Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka raportuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti për të gjetjet e Raportit të Progresit për vitin 2020. Mehmeti tha se sektori bankar jo vetëm që ka arritur të përballojë pandeminë, por gjithashtu ka luajtur një rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike.
Në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kanë raportuar përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti tha se janë në proces të liberalizimit të tregut bankar dhe të sigurimeve, derisa ka shtuar se roli i BQK-së është ta rrisë konkurrencën dhe stabilitetin.
Ai tutje tha se situata pandemike Kosovën në sektorin bankar e ka gjetur në gjendjen të shëndoshë.
“Sistemi financiar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe kjo konfirmohet nga institucionet më kredibile. Kriza pandemike e gjeti sektorin bankar në Kosovë me një gjendje të shëndoshë. BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ishte pjesë e grupit ndër institucional për hartimin e masave emergjente për ta hartuar planin e rimëkëmbjes. Roli si BQK-së është që ta rrisim konkurrencën dhe ta ruajmë stabilitetin. Sa i përket tarifave kompanitë e sigurimeve, përmendet se ne kemi angazhuar ekspertë të Bankës Botërore dhe kjo është çështje që do të adresohet gjatë këtij viti”.
Kurse, Sokol Havolli, zëvendësguvernator në BQK tha se niveli i çmimeve për herë të parë në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001.
“Niveli i çmimeve për herë të parë dhe fundit në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001, dhe nëse dëmi mesatar atëherë ka qenë 400 euro tash sillet rreth mbi 1 mijë euro”.
Eman Rrahmani nga VV-ja, tha se normat e interesit të bankave janë të papërballueshme për qytetarët.
“Normat e interesit janë të larta në sektorin financiar dhe marrësit janë shtresa më e varfër që nuk kanë një marrëdhënie pune, pse BQK nuk vepron për të përmirësuar situatën në këtë sektor, si shpjegohet që në rastin e primeve të sigurimet që shkojnë direkt te kompanitë ndërsa kur është pyetje për qytetarët qëndron e shpërbërë”.
Guvernatori i Mehmeti duke i’u përgjigjur deputetit Rrahmani tha se çmimet do të rregullohen përmes liberalizimit të çmimeve.
:Normat e larta të interesit në mikrofinanca janë të larta. Sa i përket tarifave për kompanitë e sigurimeve, për këtë arsye janë angazhuar ekspert të fushës nga Banka Botërore, presim sivjet raportin e tyre për këtë sektor. Por, jemi edhe në proces të liberalizimit të çmimeve të tregut edhe sa i përket atyre të sigurimeve”, tha Mehmeti.
Deputeti Bedri Hamza nga PDK-ja ka kërkuar që t’i përmbahen rendit të ditës. Këtë reagim Hamza e bëri menjëherë pas pyetjes së deputetit Rrahmani.
“Nëse i përmbahemi pikës së rendit të ditë për të cilën e kemi marr materialin unë po rekomandoj që t’i përmbahem rendit të ditës në të kundërtën, ne duhet të thërrasim në raportim çdo institucion, mirëpo unë po mendoj që ne t’i përmbahem rendit të ditës”.
Hamza shtoi se mungesa e stabilitetit politik ka penguar edhe zhvillimin e reformave, derisa ka shprehur shqetësimin e moskompletimit të bordit.
“Mungesa e stabilitetit politik ka dikuar në mos zhvillimin e reformave. Unë besoj që ne duhet të fokusohemi në kompletimin e bordit dhe besoj që në. je afat të shkurtë kuvendi me kryer punën e vet”.
Sa i përket automjeteve të pa siguruara guvernatori Mehmeti tha se janë duke u përpjekur që ta ulin përqindjen e tyre.
Ndërsa për Kartonin e Gjelbër ai tha se katër kritere janë plotësuar, por mosanëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara e ka penguar këtë proces.
“Është në gjetje në raportin e progresit dhe ne kemi pasur takime me të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme që të ulët përqindja e automjeteve të pa siguruar. Katër kriteret janë të plotësuar dhe një kusht që e ka penguar ka qenë mos anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në Kosovë janë mbi 208 mijë automjete të pasiguruara”.
Ndërsa për veturën prej 60 mijë eurosh, Mehmeti tha se ai nuk e ka për obligim të merret me procedurat e prokurimit, derisa tha se vetura i shërben Bankës Qendrore.
“Ka qenë temë e diskutimit, nuk merrem unë me procedura të prokurimit është kompetencë e drejtorit të administratës, nuk mundesh me gjet kontratë që e kam nënshkruar unë dhe nuk dua me u marr me këtë çështje, merrem me të nëse shkelen procedurat e prokurimit, por e di se procesi ka shkuar shumë mirë”.
Mehmeti gjithashtu ka potencuar se kanë angazhuar ekspertë nga Banka Botërore për analizën e rritjes së çmimeve të sigurimeve.
Ndërsa, Komisioni pa diskutim ka miratuar raportin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe i plotësuar me rekomandime të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.