Industria e prodhimit të këpucës në vend, që zotëron rreth 20% të totalit të eksporteve, me 480 milionë euro në vit, po përfshihet në një cikël të ri, që fillimisht rrezikon të krijojë vështirësi në eksporte dhe punësim. Shitjet jashtë vendit ranë në dy muajt e parë të vitit, ndërsa ndryshimi i stilit të jetesës po diversifikon shpenzimet nga veshjet drejt argëtimit. Fabrikat shqiptare mund të përfitojë nga trendet e reja që kërkojnë shumëllojshmëri dhe prodhime në sasi më të pakta. Pashai, Mici dhe Laro skicojnë profilin e ri të industrisë
Blerina Hoxha
Video Shifra & Fakte
Industria e këpucëve drejt një profili tjetër
Industria e prodhimit të këpucës në vend, që zotëron rreth 20% të totalit të eksporteve, me 480 milionë euro në vit, po përfshihet në një cikël të ri…
Të udhëtosh në ditët e sotme të jep më shumë kënaqësi se blerja e dy-tre palë këpucëve firmato. Shmangia nga luksi i tepërt dhe të veshurit thjesht dhe më pranë komoditetit po sjell një trend të ri në shportën e shpenzimeve të konsumatorëve europianë. Një stil i ri jetese po ndryshon shportën e shpenzimeve në disfavor të veshjeve dhe këpucëve në drejtim të argëtimit dhe eksplorimit të botës.
Kjo qasje ka vënë para zhvillimeve të reja industrinë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në tërësi në të gjithë zinxhirin e saj.
Pjesë e këtyre ndryshimeve është bërë edhe industria shqiptare e këpucëve e cila, edhe për shkak të paqëndrueshmërisë, luhatjeve të kursit të këmbimit edhe të politikave të brendshme, është bërë më e brishtë këtë vit.
Pas një rritje të lartë në dekadën e fundit, eksportet e këpucës këtë vit ranë për herë të parë me 2.3% me bazë vjetore gjatë janar-shkurt. Dobësitë nisën vitin e kaluar, kur eksportet ulën ritmin. Skënder Pashai, i cili prej vitesh zotëron fabrikën Fital, një nga më të mëdhatë e prodhimit të këpucës në vend, tha se kërkesa në tregun ndërkombëtar ka hyrë në një cikël të ri. Ai pohoi se kjo situatë do të shkaktojë një lloj tranzicioni në dy vitet në vijim në prodhimin “Made in Albania”.
Z. Pashai u shpreh se tregjet kanë ulur kërkesën dhe shitësit kanë stoqe të mëdha, çka do të thotë më pak porosi për këpucë të reja. Kërkesa po diversifikohet drejt shumëllojshmërisë së produkteve dhe në këtë aspekt, Shqipëria mund të përfitojë, por kjo kërkon kohë të paktën dy vjet sa të bëhen ndryshimet në treg. Pashai shtoi se Shqipëria, mund të përfitojë nga kërkesa e re, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me Europën dhe mundësitë për të prodhuar me sasi të vogla dhe shumëllojshmëri. http://www.monitor.al/stili-i-jeteses-ka-ndryshuar-njerezit-pelqejne-me-shume-te-udhetojne-se-sa-te-kene-dy-tre-pale-kepuce-te-shtrenjta/
Ndryshimi i kërkesës në tregjet ndërkombëtare i ka vënë në të njëjtat shina prodhuesit shqiptarë. Donika Mici, e cila nëpërmjet kompanisë Donianna realizon ciklin e mbyllur për eksport, thotë se, industria fason në vendin tonë dhe specifikisht ajo e prodhimit të këpucës, është para një cikli të ri. Ndërkohë që kërkesa në tregun ndërkombëtar po tkurret, kostot e prodhimit në Shqipëri janë rritur prej pagave më të larta.
Mici shprehet se sektorit fason i duhet të shkurtojë kostot e prodhimit nëpërmjet miradministrimit të fuqisë punëtore që të mbijetojë. Nga ana tjetër, duhet të prodhojë për kërkesën në fashën e mesme-të lartë, për konsumatorë me të ardhura mbi mesataren. Procesi kërkon një ndryshim të së gjithë teknologjisë, por rinovimi i saj kushton dhe për ta realizuar kërkon mbështetje me lehtësi nga qeveria. http://www.monitor.al/sektorit-fason-i-duhet-te-shkurtoje-kostot-e-prodhimit-qe-te-mbijetoje/
Industria e prodhimit të këpucës është më novatorja e sektorit fason, pasi ka mundur të azhurnohet më shpejt me trendet e reja globale. Etleva Laro është një sipërmarrëse e re në sektor. Nëpërmjet kompanisë ProDyn, ajo ka sjellë një filozofi të re në prodhimin dhe eksportin e këpucës. Ndryshe nga prodhuesit e tjerë që kanë si destinacion kryesor tregun italian, Laro ka siguruar kontratat me klientë të fashës mbi mesataren me tregun gjerman.
