Piktori Leka Rudha tashmë është pjesë e grupit të piktorëve që çelën të parët studiot – galeri pas viteve 90. Ai lindi në Tiranë (1953) ku dhe mbaroi studimet për picture në Liceun Artistik “Jordan Misja” në klasën e piktorit të Naxhi Bakalli, pas Liceut për 19 vjet me radhë ishte piktor dekorator e më vonë “Mjeshtri i Dekorit dhe portretit” në Ndërmarrjen e Dekorit, Tiranë; e cila ishte e specializuar në realizimin e Pllakateve (Posterave), portreteve qeveritarë të kohës, zbukurimit të qytetit dhe gjithë veprimtarive qeveritare kulturore, politike dhe sportive. Në këtë periudhë (para viteve 90) i gjithë dekori (posterat, parrullat politike e festive, dekoret e paradave të festive të Çlirimit, 1 Majit etj.) realizoheshin me penel nga piktorët dekoratorë të Dekorit të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe Piktori Rudha ekspozon pak, por realizon peizazhe dhe natyra të qeta. Pas viteve 90 Rudha ka çelur rreth 5 ekspozita vetjake dhe 15 kolektive në galeri dhe muze brenda Shqipërisë si dhe në Romë, Bari dhe Aquila (Itali). Në vitin 1991 ai çel studion galeri (në një ambjent pranë LSHA), ku në vazhdimësi punon dhe ekspozon punimet e tij në pikturë të cilat janë kryesisht peizazhe. Cikli i peizazheve që piktori Leka Rudha realizon përbëhen nga tablo që kanë imazhe nga qyteti i Tiranës dhe periferia e saj dhe cikli tjetër përbëhet nga punime të realizuara në zonat qendrore dhe jug-perëndimore të Shqipërisë (Himara, Berati, Vlora). Në peizazhet e Rudhës imazhi piktorik i rivlerësuar nga piktori merr një dritë jo natyrale. Në përgjithësi pikturat e Rudhës përshkohen nga një dritë e ngrohtë dhe e plotë. Peizazhet e tij kanë thellësi, forma e relievit dhe e pemëve pikturohen nga një penel i gjerë, ku detaji nuk ka shumë rëndësi për artistin, i cili interesohet më shumë për rolin e ngjyrës në tablo dhe krijimit të një atmosfere “të ngrohtë” piktorike. Edhe pse figura e njeriut mungon plotësisht në peizazhet, në to ndjehet njëfarë vetmie dhe realiteti paksa magjik, tablotë e piktorit Leka Rudha komunikojnë me publikun pasi gjuha piktorike e tij është interesante dhe veprat e tij janë të bukura. Shumë tablo të piktorit Rudha ndodhen në koleksionet private në Gjermani, Francë, Greqi, Zvicër, Mal i ZI dhe SHBA. Për lexuesit e revistës “Monitor” piktori Leka Rudha ka ofruar 7 vepra. Ato mund të jenë pjesë e arredimit të soxhornove pasi janë mjaft dekorative si edhe të zyrave të biznesit apo hoteleve e holleve të tyre. Nëpërmjet revistës “Monitor” lexuesit e saj mund edhe të porosisin vepra në vitrazh, gravurë apo dhe të vizitojnë studion galeri të piktorit Leka Rudha, për tu njohur edhe me vepra të tjera të artistit.Çmimet e tablove të piktorit Leka Rudha variojnë nga 600-1000 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.