“I kemi kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi që ta shkarkojë ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila për shkak të vendimit kontrovers që ka marrë, sa i përket tarifës 35% për importin e çimentos nga Shqipëria”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri” brenda partisë së Behxhet Pacollit.
Ai ka theksuar se AKR-ja është e shqetësuar me vendimin e Kusari-Lilës sepse nga krijimi i monopolit janë dëmtuar në masë të madhe edhe bizneset edhe qytetarët.
Por, këtë kërkesë e ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani, e cila është shprehur se nuk ka informacion për këtë kërkesë.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit në Tiranë me kryeministrin Berisha është shprehur se çështja do të zgjidhet brenda javës.
Nga ana tjetër Dogana e Kosovës ka dënuar fabrikën e prodhimit të çimentos “SharrCem” për mashtrim tarifor. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci i cili tha se ende nuk dihet shuma e përcaktuar nga Komisioni për Kundërvajtje Doganore.
Kjo masë erdhi pasi “SharrCem “ është përpjekur të kalojë në mënyrë të fshehtë çimento nga kufiri me Maqedoninë. Rreth 12 maune me çimento të papërpunuar kanë qëndruar në kufirin me Maqedoninë pasi doganierët kosovarë dyshonin se brenda tyre kishte çimento dhe
jo lëndë të parë siç ishte deklaruar. Ky deklarim është bërë për t’iu shmangur taksës 35% të importit.
Më 11 qershor të këtij viti Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mori vendimin për vendosjen e masës tarifore prej 35% për të gjithë importuesit e çimentos, me arsyetimin se nga importi i këtij produkti është dëmtuar prodhimi vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.