Kredia për ekonominë rregjiston tkurrje, duke ulur pritshmëritë për përmirësimin e ekonomisë. Reduktim pësojnë huatë në lekë megjithë politikën e Bankës së Shqipërisë për t’i nxitur.
Pse po bie kreditimi dhe si pritet të jetë ecuria gjatë muajve në vazhdim?
Shpresat për rigjallërimin e ekonomisë zbehen nga shifrat më të fundit mbi kreditimin, një nga motorët nxitës të biznesit dhe konsumit. Në muajin janar, huaja shënon pas 3 vitesh,
rënien e parë, prej 0.3% me bazë mujore, duke konfirmuar pritshmëritë qoftë nga Banka e Shqipërisë, qoftë nga biznesi, apo dhe vetë bankat se ritmet e rritjes së kredisë këtë vit do të jetë të ulëta.
Rënia e kreditimit, megjithëse e vogël, është një sinjal negativ që flet për më pak investime, më pak kapitale qarkulluese dhe më pak para në ekonomi. Bankat janë stacioni i pompimit ose zemra e organizmit të kapitalizmit,
ato jo vetëm qarkullojnë para, por krijojnë fronte të reja parash përmes dhënies së kredive.
Arsyet e reduktimit
Faktorët kryesorë që po detyrojnë bankat të shtrëngojnë kreditë janë disa:
-Së pari kushtet e reja të Bankës së Shqipërisë, që hynë në fuqi në fund të vitit të kaluar. Sipas tyre, bankat duhet të përllogarisin dhe të sigurojnë në çdo kohë respektimin e treguesit të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra:
në nivelin 20% për çdo monedhë, lek dhe monedha të huaja dhe në total në nivelin minimal 25%. Rregullorja e mëparshme detyronte bankat që përqindja e likuiditetit të ishte 20% në total, pa specifikuar monedha të veçanta.
Megjithëse masa e BSH-së rrit garancinë dhe sigurinë e bankave që operojnë në vend, detyrimi për të mbajtur më shumë aktive do të ulë portofolin e huave.
Së dyti, bankat mund të detyrohen të ulin edhe lëvrimin e overdrafteve, përdorimi i të cilëve u rrit ndjeshëm pas vitit 2008. Në rregulloren e re përcaktohen kushte të reja për provigjionimin e overdrafteve,
ku për herë të parë individët apo bizneset që nuk paguajnë disa muaj rresht interesat do të cilësohen si kreditorë “të këqinj”, duke rritur kështu përqindjen e kredive me probleme në sistem.
Kjo do të ndikojë në rënien e kredive në total.
– Së treti, edhe situata në Eurozonë nuk po ndihmon aspak për të lehtësuar kreditimin. Ethet për plotësimin e raportit të kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% për bankat e Eurozonës deri në qershor 2012,
pritet të shoqërohen me ulje të aktiveve në degët e tyre lindore, një shqetësim që ka filluar të ndihet tashmë . Edhe në Shqipëri bankat e mëdha me origjinë nga Eurozona pritet të jenë më pasive si në kreditim,
ashtu dhe në pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit.
Nga ana tjetër, edhe vetë biznesi (të dhëna nga anketime e MONITOR) ka paralajmëruar se politikat lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, do të japin pak efekt në nxitjen e kreditimit.
Gjatë këtij viti sipërmarrësit kanë parashikuar se do ta kenë shumë më të vështirë të marrë kredi dhe të investojnë, kjo sepse jo vetëm procedurat nga bankat janë shtrënguar,
por edhe vetë ata nuk kanë interes që në këtë periudhë të marrin kredi.
Të gjithë bizneset janë sot në përpjekje për të ruajtur tregjet dhe të mos humbin likuiditetet dhe shumë pak po mendojnë për investime.
Në një situatë të tillë për mjaft biznese është guxim i tepruar të bësh investime sepse duhet të ruhen likuiditetitet dhe për më tepër e kanë të vështirë të bëjnë parashikime.
Sot bankat kërkojnë shumë më tepër garanci dhe siguri tek kredimarrësit. Nga ana tjetër, nuk kanë fronte ku të investojnë dhe kjo po ndikon që edhe kërkesa për kredi të jetë shumë e ulët.
“Megjithëse ka mjaft sipërmarrës që kanë edhe depozita që i mbajnë në banka, nuk kanë mundësi për të investuar sepse nuk kanë fronte të reja”, thotë Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë Shqiptare.
