropiane u takuan në Bruksel për atë që ishte menduar si një shans i fundit për një marrëveshje për të shpëtuar Greqinë nga mospagimi i borxhit ndaj FMN-së të martën.
Por, ata u zunë në befasi mesnatën duke hyrë e shtuna, pasi Tsipras hodhi poshtë ofertën e tyre, duke e lënë fatin e masave shpëtuese në dorë të votuesve vetëm pas afatit të së martës. Disa thanë se ajo që kishte mbetur për të diskutuar ishte “Plani B”, – si të kufizohej dëmi.
“Ne nuk kemi asnjë bazë për bisedime të mëtejshme,” tha ministri gjerman i Financave Volfgang Shable. “Është e qartë që ne kurrë nuk mund të përjashtojmë surpriza me Greqinë, kështu që mund tëkjetë gjithmonë shpresë. Por asnjë nga kolegët e mi me të cilët kam folur tashmë nuk sheh ndonjë mundësi për atë që ne tani mund të bëjmë.”
“Greqia ka lënë tryezën e bisedimeve dhe kështu që ne jemi në një situatë ku të martën programi përfundon, sepse nuk ka më negociata,” tha ai.
Aleksandër Stub i Finlandës e quajti të shtunën “potencialisht një ditë shumë e trishtuar, posaçërisht për popullin grek. Unë mendoj se me shpalljen e këtij referendumi ne e kemi në thelb të mbyllur derën për çdo negociatë të mëtejshme.”
“Ka pak a shumë një konsensus brenda Eurogrupit që ne nuk mund të zgjasim programin në këto kushte dhe si rrjedhim Plani B bëhet Plan A.”
Meqë shumica e bankave greke ishin mbyllur për fundjavë, nuk kishte asnjë shenjë të panikut në rrugët e Athinës. Zyrtarë të qeverisë thanë se nuk kishte asnjë plan të vendoseshin kontrolle të kapitalit që do të kufizojnë tërheqjet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.