Në fund të vitit 2013, numri i zyrave të këmbimit valutor arriti në 333 ose 11 zyra këmbimi valutor më shumë se vitin e kaluar, raporton Banka e Shqipërisë.
Gjatë këtij viti u akorduan 18 licenca të reja, ndërkohë që u revokuan me kërkesë të vetë subjekteve 9 licenca. Në harkun kohor 19992-2013, periudhë gjatë të cilës shtrihet kryerja e veprimtarisë së këmbimit valutor nga subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë, viti 2008 dhe viti 2010 shënuan rritjen më të madhe të numrit të zyrave të këmbimit valutor.
Ndërkohë, në vitin 2013 krahasuar me vitin e kaluar, ndryshimi i numrit të zyrave të këmbimit valutor ishte me rritje më të ulët se në vitin 2012 (ose 11 zyra këmbimi valutor nga 21 zyra të shtuara vitin e kaluar).
Gjatë vitit 2013, thekson BSH, të gjitha kërkesat e ardhura nga subjektet u finalizuan me dhënien e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, miratime u dhanë edhe për kërkesat e zyrave të këmbimit valutor të licencuara më parë, për zgjerimin e veprimtarisë së tyre nëpërmjet hapjes së zyrave të reja si dhe punësimit të kambistëve të rinj.
Përsa i takon shpërndarjes gjeografike të zyrave të këmbimit valutor, BSH sqaron se ato janë të lokalizuara dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në 24 qytetet kryesore të vendit.
Përqendrimi më i madh i tyre mbetet në qytetin e Tiranës. Zgjerimi i shtrirjes gjeografike të subjekteve të licencuara për zyra këmbimi valutor gjatë vitit 2013 përfshiu 8 rrethe të vendit, ku vetëm qyteti i Tiranës zë 51% të totalit të rritjes ose 10 zyra këmbimi valutor të licencuara rishtazi.