SPAK ka lëshuar deri tani 8 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për abuzime me koncesionin e sterilizimit.
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Për këtë koncesion kishin nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.
“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
Të dhënat nga bilancet tregojnë se për periudhën 2016-2022, të ardhurat e koncesionarit, që janë pagesa nga buxheti i shtetit përmes parave të taksapaguesve arritën në 8 miliardë lekë, ose 76 milionë euro. (shiko tabelën).
Duke përjashtuar dy vjet që ka dalë me humbje, koncesioni ka fituar rreth 760 milionë lekë (7.3 milionë euro). Norma e fitimit ka qenë mesatarisht rreth 15%. Fitimet më të larta u arritën në 2018 me 265 mln lek (2.5 milionë euro) dhe 2022 me 215 mln lek (2 milionë euro).
Viti me të ardhura më të larta ishte ai 2018, me 1.7 miliardë lekë të ardhura, shumë që ishte më e lartë sesa parashikimi buxhetor, duke bërë që Ministria e Shëndetësisë të urdhëronte kufizimin e operacioneve (jo të domosdoshme) për të parandaluar shpenzimet tej parashikimit.
Ministria e Financave, në një raport të vitit 2020 për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, çka ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.
Kostoja e këtij koncesioni u rrit ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale, në raport me parashikimet.
Në projektbuxhetin e vitin 2020, në tabelën që sqaron financimet buxhetore për koncesionet, Ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.
Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Por, të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave tregojnë se planifikimi ka qenë shumë i gabuar dhe situata ka dalë nga kontrolli në 2018-n. “Niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë është 62 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117 000 ndërhyrje”, thuhet në raport.
Po në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë përmbylli një proces rinegocimi me kompaninë “Sani Servise” me qëllim që të ulë kostot e pagesave buxhetorë, të cilat kishin kaluar parashikimet në kontratë për shkak se, numri i operacioneve të zhvilluara në spitale ishte më i lartë se parashikimet.
Ministria e Financave bëri të ditur se pas negociatave u ra dakord me koncesionarin që për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit. Zbritja do të aplikohet duke filluar nga fatura përmbledhëse mujore për muajin në të cilin do të rezultojë dhe do të njoftohet nga koncesionari, tejkalimi i 63,000 ndërhyrjeve në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.