Anëtarësimi në Bashkimin Europian kushtëzon adoptimin e legjislacionit europian në të gjitha aspektet e çështjeve sociale dhe ekonomike, përfshirë energjinë dhe mjedisin.
Objektivi kryesor në politikat e mjedisit dhe energjisë në BE, është i njohur me akronimin “20:20:20” deri në vitin 2020. Ky objektiv i referohet përmirësimit 20% në efikasitetin e energjisë, 20% e konsumit të energjisë, e cila duhet të prodhohet nga burime të rinovueshme dhe 20% reduktim të emisioneve të CO2 nga niveli i vitit 1990.
Shqipëria ka shprehur bindshëm vullnetin e saj për t´u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe për këtë qëllim ka një konsensus të plotë jo vetëm nga faktori politik dhe vendimmarrës, por edhe nga shoqëria në përgjithësi. Si rrjedhojë, edhe vendi ynë duhet të plotësojë objektivat e eficencës së energjisë, të përcaktuara si një kusht mjaft i rëndësishëm i integrimit.
Por politikat e energjisë nuk mund të zbatohen vetëm në nivel kombëtar. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet e Ballkanit, ku vendosja e lidhjeve energjetike dhe harmonizimi i legjislacionit me BE-në shihen parësore për zhvillimin e tregut rajonal të energjisë.
Për të nxitur bashkëpunimin rajonal, në datat 17-19 tetor 2011 u zhvillua në Beograd nga shkolla politike serbe, aktiviteti rajonal “Dialogu Publik për Përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Evropën Juglindore”. Aktiviteti mblodhi përfaqësuesit e parlamenteve, ministra, drejtues institucionesh, ekspertë, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile si dhe medias nga i gjithë rajoni, me qëllimin për të shkëmbyer eksperiencën e deritanishme në realizimin e objektivave të vendosura për eficencën e energjisë. Secili nga vendet e rajonit është zotuar për arritjen e këtyre objektivave. Konferenca i shërbeu fuqizimit të dialogut publik në përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në rajonin e Europës Juglindore dhe u dha pjesëmarrësve mundësinë për të treguar rëndësinë e aktiviteteve të tyre për të arritur objektivat 20-20-20 të Bashkimit Europian, që po bëhen gjithnjë e më shumë domethënëse për rajonin e Europës Juglindore në rrugën e rij drejt perspektivës europiane.
Përmes mandatit legjislativ është përgjegjësia e institucioneve parlamentare për të siguruar balancën e nevojshme në procesin demokratik të vendimmarrjes, si zbatimi i objektivave 20-20-20 të Bashkimit Europian.
Problemet e ndryshimit të klimës dhe ndikimit të tyre në sigurimin e energjisë zunë një vend të rëndësishëm në konferencë. Konvergjenca e shqetësimeve ndërkombëtare rreth ndryshimeve të klimës në dekadën e fundit ka çuar në rritjen e ndërgjegjësimit të politikëbërësve dhe publikut në përgjithësi rreth çështjeve të energjisë dhe krijimit të një paradigme të re të energjisë. Degradimi mjedisor që vjen nga ndryshimi i klimës është shumë planësh. Një mënyrë për të adresuar çwshtjet komplekse të lidhura me ndryshimet klimaterike është të rritet eficienca e energjisë he përdorimi i energjisë së rinovueshme, duke reduktuar në këtë mënyrë emetimet e gazrave në atmosferë.
Shqipëria, rritja 9% e eficiencës së energjisë deri në 2018
Objektivi i vendosur nga Shqipëria është rritja e eficencës së energjisë në masën 9 % deri në vitin 2018 me synimin që në një të ardhme të afërt të synohet edhe zotimi “20:20:20”. Një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare është sigurimi i furnizimit me energji përmes shfrytëzimit më të mirë të burimeve të energjisë, diversifikimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Për të arritur objektivat e eficiencës së energjisë po hartohen tre ligje, ai i energjisë së rinovueshme, eficiencës së energjisë dhe për sektorin e energjisë, theksoi gjatë konferencës “Dialogu Publik për Përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Evropën Juglindore”, z.Jemin Gjana, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Këto ligje do të jenë në përputhje me legjislacionin evropian. Sipas z.Gjana vëmendje po i kushtohet rritjes së kapacitetit të energjisë duke shfrytëzuar burimet e shumta ujore të Shqipërisë.
Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin e enrgjisë për përmirësimin e legjislacionit, përmirësimin e rendimentit të sektorit të energjisë, rritjen e tarifave për të mbuluar kostot, liberalizimin e tregut. Para një muaji është miratuar në qeveri Strategjia Kombëtare e Energjisë, ndërkohë që pritet të futen në rendin e ditës për votim nga parlamenti përpara dhjetorit edhe dy draftet e reja të ligjit për “eficencën e energjisë” dhe ligjit për “energjitë e rinovueshme”.
Hapat e mëtejshme, që do të çojnë në zbatimin e objektivave për rritjen e eficiencës së energjisë janë:
-zbatimi i planit strategjik për eficiencën e energjisë;
-Krijimi i fondit të eficiencës së energjisë
-Krijimi i programeve lokale për rritjen e transportit publik;
-Krijimi i menaxhimit të energjisë për të gjithë konsumatorët që përdorin energji intensive;
-Krijimi i standardeve minimale në prodhimin, transportin dhe shpërndarjes si të energjisë ashtu dhe të ngrohjes;
-Krijimi i sistemeve të certifikimit për familjarët dhe përdorues të tjerë.
Dialogu Publik për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në EJL
Për të arritur objektivat e eficencës së energjisë nevojitet një bashkëveprim nga të gjitha nivelet e shoqërisë, jo vetëm nga institucioneve publike dhe ato vendimarrëse por edhe shoqëria civile, biznesi dhe media. Nëpërmjet sensibilizimit të përgjithshëm për rëndësinë e këtyre objektivave, mund të sigurohet ambjenti i duhur për realizimin e strategjive kombëtare që synojnë eficencën e energjisë.
Në këtë aspekt, ka lindur edhe iniciativa “Dialogu Publik për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në Evropën Juglindore”, si një bashkëpunim i organizatës gjermane GIZ dhe rrjetit rajonal të shkollave të studimeve politike, një program i Këshillit të Evropës për trajnimin e liderëve të rinj. Edhe Shqipëria është bërë pjesë e këtij programi, nëpërmjet bashkëpunimit të GIZ Albania dhe “Akademisë së Studimeve Politike”. Objektivi i këtij programi është sensibilizimi, nxitja e dialogut dhe krijimi i një klime debati mes ekspertëve dhe vendimmarrësve politikë, për të krijuar terrenin e nevojshëm drejt progresit në arritjen e objektivave të rritjes së efikasitetit të energjisë.
Në plan veprimin e saj, iniciativa parashikon takime informuese me drejtues të ministrive dhe ekspertë të institucioneve hartuese të politikave energjitike dhe mjedisore, diskutime me ligjvënës të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe komisionit të Veprimtarisë Prodhuese Tregtisë dhe Mjedisit, biseda me përfaqësues të shoqërisë civile, biznesit të përfshirë në këtë sektor dhe atë të kreditimit si dhe përfaqësues të mediave të ndryshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.