Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se tri mostra kanë rezultuar pozitive në variantin britanik të koronavirusit në Kosovë. Ai ka thënë se 30 mostra janë dërguar për analizim në një laborator në Gjermani. Aktualisht Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në konferencë për media ka thënë se nga 30 mostrat që kanë dërguar për analiza në Gjermani, tri prej tyre kanë rezultuar pozitive.
“Ditëve të kaluara Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dërguar 30 mostra për testim në Berlin të Gjermanisë me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të koronavirusit në Kosovë pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të tjera të botës. Nga interesimi jonë i përgjithshëm rezultatet e këtyre analizave kanë treguar se tri mostra kanë rezultuar pozitiv me variantin britanik B117”.
Ai ka shtuar se ky variant është raportuar për herë të partë në Britaninë e Madhe.
Zemaj ka shtuar se situatën epidemiologjike jemi duke e monitoruar në vazhdimësi dhe paraqitet stabile dhe e qetë.
“Ky variant e dini është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 dhe ne si Republikë e Kosovës menjëherë kemi marrë masat duke pezulluar të gjitha fluturimet me këtë shtet”, ka thënë Zemaj.
Në anën tjetër drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se janë duke u hulumtuar kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri të coronavirusit.
Ramadani ka shtuar se masat parandaluese janë të njëjta.
Ndërkohë autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të premten 342 persona të infektuar me koronavirus, pas testimit të 1,926 mostrave.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka thënë në një konferencë për media se në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë viktima me këtë virus.
Sipas IKSHPK-së, të premten nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, janë shëruar 235 persona, derisa raste aktive janë 6,211.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 59.646 persona të infektuar me këtë virus. Prej tyre, 1,487 pacientë kanë vdekur.
Aktualisht Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar, prej raportimit të variantit të ri me koronavirusit në këtë shtet vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.