Një rënie të ndjeshme ka pësuar kreditimi i ndërtimit, kjo edhe si pasojë e tkurrjes së lartë të volumeve në këtë sektor. Nëse deri 3 vjet më parë sektori i ndërtimit ishte ndër të preferuarit e bankave për t’u kredituar, sot është futur në listën “e zezë”.
Stoku i kredisë për këtë sektor është 3.6% më e ulët se në 2008-ën.
“Në një kohë kur buxheti i shtetit i ka ulur investimet dhe kur ekonomia po shkon drejt përkeqësimit nuk mund të pritet që bankat të rrisin kreditimin. Bankat nuk kanë politikë për të nxitur huanë dhe as nuk pritet të ndryshojnë nga ulja e normës”,
thotë Arben Dervishi i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.
Politika e BSH-së, pak efekt
Ajo që bie në sy është se në janar tkurrja e kredisë ka ardhur pikërisht nga huaja në lekë, megjithë përpjekjet e Bankës së Shqipërisë (uljet e normës bazë të interesit)
si dhe të vetë bankave për të dhënë kredi në monedhën vendase.
Banka Qendrore ka lehtësuar politikën e saj monetare, duke ulur 3 herë rradhazi normën bazë, gjatë muajve të fundit duke e çuar në një nivel minimum historik prej 4.5%.
Madje banka ka sinjalizuar se mund të vijojë dhe më tej me politikën e saj lehtësuese, që ka të ngjarë ta çojnë normën bazë në nivele të papara ndonjëherë.
Një politikë që do të rezultonte frytdhënëse nëse do të kishte harmonizim mes politikës monetare e fiskale. Por një gjë e tillë duket se nuk po ndodh.
Në të dy ankandet e bonove të thesarit të zhvilluara pas uljes së normës bazë, yield-i i bonove (që për bankat shërben si referencë për caktimin e normave të huasë në lekë) është rritur.
Teksa bankat po ulin ekspozimin e tyre ndaj bonove të thesarit, rrjedhojë dhe e orientimeve nga bankat mëmë, financat shqiptare për herë të parë duket se po hasin vështirësi për të financuar deficitin buxhetor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar në daljen e tij më të fundit se interesat e kredive janë ulur,
si pasojë e uljes së normës bazë të interesit, por ajo që pengon bankat të reduktojnë normat për huatë në lekë është pikërisht norma e lartë e yield-it (interesi i bonove të thesarit).
Në fakt, në muajin janar interesi mesatar i huave në lekë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ka rezultuar në rritje, në krahasim me dhjetorin.
Bankat, tani preferojnë individët
Nga ana tjetër, drejtues të disa bankave në vend kanë konfirmuar se po vijojnë të jenë aktivë në kreditim, me vëmendjen ndaj huave në lekë.
Vitin e fundit vërehet nga bankat një rënie e ndjeshme e kërkesës së klientëve të biznesit për kreditë për investime afatgjatë dhe janë shtuar nevojat e tyre për likuiditete,
si rrjedhojë dhe kredia në lekë është bërë më e preferueshme.
Bankierët thonë se nuk i kanë ndryshuar normat e interesit, ndërkohë që ka një vëmendje më të madhe ndaj individëve, duke “anashkaluar” disi kreditimin e bizneseve.
Kreditë me probleme për individët kanë rezultuar me një peshë më të ulët në raport me ato për biznesin, duke bërë që bankat të kthejnë sytë drejt të parëve.
Bankat kanë ulur interesat për kreditë ndaj individëve, kryesisht për ato hipotekore.
BSH nuk ndryshon normën e interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.50%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës,
kushtet aktuale monetare janë të përshtatshme për të përmbushur objektivin afatmesëm të inflacionit, duke ofruar njëkohësisht stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se ecuria e investimeve private vlerësohet gjithashtu më e përmirësuar në tremujorin e katërt të vitit,
por përmirësimi mbetet ende në degë të caktuara të ekonomisë ndërkohë që në nivel ekonomie ato mbeten të ulëta.
“Rritja nën potencial e ekonomisë dhe shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve kanë reduktuar incentivat për ndërmarrjen e investimeve të reja”, tha Fullani.
Projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimin për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare edhe në vitin në vazhdim.
Kërkesa e huaj pritet të vijojë të japë një kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate, por në nivele më të moderuara.
