Tsipras u thotë anëtarëve: Nëse nuk votoni, qeveria bie…
Kryeministri Aleksis Tsipras po lufton për të fituar miratimin e ligjvënësve të mërkurën për një marrëveshje ndihme për të mbajtur Greqinë në euro, ndërsa kreditorët e vendit, të gjendur nën presion nga FMN-ja për të ofruar lehtësim për borxhin masiv, nuk po arrijnë të bien dakord për një linjë jetësore financiare.
Pasi i është dorëzuar kushteve të rrepta të kreditorëve për një paketë të tretë shpëtuese, Tsipras duhet të mposhtë një rebelim të partisë së tij SYRIZA, që është kundër masave shtrënguese për të nxitur kalimin e reformave pro-tregut dhe uljen e shpenzimeve.
“Kjo është një marrëveshje e vështirë, një marrëveshje që vetëm koha do të tregojë nëse është ekonomikisht e qëndrueshme”, tha ministri i tij i financave, Euklidi Tsakalotos, gjatë një debati mbi reformat me ligjvënësit.
Dhjetëra deputetë, duke përfshirë figura të larta të Syriza dhe partnerë të tjerë të koalicionit, mund të refuzojnë pjesërisht ose plotësisht paketën e shpëtimit, duke e detyruar Tsipras të mbështetet në ligjvënësit e opozitës pro-evropiane për të kryer votimin, që pritet pas mesnate.
Nëse shumica e kryeministrit bie, atëhere mund të priten zgjedhjet e parakohshme, dhe në një shenjë të hershme të problemeve në horizont, zëvendës ministrja e financave dha befas dorëheqjen e saj dhe ministri i energjisë tha se nuk do të mbështesë marrëveshjen.
“Zgjedhja mes paketës shpëtuese apo fatkeqësisë është një zgjedhje e bërë në frymën e terrorit,” tha Panajotis Lafazanis, i cili kryeson krahun e majtë ekstrem të Syriza.
Pasigurive iu është shtuar dhe një studim nga FMN, i cili bën thirrje për më shumë lehtësim borxhi, të cilën shumë shtete europiane, veçanërisht Gjermania, janë të përgatitur ta kundërshtojnë deri tani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.