Nga Prof. Arben Malaj
Së pari, çdo Paketë Fiskale duhet të jetë neutrale dhe sa më pak përjashtuese, pasi çdo përjashtim krijon premisa për evazion, konkurrencë jo të drejtë në treg dhe vështirësi në administrimin fiskal. Por mbi të gjitha, çdo politikë fiskale duhet të kalojë në një proces të gjatë konsultimi me grupet e interesit dhe me ato të ekspertëve, në mënyrë që gjatë këtij procesi të shmangen kostot e saj gjatë zbatimit të mëvonshëm dhe në këtë sens të rriten edhe përfitimet. Por siç është bërë e njohur tashmë, ligjet fiskale hartohen dhe miratohen në mungesë të plotë transparence dhe debati mbi efektivitetin e politikave të reja përqendrohet pasi të jenë miratuar nga qeveria.
Për pasojë, koha për të bërë rregullimet është e pamjaftueshme dhe shumë prej këtyre ligjeve rezultojnë defektoze më vonë gjatë zbatimit. Ndryshimet e shpeshta dhe fragmentare në politikën tatimore e kanë dëmtuar klimën e biznesit në vend që ta përmirësojnë atë. Nëse do të analizoni indekset dhe perceptimet e biznesit do të shikoni se ndryshimi i shpeshtë i taksave është shqetësimi kryesor i tyre në faktorët që janë shndërruar në pengesa për aktivitetin.
Unë jam i mendimit që të bëhet moratorium trevjeçar që të “ngrijnë” ndryshimet ligjore në fushën e taksave dhe të reflektohet thellë në lidhje me nevojat për ndryshime dhe potencialet që ka vendi në këtë drejtim. Unë jam me parimin se ndryshimet e shpeshta fiskale dhe dhënia e incentivave nuk duhen aplikuar.
Do të sugjeroja që incentivat të përdoreshin në krahun e shpenzimeve publike. Nëse duhet nxitur sektori i turizmit, rekomandoj që në zonat me përparësi, qeveria të autorizojë shpenzime në infrastrukturën e rrugëve, ujit dhe në përmirësimin e kushteve të zonës në tërësi.
Turizmi sigurisht është një sektor potencial dhe duhet nxitur. Mirëpo politikat nxitëse duhen parë nga këndvështrimi i kërkesës dhe mesa informacion kam, trendi global i kërkesës për turizëm nuk po orientohet më nga yjet. Teknologjia ka sjellë revolucion edhe në drejtim të shitjeve në turizëm, nëpërmjet platformave Booking dhe Airbnb, nga vlerësimet për shërbimet, të tilla si siguria, pastërtia, etj.
Në këtë aspekt duhet një politikë sektoriale se sa është kërkesa për 5 yje dhe se sa në njësitë e tjera të akomodimit. Objektivat për turizmin nuk zhvillohen me këto lloj politikash, pasi turizmi është një sektor i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së shkallës dhe sidomos bujqësinë.
Sa u takon ndryshimeve të lajmëruara në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, mendoj se ende nuk ka ardhur koha që të aplikohet në vendin tonë, për shkak të stadit të zhvillimit në të cilin ndodhemi. Nëse progresiviteti do të zgjerohet në të gjitha të ardhurat e tjera përveç pagës, kjo do të krijonte pabarazi në pagesa ndërmjet individëve dhe bizneseve.
Nga ana tjetër e vlerësoj se është panevojshme ulja e tatimit mbi dividendin për bizneset, pasi biznesi ka mekanizmin e riinvestimit për të zbutur nivelin e lartë të tatimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.