Në dy vjet, ajo ka punësuar 1000 punonjës dhe aktiviteti po zgjerohet me shpejtësi. Për momentin, ajo nuk po i ndien zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasi është e fokusuar në përzgjedhjen e klientëve dhe ka një model prodhimi që i siguron cilësi të lartë kundrejt kostove të ulëta. Ajo tha se pika e saj e fortë është eficenca e burimeve njerëzore, nëpërmjet një zyre trajnimi të ngritur posaçërisht. Miradministrimi i kostove të brendshme dhe korrektësia e kontraktorëve gjermanë i kanë siguruar zonjës Laro rritjen e aktivitetit.
Por prodhuesit janë në një mendje se industria është përfshirë në një cikël të ri. Ky ndryshim kërkon investime në teknologji, thotë zonja Mici, dhe se fabrikat shqiptare duhet të segmentojnë prodhimin për një konsumator mbi mesataren, pasi tashmë fabrikat zotërojnë një fuqi punëtore të specializuar për këto produkte.
Eksportet nisin rënien
Pas një rritje sistematike vitet e fundit, eksportet e fasonit shënuan rënie vjetore me 2% në dymujorin të parë. Eksporti i këpucëve ‘made in Albania’ shënoi 9.7 miliardë lekë nga 10.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti parë, duke reflektuar rënie me 2.3%. Në fund të vitit të kaluar, vlera e eksporteve të këpucëve arriti në rreth 60 miliardë lekë, ose 480 milionë euro, duke u rritur me vetëm 6.1% në raport me një vit më parë. Në vitet e kaluara, ritmet e rritjes së eksporteve të këpucës ishin mbi 10%, dhe me vite të veçanta edheme ritme më të larta. Në vitin 2018, këpucët zunë 19.3% të totalit të eksporteve nga 21.7% që ishte më 2017.
Zoti Pashai, administratori i fabrikës Fital, tha ulja e kërkesës për këpucë në tregjet globale po shton vështirësitë dhe kjo tendencë pritet do të vijojë të paktën edhe në vitin që vjen. Për të përballuar këtë ndryshim të kërkesës, zonja Mici nga Doniana ka në plan të reformojë punën në fabrikë, në drejtim të rritjes së produktivitetit, duke bërë edhe investime në teknologji.
Ekspozim i lartë ndaj Italisë, duhet diversifikim
Gjatë vitit të kaluar, 78% të eksporteve të këpucës kishin si destinacion tregun italian. Eksportet drejt Italisë vitin e kaluar u rritën me 6.1%. Ky përqendrim i lartë i eksportit drejt Italisë është një rrezik i dyfishtë për Shqipërinë, në rast se vendi fqinjë përfshihet në krizë. Dobësia e eksporteve të shqiptare me destinacion tregun italian ka marrë kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, që rekomandojnë diversifikim të eksportit nga prodhuesit shqiptarë.
Fabrika ProDyn prej dy vitesh po rritet me ritme të shpejta në treg sesa kolegët, pasi destinacioni i saj është Gjermania. Vitin e kaluar, eksportet e këpucëve drejt Gjermanisë kapën vlerën e 1.2 miliardë lekëve, rreth 10 milionë euro, me një rritje 166% në raport me vitin e kaluar. Zonja Laro që ka destinacion Gjermaninë nuk e ka ndier krizën që vjen nga kërkesa në tregun europian. Ajo tha se Rumania dhe Bullgaria janë aktualisht më pak konkurruese se Shqipëria, ndaj Gjermania ka zhvendosur prodhimin nga këto vende në tjera me kosto të ulët. “Punoj me kompani të forta gjermane si “Josef Seibel”, që nuk kanë probleme me likuiditetin. Pagesat janë korrekte dhe të mirëpërcaktuara dhe të njëjtën korrektësi e reflektojmë me punonjësit tanë”, – tha zonja Laro.
Sipas të dhënave nga INSTAT, pas Italisë, destinacioni kryesor i këpucës “Made in Albania” është Hungaria Eksportet në këtë vend ranë me 12% në 2018-n. E treta është Spanja, me 2.6 miliardë euro eksporte, ose 4% të totalit të eksporteve. Eksportet drejt Spanjës u rritën me 13% vitin e kaluar, kryesisht për shkak të zgjerimit në këtë treg të kompanisë Fital.
