Ish-pronarët duhet të plotësojnë formularintip dhe dokumentet që provojnë pronësinë mbi pronën e pretenduar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të përfituar kthimin apo kompensimin e pronës. Formulari merret në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe dorëzohet i plotësuar dhe i shoqëruar me dokumentet përkatëse dorazi ose me postë. Sipas legjislacionit në fuqi, subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, depoziton në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij.
Kërkesa e subjektit të shpronësuar, trashëgimtarëve të tij ligjorë ose përfaqësuesit me prokurë, duhet të jetë sipas formularit- tip, i cili publikohet nga gazeta, për aplikimin e kërkesave për njohje e kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari- tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.
AFATET
Pronarët të cilëve u është marrë toka në vitet e para të komunizmit dhe nuk kanë aplikuar ende për njohjen dhe kompensimin e pronës, kanë afat deri në 23 maj për të aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Pronarët ose trashëgimtarët e tyre duhet të paraqesin vetëm dy dokumente: një dokument arkivor të njohur zyrtarisht dhe një pozicionim hartografik të pronës që pretendohet për njohje pronësie. Dokumentet duhet të paraqiten në zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave ose në postë në adresë të agjencisë.
/Balkanweb
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.