Kriza ekonomike ka ngadalësuar zgjerimin e institucioneve financiare të mikrokredisë në vend.
Një nga treguesit që dëshmon stanjacion është aksesi i tyre në burimet e likuiditetit të sektorit bankar.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia për korporatat e tjera financiare është një nga segmentet e pakta të kredisë që në fund të vitit të kaluar ngelej në rënie, pa mundur të rikuperojë nivelet e parakrizës.
Në fund të nëntorit 2020, kredia për korporatat e tjera financiare kishte vlerën e 13.1 miliardë lekëve ose rreth 106 milionë eurove. Portofoli ka pothuajse të njëjtën vlerë krahasuar me një vit më parë, ndërsa është tkurrur me 6.4% krahasuar me muajin mars 2020.
Pikërisht në mars 2020, kredia për korporatat e tjera financiare arriti nivelin më të lartë historik, për rreth 14 miliardë lekë. Por, shpërthimi i krizës ka sjellë një rënie të menjëhershme në nivelet e fundit të vitit 2019.
Sektori financiar në Shqipëri në tërësinë e vet është likuid dhe huamarrja shfrytëzohet kryesisht nga institucionet e mikrofinancës. Këto kompani nuk mund të pranojnë depozita të publikut, ndaj tentojnë të sigurojnë burime ndërmjetësimi financiar përmes instrumenteve të tjera. Institucionet më të konsoliduara kanë arritur në fitojnë akses në linja financimi nga jashtë, prej enteve që synojnë zhvillimin e segmenteve specifikë të tregut, siç mund të jetë bujqësia, apo bizneset e vogla dhe të mesme.
Një pjesë tjetër financohen me obligacione, kryesisht të financuara nga kompanitë mëmë jashtë vendit. Por, në një pjesë të konsiderueshme këto institucione marrin hua në bankat tregtare me qëllim kredidhënien me norma më të larta interesi në nivel mikro. Duke qenë se këto institucione japin hua në segmente me rrezik më të lartë, zakonisht normat e interesit janë ndjeshëm më të larta krahasuar me sektorin bankar, sidomos kur bëhet fjalë për kreditë e vogla konsumatore. Rrjedhimisht, mbështetja te kredia bankare rezulton sërish instrument fitimprurëse në biznesin e tyre. Megjithatë, një nga pasojat më të shpejta të krizës për mikrofinancën ishte shtrëngimi i ndjeshëm i burimeve të financimit. Statistikat e kredisë për këtë segment ndërmarrjesh e konfirmojnë këtë shtrëngim.
Por, rënia e kredisë mund të reflektojë edhe një kërkesë më të ulët për burime të reja financimi. Përfaqësuesit e institucioneve të mikrofinancës shprehen se megjithë përmirësimet e ndjeshme pas rihapjes së ekonomisë, në mesin e vitit 2020, sërish kreditimi në këtë segment nuk është ende në nivelet e parakrizës. Në këtë kuptim, tkurrja e kredisë për institucionet financiare mund të jetë një tregues i tërthortë se biznesi i mikrofinancës konsumatore nuk ka arritur të rimëkëmbet plotësisht pas krizës./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.