Cikli i ri i prodhimit kërkon…
Cikli i ri në të cilin po futet prodhimi i këpucës kërkon ndërhyrje në dy drejtime. Së pari, rritje të produktivitetit dhe ulje të kostove në tregun e brendshëm dhe targetim të prodhimit për një klientelë mbi mesataren. Donika Mici thotë se kjo lëvizje do të amortizonte humbjet që vijnë nga një kërkesë më e ulët.
Sipas saj, produktiviteti mund të rritet, për shkak se tashmë Shqipëria ka një fuqi punëtore të specializuar e gatshme për të ofruar një produkt me cilësi të lartë. Në një proces që më parë angazhoheshin 7 persona, tani e bën vetëm një punonjës, thotë ajo. Kjo qasje e re kërkon investime në teknologji, që për fabrikën e saj kushtojnë të paktën 3 milionë euro.
Në aspektin e tregjeve globale, Shqipëria ka shanse të kthehet në përfituese, pasi i shkon për shtat më së miri kërkesës së re që kërkon furnizime të vogla dhe të shpejta, për të cilat tregjet aziatike nuk janë atraktive. Prodhuesit kërkojnë se i gjithë ky proces të shoqërohet me lehtësi mbështetëse nga qeveria, ose të paktën politikat e brendshme të mos bëhen pengesë. Vonesat në rimbursimin e TVSH-së e vunë në vështirësi industrinë vitin e kaluar, gjithashtu nënçmimi i euros uli me 6% fitimet e kompanive.
ProDyn hap derën e eksportit të këpucës në Gjermani
Etleva Laro është sipërmarrësja më e re e cila drejton një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend, me 1000 të punësuar, por ajo i ka shumë të qarta idetë se si të përparojë drejt suksesit. Në dy vjet, Laro e ka zgjeruar aktivitetin me shpejtësi, dhe tashmë prodhon për kompani të njohura gjermane si “Josef Seibel”.
Ajo ka në plan të zhvillojë ciklin e mbyllur të prodhimit në vijimësi, duke ruajtur klientët gjermanë, por ndërkohë po ofron një model krejt të ri në administrimin e stafit dhe produktivitetit në procesin e prodhimit. Laro thotë se vonesat e rimbursimit të TVSH dhe kursi i këmbimit e kanë vënë disa herë në vështirësi biznesin e saj, por ajo ka plane të zgjerohet si në drejtim të prodhimit dhe klientëve për tregun gjerman.
Zonja Laro, për një periudhë të shkurtër ju keni ngritur një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend. Si arritët deri këtu?
Fillimisht nëpërmjet kompanisë Eva Solution, e cila është krijuar në prill të vitit 2015, kemi realizuar ndërmjetësimin me tregun gjerman, për prodhimin e këpucës në Shqipëri. Fillimisht Eva merrej me menaxhimin e urdhrave të porosive dhe më pas atë të lëndës të parë. Tregu gjerman kishte interes për të prodhuar në Shqipëri, pasi ne ishim më konkurrues me Rumaninë dhe Bullgarinë, me të cilët ata kishin punuar më parë.
Por shumë shpejt u përballëm me disbalanca ndërmjet porosive dhe sasive të prodhuara, pasi kontraktorët këtu nuk po i respektonin standardet që ne kërkonim me gjithë përpjekjet tona. Ne kishim kontrollorët tanë të cilësisë në të gjitha fabrikat, por sërish proceset e prodhimit ishin në kujdesin e fabrikave. Porositë vonoheshin dhe ne nuk po arrinim kërkesat për cilësi dhe sasi të klientëve tanë.
Klienti më i madh që ne kemi është “Josef Seibel”. Për të ruajtur vijimësinë e biznesit tonë vendosëm të hapnim fabrikën tonë. Në tetor të vitit 2017, ne nisëm aktivitetin nëpërmjet fabrikës tonë ProDyn dhe brenda vitit të parë, arritëm të punësonim 600 vetë. Muaj pas muaji, shtuam linjat e prodhimit dhe numrin e punonjësve pasi kishim nevoja imediate. Kisha një marrëveshje me klientët që brenda vitit të parë për të pasur rezultate të forta, në mënyrë që të vijonte biznesi. Me shumë sukses brenda vitit të parë, ne stabilizuam marrëdhëniet me klientin tonë.
Sa ishte vlera e investimeve dhe cila është fasha e klientëve që i dedikohet prodhimi juaj?
