Një sinjal i ri u shfaq nga fronti grek me datë 5 korrik, nëpërmjet rezultateve të referendumit të shpallur nga kryeministri Tsipras, gjë që tregoi se kërkesat për reformat e kërkuara nga Evropa, ishin shumë të vështira për t’u pranuar. Më pak se një javë më vonë, në datën 11 korrik, parlamenti grek miratoi një ligj, me 251 nga 300 vota, duke i dhënë qeverisë së Tsiprasit autorizimin për të negociuar për një marrëveshje të re me kreditorët, në “dritën” e propozimit që përfshin kushte më të forta se sa ato që u hodhën poshtë nga referendumi. Qeveria nuk ka nevojë për autorizimin e parlamentit për këtë, por tashmë, vijon analiza e “The Economist”, lidershipi politik grek duket se do të shfaqë shpejt një front të ri bashkimi.
Kjo gjendje, thuajse e jashtëzakonshme, mund edhe të përfundojë duke mos arritur asgjë, teksa liderët evropianë që do të takohen në Bruksel mund të vendosin që të mos i bësojnë më Greqisë dhe të vijojnë me planin e rënë dakord. Por, si arriti Tsipras të shkojë nga nxitja te grekët për të votuar kundër një pakete reformash të kërkuara nga kreditorët ( e cila u votua 62 % pro), deri të nisja në parlament e një pakete edhe më të rëndë, brenda një jave të vetme? The economist pyet: Çfarë pasojash do të sjellë kjo kthesë 180 gradë e Tsiprasit?
Një shpjegim është se Tsipras ka një virtyt të jashtëzakonshëm të persuazimit, fakt i cili shkatërroi totalisht “JO” të fuqishme të sugjeruar nga populli grek. Por, arsyeja më e madhe është se grekët tashmë kanë kuptuar se ata nuk mund të kenë më “tortën” e tyre dhe të ushqehen me të. Kjo sepse ajo çfarë referendum premtonte ishte e pamundur: edhe mosaplikimin e reformave të ashpra edhe vijimin e anëtarësimit në eurozonë. Por, tashmë është e qartë se kreditorët e eurozonës nuk ishin në gjendje të negocionin për një “Grexit”, do të ishte edhe për grekët më katastrofike se sa vetë masat shtrënguese..
Këshilltarët e Tsipras arritën të suprizonin kryeministrin grek me performancën e tyre, ndoshta, duke i dhënë atij shpresa iluzive për të ardhmen. “Ai më në fund zgjodhi shtetin mbi partinë” – tha një deputet i opozitës, tashmë i lehtësuar. Por, analistët besojnë se kjo do të vijë me kosto, duke përfshirë edhe “revoltat” nga vetë ministrat dhe anëtarët e partisë së tij.
Yanis Varoufakis, deri ditën e fundit si ministër i financave greke, nuk ka votuar asnjëherë në parlament këto ligje. Pa mbështetjen e tyre tashmë, Tsipras mund të thuhet se nuk përfaqëson më maxhorancën e parlamentit. Për ta rifituar atë, ka disa mundësi: ai mund të ristrukturojë kabinetin e tij dhe të kërkojë dorëheqjen e disa elementëve. Ose, ai mund të shpallë zgjedhje të reja, jo më vonë se ky vit. Një mundësi tjetër është formimi i një koalicioni të ri, me shumë mundësi me grupe si Potami dhe Pasok, të konsideruara si parti të majta-të qendërzuara. Ndoshta, këto mundësi do të sillnin që reformat të implementoheshin siç duhet në parlament dhe më tej.
Shfaqja e mbështetjes nga ana e partive opozitare në votimin e Autorizimit të Masave Shtrënguese ishte një çështje e pragmatizmit, në vend se entuziazëm për paketën e reformave. “Tani është koha për të bërë çdo gjë të mundshme për të mbajtur Greqinë brenda eurozonës,” tha deputeti i opozitës Niki Kerameus.
Për sa kohë që armëpushimi aktual në mesin e politikanëve grekë zgjat, Tsipras mund të gëzojë mbështetje të gjerë edhe jashtë partisë së tij. E gjithë kjo, së bashku me mungesën e trazirave popullore deri më tani, paraqet një shfaqje mbresëlënëse të unitetit grek. Por, sapo është nënshkruar një marrëveshje e refuzuar më parë… S’ka dyshim se “thika” do të dalë përsëri, mbase shpejt…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.