Sapo është hapur një muze, ku mund të eksperimentosh me 70 atraksione në shkencë, psikologji, biologji, matematikë e fizikë, për të mësuar e për t’u argëtuar, si kurrë më parë
Vini në provë trurin tuaj, sytë, imagjinatën duke qeshur, duke bërtitur nga habia, duke lëvizur në hapësira të paimagjinueshme – sot, këtë mund ta bëni në Muzeun e Iluzioneve, i cili sapo është hapur në Milano, pranë Stacionit Qendror.
Një muze interaktiv, me më shumë se 70 atraksione mbi shkencën, matematikën, biologjinë dhe psikologjinë ku mund të vini në provë veten dhe të eksperimentoni duke mësuar, për shembull, se si funksionon perspektiva dhe perceptimi optik, nën shoqërinë e familjes, shokëve të klasës ose edhe vetëm, për të kaluar një orë ndryshe.
Vizita kaq zgjat, pasi një orë është limiti i kohës që lejon mendjen njerëzore të provojë veten në lojërat e iluzionit, me kënaqësi e pa stres. Gjatë turit në pesë dhoma mund të provoni çdo herë një përvojë të ndryshme dhe interesante.
Në sallën “Ames” ju përjetoni iluzionin viziv të rritjes ose zvogëlimit, thjesht duke ecur përpara ose pas midis një xhuxhi dhe një gjiganti; në sallën “e rrotulluar”, do të rrotulloheni rreth vetes; pastaj është salla “koka në tabaka” dhe ajo e “karriges”, në të cilën kuptojmë se dimensioni i perceptuar i një personi varet nga ai i objekteve rreth tij, dhe pastaj përfundon midis “iluzioneve optike”.
Muzeu i Iluzioneve vjen në Milano nga Kroacia. Ideja origjinale lindi në vitin 2015, në Zagreb dhe më pas ka udhëtuar në Kajro, Dubai, Çikago dhe Nju Jork e në shumë qytete të tjera. Bashkë me Milanon, bëhen 33 qytete në 5 kontinente.
“Milano – thotë Roko Zivkovic – një ndër themeluesit – është qendra e dizajnit, inovacionit dhe modës. Qyteti ka muze dhe qendra kulturore të rëndësishme. Hapja e Muzeut të Iluzioneve këtu për ne ka qenë një objektiv i rëndësishëm. Në këtë moment ka një domethënie të rëndësishme – na lejon t’i japim qytetit një vend rekreacioni dhe mësimi për të gjitha moshat, si një simbol i rifillimit për post-pandeminë”.
/ Vanity Fair Italia