Investimi në makineri është 2.7 milionë euro. Ne kemi kryer kërkime në tregun gjerman për të tërhequr edhe klientë të tjerë përveç “Josef Seibel” dhe e kemi çuar numrin e klientëve në 5. Në këtë mënyrë, kemi bërë edhe një diversifikim të portofolit. Ekspozimi vetëm ndaj një klienti mund të shfaqë problematika në vijimësi. “Josef Seibel” është klienti ynë më i madh që mbulon pjesën më të madhe të kostove me çmim mesatar, por në vijimësi ne kemi shtuar është tre klientë, që janë në fashën e kërkesës mbi mesataren që kërkojnë një produkt më cilësor.
Në fazën e parë, për këta klientë ne kemi prodhuar vetëm pjesën e sipërme. Vlera e punës për këtë kategori është më e lartë se kosto totale për prodhimin e një këpuce në total. Ne kemi filluar të gjithë procesin e prodhimit, duke realizuar edhe montimin për sasi të vogla për klientët Premium. Synimi ynë është që edhe për këta klientë të ofrojmë një këpucë të përfunduar, por ky proces do të jetë i shtrirë në kohë.
Çfarë objektivash keni për zgjerim të mëtejshëm dhe si do t’i arrini ato?
Dua të ndalem pak te mënyra se si kemi vendosur të ndërtojmë dhe të zgjerojmë këtë kompani. Objektivi ynë është të jemi kompania më e mirë në Shqipëri. Dhe këtë do ta arrijmë duke u fokusuar te njerëzit. Unë jam pro filozofisë që njerëzit vijnë të parët, më pas klienti. E di që shumë kompani ecin me moton që klienti është i pari, por për mua janë njerëzit, pasi e them me siguri se pa një staf të motivuar nuk ke as një shans që të te kesh një klient të dedikuar. Nuk besoj në teoritë autokratike të menaxhimit. Në tërësi jemi një kompani sportive sa i përket pjesëmarrjes në vendimmarrje. Çdo punonjës ka të drejtë të shprehë opinionin e vet. Herë pas here bëjmë vëzhgime për të krijuar ide të klimës në kompani.
Madje në bazë të problematikave ne kemi hartuar një plan veprimi. Një nga problematikat ishte se punonjësit nuk ndiheshin të vlerësuar në raport me nivelin e tyre të ekspertizës. Por duhet të kemi parasysh se një ekspertizë e vlerësuar duhet të shoqërohet me një nivel të ri page. Shumë nga punonjësit pretendonin se përgjegjëset e tyre nuk i vlerësonin si duhet njohuritë e tyre. Ndaj ne ngritëm një sistem vlerësimi të pavarur, por edhe trajnimi. Kjo qendër u mor me vlerësimin në bazë të kërkesave të punonjësve dhe më pas u bënë planet përkatëse të trajnimeve.
Çdo nivel ka një pagë më të lartë. Cilido punonjës që do të marrë ekspertizë shtesë ne ofrojmë qendrën e trajnimit, e cila është edhe një hallkë për menaxhimin e kompanisë. Qendra e trajnimit siguron informacione të sakta mbi aftësitë e punonjësve, që na ndihmojnë ne të rrisim produktivitetin. Për çdo porosi apo artikull të ri, nëpërmjet qendrës, nxjerrim edhe nevojat që kemi për staf dhe ekspertizën që duhet të kenë. Duke i ballafaquar me nevojat që kemi, bëjmë planet e trajnimit. Nuk e kemi lënë spontane pjesën e menaxhimit të përditshëm, pasi çdo gjë është e planifikuar nëpërmjet skuadrave të informacionit që na ndihmojnë të planifikojmë dhe të marrim vendimet përkatëse.
EvaSoultion e nisi aktivitetin në prill të 2015-s me 6 persona. Sot Eva ka 15 të punësuar dhe ProDyn, mbi 1000 të punësuar. Të dyja kompanitë vitin e kaluar kanë arritur një qarkullim vjetor 15 milionë euro nga 12 milionë euro më 2017.
Jemi ende në luftë me produktivitetin, pasi ne zgjerohemi në mënyrë të vazhdueshme çdo tre muaj. Zgjerimi ka arritur në nivelin që kërkonim dhe tani, sfida jonë është produktiviteti.
Cili është vlerësimi juaj për klimën e biznesit në Shqipëri?