INTERVISTA/ Flet Drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bank, Georgios Charalampakis
Individët, prioriteti ynë
A i keni ndryshuar kushtet dhe afatet e kredisë për biznese apo individë? Po në interesa, ka pasur ndryshime, qoftë në rritjen apo uljen e tyre?
Në princip, jo. Sa për normat e interesit, ne ekzaminojmë totalin e fitimit që kemi (ose presim) nga një klient. Nëse ky fitim është i ulët, pa dyshim ne ngremë normën e interesit.
Por nëse fitimi është i lartë, atëherë ne jemi të gatshëm t’i ulim ato.
Cilat kredi po favorizoni më shumë, në lekë apo në euro? Pse? Si është raporti i kredive që keni dhënë euro-lekë?
Sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, këto kohë të gjitha bankat preferojnë të japin kredi në monedhën vendase.
Në portofolin e bankës tonë, kreditë në lek përbëjnë 30% të totalit të kredisë dhe diferenca prej 70% janë kredi në euro.
Dhe nga ana tjetër, cilat kredi po kërkohen më shumë tani nga klientët, në euro apo në lekë?
Klientët (kompani, por dhe individë) vazhdojnë të preferojnë kreditë në euro, si rrjedhojë e interesave të ulëta dhe vazhdojnë të mos e vlerësojnë mundësinë e rrezikut nga kursi i këmbimit.
Kushtet e kredisë i keni të njëjta për euro apo lekë, apo ndryshojnë?
Kushtet e kredisë nuk janë të lidhura aspak me llojin e monedhës të kredisë së dhënë. Sigurisht, kostot janë të ndryshme, por këto kosto vijnë si rrjedhojë e tregut dhe jo nga politikat e kredisë që kanë bankat.
Si po i menaxhoni kreditë e këqija?
Me shumë kujdes. Ne përpiqemi të identifikojmë se nga vjen çdo problem dhe si rrjedhojë e kësaj analize, ndjekim hapat e tjerë. Kjo do të thotë se ne nuk duam të kemi reagime masive, por individuale.
Cila bizneseve po u jepni prioritet për kreditim? Po tek individët?
Ne vazhdojmë të mbështesim fort aktivitetet e vërteta ekonomike, që kanë sjellë një figurë të qartë në të shkuarën, në të tashmen, por dhe në perspektivën për të ardhmen, që secila nga këto kompani ka.
Kështu, ne nuk ndjekim një politikë mbështetëse masive, por ekzaminojmë çdo kompani sipas anëve pozitive dhe negative që ajo ka. Individët vazhdojnë të jenë prioriteti ynë, sidomos për kreditë për shtëpi.
INTERVISTA/ Flet Senida Mesi, drejtore e Divizionit të Individëve dhe Biznesit në ProCredit Bank
Interesa të reja për bizneset e vogla dhe individët
A i keni ndryshuar kushtet dhe afatet e kredisë për biznese apo individë? Po në interesa, ka pasur ndryshime, qoftë në rritjen apo uljen e tyre?
Kriteret dhe kushtet e kredisë në Procredit Bank kryesisht kanë ngelur të pandryshuara për vitin 2012. Ne vazhdimisht analizojmë tregun dhe ecurinë e tij dhe nëse është e nevojshme,
ndërmarrim masa për ndryshimin e kushteve, afateve apo interesave të kredisë, për t’ju përshtatur tregut dhe ecurisë makroekonomike, për t’i bërë kreditë më incentivuese për klientin.
Së fundmi, kemi bërë rishikimin e çmimeve të kredisë, duke favorizuar bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe kreditë për individë, të cilët marrin ose transferojnë pagën e tyre në bankën tonë.
Këto ndryshime kanë incentivuar kredinë në lekë. Mendojmë se incentiva të tilla, të cilat e bëjnë kredinë më tërheqëse, kanë ardhur si pasojë e një orientimi dyvjeçar të bankës sonë për uljen e kostos së fondeve,
si dhe ndryshimet e përgjithshme që kanë ndodhur në sistemin bankar.
Cilat kredi po favorizoni më shumë, në lekë apo në euro? Pse? Si është raporti i kredive që keni dhënë euro-lekë?
