Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se probabiliteti i ekonomisë botërore që të bjerë në kurthin e deflacionit tani mund të jetë deri në 20%.
Është me rëndësi që superfuqitë monetare të G2, SHBA dhe Kina, ta “limitojnë” këtë rrezik, edhe pse ndoshta ato gjithsesi janë tashmë të mallkuara, duke marrë parasysh nivelin e spekulimeve të aktiveve.
“Ne duhet të tregohemi vigjilentë”, tha Christine Lagarde e FMN në Davos.
“Rreziku i deflacionit është çka do të ndodhte në qoftë se do të kishte ‘goditje’ mbi ato ekonomi që tani kanë normat e inflacionit poshtë objektivit. Unë nuk mendoj se dikush mund të mos bjerë dakord se inflacioni në Eurozonë është shumë më poshtë objektivit”.
Goditja ekonomike
“Shoku ekonomik” është përpara syve tanë, teksa Turqia, India dhe Afrika e Jugut “mbajtën frenat”, të detyruara për të mbrojtur monedhën e tyre, teksa po “shteron” likuiditeti botëror.
Banka Botërore paralajmëron se tërheqja e stimujve nga Rezerva Federale e SHBA mund të shkaktojë “trazira” në sistemin ndërkombëtar. “Në qoftë se reagimet e tregut ndaj reduktimeve janë të rrëmbyera, vendet në zhvillim ka gjasa të përballen me rënie të likuiditetit në gati 80% për disa muaj”, tha ajo. Ata mund të kenë nevojë që kontrollet e kapitalit të futen në lojë për të përballuar situatën.
William Browder nga Hermitage thotë se është pikërisht aty ku po na udhëheq kriza dhe do të ishte serioze që investitorët të mësonin se paratë e tyre janë “bllokuar”, sikundër çështja në Qipro dhe çka po nis në Egjipt. Reaksioni zinxhir bëhet vetëpërmbushës. “Njerëzit do të fillojnë të pyesin veten se cili do të jetë shteti i radhës”, tha ai.
Afërsisht 4 trilionë dollarë amerikanë (2.4 trilionë paund) fonde të huaja u “fshinë” në tregjet në zhvillim pas krizës “Lehman”.
FMN thotë se 470 miliardë dollarë amerikanë janë direkt të lidhura me shtypjen e parave nga Fed. “Ne nuk e dimë se sa para nga kjo shifër do të dalin sërish në qarkullim ose sa shpejt”, tha një zyrtar i FMN.
Vendet njëri pas tjetrit do të përpiqen të “limitojnë” dobësitë. “Sa më gjatë të vazhdojë kjo, aq më i madh do të jetë rreziku që ajo të ‘shndërrohet’ në një shok botëror deflacionist”.
Banka Qendrore e Turqisë ndërmori hapa drastikë së fundmi për të ndalur largimin e kapitalit, duke dyfishuar normën e riblerjes nga 4.5% në 10%.
Kjo do të ndikojë që ekonomia të bjerë menjëherë në “amulli”. Afrika e Jugut rriti normat me gjysmë pikë për të mbrojtur rand-in (monedha vendase), dhe India veproi, të gjithë të detyruar të “shtrëngojnë” dhëmbët teksa dështon rritja. Brazili dhe Indonezia kanë aplikuar kufizime për muaj, me qëllim që të “frenonin” rënien e monedhës.
Të tjerët janë në formë më të mirë, kryesisht për shkak se llogaritë e tyre rrjedhëse janë pozitive, por edhe ata janë duke humbur mundësinë për të manovruar. Kili dhe Peruja kanë nevojë të reduktojnë normat për të neutralizuar rënien e metaleve, por nuk guxojnë ta rrezikojnë atë. Rusia është me një “këmbë” në recesion, por nuk mund të ndërmarrë veprime për të nxitur rritjen, sepse rubla ka rënë në nivele të ulëta rekord kundrejt euros. Banka qendrore po djeg 400 milionë dollarë amerikanë në rezerva çdo ditë për të mbrojtur monedhën. Sa i përket Ukrainës, Argjentinës dhe Tajlandës, ato tashmë janë jashtë kontrolli.
Kina është duke marshuar drejt riorganizimit të saj, me një llogari të mbyllur kapitale dhe 3.8 trilionë dollarë amerikanë në rezerva, por edhe ajo po dërgon një impuls të fuqishëm deflacioni në mbarë botën. Vitin e kaluar, ajo shtoi 5 trilionë dollarë amerikanë në termocentralin e ri – sa SHBA dhe Europa të marra së bashku – duke e “dyndur” ekonominë botërore me akoma më shumë tepri në kapacitet.