Unë jam një biznesmene e re dhe e kam bërë vetëm këtë rrugë. Duke marrë në konsideratë shkallën e punësimit, nuk kam parë angazhim për të më ndihmuar në këtë rrugëtim. Shqetësim ka qenë mosrimbursimi në kohë i TVSH-së që na ka krijuar shpeshherë vështirësi në likuiditet. Ka qenë shqetësim në nivele të larta, pasi jemi kompani tërësisht në eksport. Në një moment, ne kishim 1.3 milionë euro të bllokuara. Për të balancuar këtë mungesë, na është dashur të gjejmë mekanizma të tjerë, duke bashkëpunuar me bankat apo me borxhe të marra në periudha të caktuara. Mendoj që vonesa në rimbursimin e TVSH ka qenë problemi kryesor i shkaktuar. Duhet të them se këtë vit ka një përmirësim të ndjeshëm. Sidomos edhe pas miratimit të Paketës së re Fiskale 2019 kemi vënë re një kompensim të përshpejtuar. Kemi edhe gjashtë muaj të tjerë të prapambetur, por ama nga janari në mars ka pasur një përshpejtim.
A ka qenë një shqetësim kursi i këmbimit?
Patjetër. Kursi i këmbimi vitin e kaluar më ka krijuar humbje të paktën 5% në të ardhura. Ne kemi shumë shpenzime në lekë. Pagat dhe qiraja kanë një peshë të ndjeshme në totalin e të ardhurave.
Sektori në të cilin ju operoni ka nisur të ketë shqetësim mungesën e punonjësve. A keni edhe ju të njëjtin shqetësim?
Ka dy faktorë. Së pari është stabiliteti i punonjësve ekzistues. Shoh se punonjësit me njëfarë ekspertize (makinistët) kanë tendencën të lëvizin nga një fabrikë në një tjetër për një sasi të vogël parash. Në kompaninë tonë kemi një sistem pagash, i cili nuk negociohet, por mbështetet në rregulla për të kaluar nga një nivel tek një tjetër në bazë të aftësive, në bazë të disa standardeve..
Së dyti ka vështirësi për punonjës dhe pikërisht për të përmbushur këto nevoja ne kemi ngritur qendrën e trajnimit. Që për nivelet e para ne krijojmë grupe me nga 5-7 vetë dhe kryejmë trajnime ku mësojmë teoritë bazë të qepjes, teksa ofrojmë ekspertizë më të thelluar për stadet e tjera më të avancuara të procesit të prodhimit. Fuqia punëtore është problem por ne kemi gjetur mënyrën se si e trajtojmë.
A keni plane të ciklit të mbyllur?
Ne kemi strategji të mirëmenduar në këtë drejtim, duke ndjekur edhe trendet e tregtimit të këpucëve për të minimizuar risqet dhe për të rritur përfitimet. Nuk është në planet tona marka jonë ose brandy ynë. Në planet tona hyn një gjithëpërfshirje e asaj që ofrojmë te klientët tanë, që do të thotë që nga zhvillimi i produktit deri në kompletimin e tij. Aktualisht, ne kemi nisur krijimin e një skuadre që do të bëjë zhvillimin e produktit.
Klientët orientohen gjithnjë drejt kostove. Ne punojmë me tregun gjerman dhe ata kanë kosto shumë të larta, por zhvillimi i produktit ka mbetur një ekskluzivitet gjerman. Jam gjithnjë në negociata me klientët ekzistues që për prodhimin thjesht të shtojmë gamën e shërbimit dhe ky është fokusi ynë. Duke filluar në një shkallë më të vogël, pasi në treg nuk është e lehtë të gjesh ekspertë që të kryejnë procesin e zhvillimit. Ky shërbim vjen kryesisht nga Italia dhe nuk ka një ekspertizë të mirëfilltë. Për këtë arsye po përpiqemi ta zhvillojmë në mënyrë më graduale, fillimisht me klientët tanë.
Hallka e dytë është blerja e materialeve, pasi edhe kjo të jep pavarësi edhe pse ka risqet e veta. Jam skeptike në zgjedhjet e mia, gjithmonë tentoj risqe të ulëta. Blerja e materialeve kërkon likuiditet. Klientët janë shumë kërkues në drejtim të cilësisë në krahasim me atë që tregu këtu ishte mësuar. Ne kemi punuar fort në optimizimin e proceseve dhe burimeve njerëzore.
Ç’do të thotë të punosh me gjermanët?
Më pëlqen që punoj me gjermanët, pasi kanë një mënyrë tjetër të të punuarit, janë shumë strukturuar dhe të fokusuar në rezultate. Unë punoj me kompani të forta që nuk kanë probleme me likuiditetin. Pagesat janë korrekte dhe të mirëpërcaktuara dhe të njëjtën korrektësi e reflektojmë me punonjësit tonë. E them me krenari se të gjitha pagat në të gjitha nivelet deklarohen në bankë, edhe pse shpeshherë punonjësit këmbëngulin që të mos vetëdeklarohen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.