ProCredit Bank është gjithmonë e kujdesshme në lidhje me valutën, me të cilën u jep kredi klientëve të saj. Ne preferojmë që kredia të jetë në të njëjtën monedhë,
sikurse dhe të ardhurat e individit apo biznesit që po merr kredinë. Kjo, me qëllim që klienti të mos bartë riskun e valutës. Si rezultat, kredia në lekë është më e preferuara,
pasi kryesisht burimi i të ardhurave është në valutën vendase.
Në fund të janarit 2012, vlera e portofolit të kredisë në lekë është 53% e totalit. Në kategori të ndryshme klientësh, kjo shifër ndryshon. Kështu po të shohim totalin e portofolit të kredisë deri 4,000,000 lekë (30,000 euro) bizneset shumë të vogla,
kredia në lekë është 91% e totalit të portofolit të kredisë për këtë kategori. Ndërsa nga totali i portofolit të kredisë për individë kemi një përqendrim prej 77% të këtij portofoli në monedhën lek.
Janë kryesisht bizneset e mëdha, biznesi i të cilave është i ekspozuar dhe në shtete jashtë Shqipërisë, përdorimi i valutave të ndryshme, kryesisht euro dhe për afatet e kredive të mëdha ku euro është monedha më e preferuar.
Dhe nga ana tjetër, cilat kredi po kërkohen më shumë tani nga klientët, në euro apo në lekë?
Vitin e fundit ka pasur rënie të ndjeshme të kërkesës së klientëve të biznesit për kreditë për investime afatgjatë dhe janë shtuar nevojat e tyre për likuiditete, si rrjedhojë dhe kredia në lekë është bërë më e preferueshme.
Gjithsesi klienti në përgjithësi është i orientuar të tërheqë pranë vetes një kredi, e cila sot ka interesin më të ulët, por jo domosdoshmërisht riskun më të ulët për të apo interesin efektiv më të ulët në të ardhmen.
Kredia në euro është tipikisht një kredi, e cila për shuma të mëdha dhe afate të gjata përmbush më shumë këto kushte.
Prandaj është i rëndësishëm edukimi i klientëve për riskun dhe rëndësinë e kredimarrjes kundrejt valutës së të ardhurave dhe llojit të investimit afatgjatë apo afatshkurtër. Në euro, kundrejt asaj në lekë.
Përveç kësaj qëndron dhe një princip marrëdhënie dhe konsulentë, sepse vetë produkti orientohet nga kjo marrëdhënie.
Në vitin 2011, ProCredit Bank ka disbursuar 62% të kredive në monedhën lekë, gjë që tregon orientimin dhe fokusin e bankës sonë.
Kushtet e kredisë i keni të njëjta për euro dhe lekë, apo ndryshojnë?
Për shumat deri në 1,300,000 lekë kreditë jepen vetëm në lek rastet përjashtimore janë vetëm ato të cilat kanë të ardhurat kryesore në valutë.
Por, theksojmë që përgjegjësia jonë sociale shumë e rëndësishme është cilësia e portofolit, pasi edhe koston më të lartë do ta mbante borxhi i keq.
Për të ruajtur këtë cilësi, ne dizenjojmë produktin që klienti të marrë kredinë në varësi të të ardhurave dhe e incentivojmë këtë gjë, sikurse e kemi shprehur edhe më sipër.
Si po i menaxhoni kreditë e këqija?
ProCredit Bank mund të konfirmojë me krenari se ka një portofol cilësor, duke pasur një përqindje të ulët (ose më të ulëtin) të kredive të këqija, krahasuar me sistemin bankar.
Gjatë gjithë vitit 2011, vonesat janë mbajtur të qëndrueshme te një nivel NPL* prej 8.56%, (ndërkohë që Portofoli në vonesë pagese mbi 90 ditë është 2.8%).
Cilësia e këtij portofoli vjen fillimisht nga një kredidhënie e kujdesshme, e bazuar në analizën financiare, nevojat reale të biznesit për investim, si dhe një monitorim dhe konsulencë financiare përgjatë periudhës së shlyerjes.
Pavarësisht nga kjo dhe klientët tanë janë prekur nga vështirësitë ekonomike që po kalon vendi, duke sjellë rënien e të ardhurave, vështirësitë në likuiditet dhe si rezultat, vonesa ose pamundësi në shlyerjen e kredisë.
Por njohja e biznesit dhe marrëdhënia në vite bazuar në një kulturë bashkëpunimi, ka bërë zgjidhjen dhe kapërcimin e shumë prej këtyre vështirësive.
