Ndryshojnë rregullat e përdorimit të aplikacionit më të përdorur për menaxhimin e fotove, si për smartphone me sistem operativ Android edhe iOS
Edhe disa orë na ndajnë nga komoditeti i gjetjes së arkivuar të të gjithë fotove të bëra me smartphone në “sirtarin dixhital” të Google Photos, apo mundësia për të ngarkuar manualisht fotot origjinale në format në cilësi të lartë pa kufizime dhe pa zënë Gbyte të çmuar hapësirë arkivimi. Më datë 1 qershor (një lajm i njoftuar muaj më parë dhe i rikujtuar nga kolosi i Mountain View së fundi) shërbimi do të vijojë të ngarkojë foto e video, por për të bërë këtë do të zërë hapësirën falas në cloud prej 15 Gbyte, e cila i rezervohet çdo përdoruesi të BigG.
Në thelb ndryshojnë rregullat e përdorimit të aplikacionit, i cili nisi të funksionojë në 2015. Ai është një nga më të përdorurit për menaxhimin e fotove, si për smartphone me sistem operativ Android, edhe iOS. Këto rregulla Google i ka saktësuar me përpikëri – përmbajtjet me cilësi të lartë dhe me cilësi standard do të ruhen në hapësirën e arkivimit të account-it tuaj dhe kur të arrini limitin e arkivimit falas, mund të abonoheni në Google One për të pasur hapësirë memorie shtesë ose duhet të fshini përmbajtjet dhe të vijoni me opsionin e ruajtjes falas.
Cilido që është joaktiv për 24 muaj ose më shumë në Drive, Gmail dhe Google Photos, mund t’i eliminohet account-i dhe të humbë të dhënat e ruajtura. Lajme të mira për ata që përdorin një smartphone Pixel (nga seria 1 te 5), të cilët do të mund të përdorin pa kufizime Google Photos edhe pas afatit, edhe pse do të nevojitet të bëni një backup në pajisjen tuaj.
Kostot e shërbimit me pagesë
Ata që do të vendosin të ruajnë përmbajtjet e tyre në Google Photos duhet të paguajnë 1.99 euro në muaj brenda kufirit 100 Gbyte, ndërsa për të pasur hapësirë 200 Gbyte ose 2 terabyte, do të duhet të paguani përkatësisht 2.99 dhe 9.99 euro në muaj. Lajmi i mirë është se gjithë fotografitë me rezolucion të lartë të ngarkuara para 1 qershorit nuk do të përfshihen në hapësirën e kufizuar 15 Gbyte dhe kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të sistemuar apo për t’i zhvendosur (për t’i kopjuar) online.
Mjetet e reja të disponueshme në aplikacion
Për të shmangur humbjen e kujtimeve të çmuara dhe për t’ua lehtësuar detyrën gjithë përdoruesve të shërbimit, Google ka krijuar disa instrumente falas për t’i ndihmuar ata. Brenda aplikacionit, për shembull, një instrument i krijuar për këtë qëllim, do të vërë në pah fotot dhe videot që mund të fshihen pasi nuk kanë cilësi të mirë, apo për screenshot të thjeshtë, në mënyrë që të mos zënë hapësirë të çmuar.
Një tjetër instrument në aplikacion do të bëjë një vlerësim të personalizuar se sa kohë do t’ju duhet deri sa të arrini limitin e 15Gbyte në dispozicion. Algoritmi do të analizojë shpeshtësinë e backup-it të fotove dhe videove, numrin e fotove të ngarkuara çdo herë dhe gjithë materialet e tjera që lidhen me account-in e Google.
Sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga kompania, 80% e përdoruesve të shërbimit ka aktualit hapësirë edhe për të paktën 3 vjet.
Burimi: Il Sole 24 Ore