Besimi i tregjeve
Tregjet kanë një lloj besimi se e njëjta Byro Politike përgjegjëse për flluskën e kreditit prej 24 trilionë dollarësh amerikanë – 1.5 herë më e madhe se sistemi bankar i SHBA – do ta “zhvlerësojë” butë, duke përdorur të njëjtën aftësi që shpëtoi Bankën e Japonisë në vitin 1990.
Morgan Stanley thotë se banka qendrore e Kinës është duke u përpjekur të reduktojë dhe të rrisë normat në të njëjtën kohë, gjë që “përforcon rreziqet ndaj rritjes”. Kjo është një ndërmarrje heroike, si kirurgjia pa anestezi. Kjo është e kundërta e asaj që bëri Fed pas vitit 2008, kur QE zbuti “shokun”. Për më tepër, Kina po përpiqet të mbajë “gjallë” industritë e saj me kursin aktual të këmbimit. Patrick Artus, nga Natixis, thotë se rritja e pagave – dhe rënia e produktivitetit – do të thotë se tani kushton 10% më shumë për të prodhuar në Tianjing Airbus A320 se sa në Toulouse.
Pasojat janë të dukshme. Kina ka gjasa që në një moment të caktuar të përpiqet të zhvlerësojë juanin, me qëllim që të vazhdojë të mbajë aksionet e tregut, pavarësisht se çfarë thonë ata në Kongresin Amerikan dhe duke bërë kështu, pengon Japoninë të dalë një hap para me zhvlerësimin e saj prej 30%.
Societe Generale thotë se kjo mund të provojë cunamin e fundit deflacionist, që reduktoi krizën e Azisë në vitin 1998.
Europa e rrezikuar
Europa ka lënë të “shemben” mbrojtjet e saj pas një linje fortifikuese të politikave kontraktuese. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Italia, Spanja, Holanda, Portugalia, Greqia, Estonia, Sllovenia, Sllovakia, Letonia, si dhe vendet e lidhura me euron si Danimarka, Hungaria, Bullgaria kanë qenë të gjitha në deflacion të plotë që nga maji sapo janë eliminuar taksat. Çmimet kanë rënë që nga gushti në Francë.
Rritja e parasë gjithsesj (M3) e Eurozonës ka qenë negative për tetë muaj. Krediti bankar për sektorin privat ka rënë me 155 miliardë euro (127 miliardë paund) në tre muaj, sipas Bankës Qendrore Europiane.
Mario Draghi i BQE-së parashtroi nevojën e një “marzhi të sigurisë” kundrejt deflacionit përpara Krishtlindjeve, por tani duket pasiv, sikur të jetë dorëzuar ndaj Bundesbank. Ai përsëriti dy herë në Davos, pa bindje, se inflacioni bazë është aty ku ishte në vitin 1999, pas krizës së Azisë dhe në 2009-n pas krizës së “Lehman”, që do të thotë se është i padëmshëm.
Ne nuk jemi në rrethana të krahasueshme me ato periudha. Këto dy ngjarje kanë qenë në fillim të një cikli të ri të kredisë. Në këto momente, ne gjendemi gati pesë vjet në një cikël të maturuar, dhe 80% e ekonomisë globale po redukton stimujt. Siç qëndrojnë gjërat, recesioni i ardhshëm do ta “shtyjë” Perëndimin drejt deflacionit.
SHBA-të më neutrale
SHBA ka një situatë pak më neutrale, por jo shumë. Rritja e parasë M2 është ngadalësuar edhe më shpejt se në gjashtë muajt përpara “shembjes” së “Lehman”, por asokohe Fed nuk i kushtoi ndonjë vëmendje të dhënave të tilla, kështu që mund të përsërisë fare lehtë gabimin. Fed me siguri po i “kundërvihet” fatit duke reduktuar stimujt me 10 miliardë dollarë amerikanë në çdo takim përballë deflacionit që sapo ka nisur.
Shembulli famëkeq i Japonisë
Ata që mendojnë se deflacioni është i padëmshëm, duhet të dëgjojnë Haruhiko Kuroda e Bankës së Japonisë. Fitimet e korporatave “shterën”. Investimet në teknologji u atrofizuan. Risia dështoi. “Ai krijoi një mentalitet shumë negativ në Japoni”, tha ai në Davos.
Japonia kishte normën më të lartë reale të interesit në botën e pasur, që udhëhiqte drejt një spirale të përbërë të interesit, teksa barra e borxhit u rrit në termat e tkurrjes së PBB-së nominale.
Çdo rezultat i tillë në Europë do të rriste së tepërmi trajektoret e borxhit të Club Med. Ajo do të zhdukte të gjitha shpresat se rënia ekonomike e Europës do të ndalte apo se do të reduktohej papunësia në masë përpara se të “goditeshin” demokracitë. Atëherë, pse ata po e lënë atë të bëhet realitet?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.