Klientëve në vështirësi financiare iu është ofruar ristrukturimi, duke bërë ndryshime specifike në planin e pagesës, në varësi të situatës dhe problemit të hasur nga çdo rast. Aktualisht kemi rreth 9% të portofolit të kredisë së ristrukturuar.
Për sa iu përket rasteve ku nuk ka asnjë bashkëpunim apo dëshirë nga klienti për zgjidhje, banka ka vazhduar procedurat ligjore dhe ekzekutimin e kolateralit.
Aktualisht vënia në funksion e Përmbarimit Privat ka rezultuar në një ekzekutim të shpejtë dhe eficient.
Mund të themi se nuk ka qenë e lehtë për ne me problemet që shfaq ekonomia shqiptare, por marrëdhënia afatgjatë me klientët, analiza financiare dhe trajtimi në kohë i rasteve problematike kanë dhënë rezultatet e dëshiruara.
*NPL – Ekspozimet e të gjitha kredive që kanë shfaqur probleme
Cilave biznese po u jepni prioritet për kreditim? Po tek individët?
Jemi të fokusuar në financimin e bizneseve të vogla në shumat nga 500,000 deri në 70 Mio Lekë. Janë biznese të shumta në numër,
kryesisht me një numër punëtorësh deri në 25 veta, të fokusuar më shumë në prodhim, tregti dhe shërbime, të cilat kontribuojnë maksimalisht në rritjen ekonomike të vendit.
Biznese shumë strategjike për bankën janë bizneset e eksportit të cilat krijojnë avantazhe konkurruese dhe mundësi punësimi.
Kreditë Eficienca e Energjisë dhe ajo e Energjive të Rinovueshme, të cilat impaktojnë pozitivisht ambientin janë në fokus të bankës për këtë vit dhe në vazhdim.
Gjithashtu edhe individi, janë në fokus të gjithë ata pagamarrës të cilët jo vetëm marrin pagën në bankën tonë, por edhe ata të cilët e transferojnë pagën në bankën tonë, pavarësisht bankës në të cilën ua kalon punëdhënësi.
Ne ju ofrojmë atyre kushte preferenciale në kreditimin e blerjes së shtëpive në monedhën vendase, apo në rinovimin e ambienteve ku jetojnë, për një përdorim sa më eficient dhe kursim të energjisë elektrike.
Produktet tona janë të thjeshta dhe impaktojnë pozitivisht situatën ekonomike të klientit.
INTERVISTA/ Flet Enkeleda Hasho, Drejtore e Kredisë në Union Bank
Ulëm interesat e kredive
A i keni ndryshuar kushtet dhe afatet e kredisë për biznese apo individë? Po në interesa, ka pasur ndryshime, qoftë në rritjen apo uljen e tyre?
Kostot e kredive për individë kanë përmirësim dhe lehtësim më të lartë në krahasim me periudhat e mëparshme. Në fakt, përmirësimi u ndje që në vitin 2011, ku dhe dukshëm oferta nga bankat në kredinë për individë, erdhi në rritje.
Afatet e kredisë, pothuajse janë të qëndrueshme, pra nuk kanë pësuar ndryshime, ndërsa norma e interesit është rishikuar dhe ulur.
Edhe në fushën e biznesit, kreditë ofrohen me kushte të përmirësuara në drejtim të normës së interesit, ndërsa afatet variojnë në varësi të qëllimit të përdorimit të kredisë, llojit të kredisë që kërkohet.
Cilat kredi po favorizoni më shumë, në lek apo në euro? Pse? Si është raporti i kredive që keni dhënë euro-lekë?
Synojmë të rrisim kredidhënien në lek, sidomos kur leku është monedha e të ardhurave të kredimarrësve, në mënyrë që të minimizohet rritja e kostove të klientëve në varësi të ndryshimeve të kursit të këmbimit.
Gjithsesi, vazhdon që në përgjithësi në sektorin bankar, portofoli në euro është më dominant për shumë arsye. Ndër më kryesorët është që një segment i gjerë nga sektori i biznesit preferojnë dhe kërkojnë të financohet në euro,
për shkak se operojnë me këtë monedhë me partnerët, klientët, furnitorët, ose shitjet i kanë të orientuara në euro, ose perceptojnë pasiguri në qëndrueshmërinë e monedhës lokale.
