Ishte 9 gusht 1173 kur nisi ndërtimi i kambanores së Katedrales Santa Maria Assunta, ndër monumentet më të famshme në Itali dhe në botë
Ishte 9 gushti i vitit 1173 – në Pizë u vendos guri i parë për ndërtimin e kambanores së Katedrales Santa Maria Assunta në Sheshin Duomo.
Kulla e Pizës, e cila sot mbush 850 vjet, është një ndër monumentet më të vizituara në botë dhe ndër më të njohurit në Toskana në Itali.
Festimet në Piza do të vazhdojnë gjithë vitin, të përuruara në mesditën e sotme nga tingujt e kambanave, më e madhja e të cilave, e vitit 1655, peshon tre tonë e gjysmë.
Themelet e kambanores së pjerrët në shesh, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1987, u lanë të pushojnë për rreth një vit.
Lartësia e Kullës, me diametër të jashtëm 15 metra dhe peshë 14,453 tonë, mund të arrihet duke ngjitur 207 shkallë. Dhe pastaj veçoria e saj: pjerrësia, e cila siç lexohet në faqen Opera della primaziale Pisana, është rreth 5.115°
Kulla e pjerrët, e cila sot feston 850-vjetorin e saj në shëndet të plotë, ka kaluar një periudhë të vështirë.
Në shtator 1995, ekspertët e Komisionit të Mbrojtjes zgjodhën të bëjnë një ankorim në terren për të reduktuar pjerrësinë – kjo gjë nuk funksionoi dhe pati nga ata që menduan më të keqen.
Por ishte këmbëngulja e Michele Jamiolkowski, inxhinier gjeoteknik dhe president i Komisionit,(u shua në moshën 90-vjeçare, më 15 qershor të këtij viti) i cili gjeti zgjidhjen – domethënë gërmimin nën tokë që uli pjerrësinë dhe shpëtoi përfundimisht Kullën.
“Shpëtimi i Kambanores – thotë presidenti i Operës primaziale, Andrea Maestrelli – na lejon sot të festojmë 850-vjetorin, por mbi të gjitha mund të vlerësojmë përpjekjen e projektimit të paraardhësve tanë në ndërtimin e monumenteve të sheshit Duomo, megjithëse në epoka të ndryshme, jo rastësisht, por të tilla që të përfaqësojnë rrugën e jetës njerëzore.
Duke nisur nga lindja (Battistero) te jeta kristiane (Katedralja dhe Kambanorja e saj), te vuajtja (Spitali, sot pjesërisht Museo delle Sinopie) dhe vdekja (Camposanto Monumentale)”.
“Sukseset e së kaluarës, megjithatë, nuk duhet të na bëjnë të mendojmë, që misioni është kryer. E ardhmja mbështetet në dy fjalë sinergjike – qëndrueshmëri dhe mikpritje.
Duam të shohim në të ardhmen duke menduar në një kambanore gjithnjë të ndriçuar me energji të rinovueshme dhe të pastër. Bukuritë e Piazza dei Miracoli duhet të jenë të arritshme për të gjithë, pasi janë menduar dhe realizuar për të gjithë”.
/ Toscana Media News & ANSA