Inflacioni në Eurozonë ra në 2.6 për qind në shkurt, pak më e lartë se sa pritej nga ekonomistët, pasi çmimet e konsumit, pa përfshirë energjinë dhe ushqimin, vazhduan të rriteshin me ritme të forta.
Rritja vjetore e çmimeve të konsumit në 20 vendet që përdorin monedhën e përbashkët Euro u ngadalësua nga 2.8 për qind që ishte në janar, por ishte pak më e lartë se norma prej 2.5 për qind e parashikuar nga ekonomistët në një sondazh të Reuters.
Inflacioni bazë, duke hequr komponentët e paqëndrueshëm të energjisë, ushqimit, alkoolit dhe duhanit, ishte 3.1%, nga mbi 2.9% që pritej.
Agjencia e Statistikave të Bashkimit Europian tha se ushqimet, alkooli dhe duhani kishin normën më të lartë të inflacionit në shkurt me 4%, të ndjekur nga shërbimet me 3.9%.
Çmimet e energjisë, të cilat u rritën shumë vitin e kaluar si rezultat i luftës ruse në Ukrainë, vazhduan të ulen, me shkallën e deflacionit duke lëvizur nga -6.1% në -3.7%.
Investitorët po kërkojnë të dhëna se kur Banka Qendrore Europiane do të fillojë të ulë normat e interesit, me çmimet e tregut që tregojnë për një ulje në qershor.
Megjithatë, shumë zyrtarë të BQE-së ende theksojnë se u duhen të përfundojnë negociatat e pranverës për pagat përpara se të kenë një pamje më të qartë të presioneve të brendshme inflacioniste.
Shifrat e shkurtit do të jenë kontradiktore për politikëbërësit, pasi inflacioni bazë po mbahet mbi 3% edhe pse norma totale lëviz drejt objektivit 2% të BQE-së. Rritjet e çmimeve megjithatë janë lehtësuar ndjeshëm nga kulmi i tyre prej 10.6% në tetor 2022.