Dhe nga ana tjetër, cilat kredi po kërkohen më shumë tani nga klientët, në euro apo në lekë?
Individët janë më të orientuar nga monedha lek dhe kërkesa është më e lartë për produktet e kredisë për individë në lek. Biznesi vazhdon të kërkojë financim në të dyja monedhat,
pothuajse në raportin e mëparshëm të kërkesës në euro kundrejt asaj në lek.
Sigurisht, pritshmëria është që do të ketë rritje të kredisë në lek, aktualisht e krahasueshme dhe në trendin e qëndrueshëm të mëparshëm, por që do të nxitet me reduktimin tjetër të normës bazë,
duke e bërë më tërheqëse dhe të përfitueshme normën e interesit në lek.
Kushtet e kredisë i keni të njëjta për euro apo lek, apo ndryshojnë?
Afatet e kredisë pothuajse janë të njëjta në të dyja ofertat e kredive në lek dhe euro, ndërsa interesi në përbërje ka ndryshim, pasi normat bazë, si pjesë përbërëse e interesit total të kredisë, ka ndryshim.
Mbi normat bazë të ndryshme që kanë interes në lek dhe euro, ndryshim dhe marzhin mbi këtë normë bazë. Por norma efektive e interesit tregon kosto të përafërt në të dyja monedhat
(në rast se do t’i nënshtroheshin konvertimit, për t’u bërë të krahasueshme). Interesi përbëhet nga norma bazë e interesit që për monedhën euro është euribor plus një marzh në nivelet 4-5% dhe për lekun është bono thesari, të cilit i shtohet një normë që varion 2-3%. Gjithsesi, interesi kontraktor varion sipas produkteve, pra llojit të kredisë dhe riskut që paraqet.
Si po i menaxhoni kreditë e këqija?
Strukturat e ngritura për monitorimin dhe ndjekjen e kredive me probleme janë në funksion të plotë dhe rezultativ. Punohet ngushtë me klientin që shfaq probleme,
sipas procedurave të bankës dhe në përputhje me kuadrin rregullator bankar.
Në përgjithësi, kemi një menaxhim të kujdesshëm, që siguron arritjen e rezultateve të pritshme në drejtim të përmirësimit dhe kthimit të kredive.
Cila bizneseve po u jepni prioritet për kreditim? Po tek individët?
Brenda një sektori, “lojtarët”, pra bizneset, pavarësisht se operojnë në një fushë, shfaqin cilësi të ndryshme sa i përket disa kritereve kualifikuese në kredidhënie,
e për rrjedhojë dhe vlerësimi i rrezikut të kredisë varion nga njëri te tjetri. Në përgjithësi bizneset me eksperiencë, me net-vlerë dukshëm të matshme,
që kanë qëllime financimi për t’i dhënë shtysë ose qëndrueshmëri biznesit, parashikues edhe për situata të vështira, pra dhe menaxhim të aftë janë bizneset që kualifikohen për kredidhënie.
Nuk ka prioritete ose kufizime, nëse klienti kualifikohet sipas kritereve të bankës, mund të financohet. Oferta e bankës nëpërmjet produkteve të ndryshme kreditore për financim është e hapur për të dy sektorët, biznes dhe individë.
INTERVISTA/ FiBank
“Favorizim” për kreditë hipotekore
A i keni ndryshuar kushtet dhe afatet e kredisë për biznese apo individë? Po në interesa, ka pasur ndryshime, qoftë në rritjen apo uljen e tyre?
Fibank ka ruajtur pothuajse të njëjtat kushte e afate të kredive për individë, ndërkohë që do të përmendnim një ndryshim në uljen e afatit të kredive për biznese, si rrjedhojë e likuiditetit të bizneseve në terma afatgjatë.
Afati i kredisë konsumatore e hipotekore për individë vazhdon të jetë më i gjati në treg, duke favorizuar një pjesë të mirë të klientelës që duan të kenë një këst sa më të ulët mujor.
Nëse klienti dëshiron ta shlyejë kredinë përpara kohe, përfiton komision 0% (Kredia hipotekore “5 yje”). Duke qenë koherent me ndryshimet e tregut dhe për të qenë sa më shumë konkurrues, së fundmi janë ulur normat e interesit për kredinë hipotekore.
Cilat kredi po favorizoni më shumë, në lekë apo në euro? Pse? Si është raporti i kredive që keni dhënë euro-lekë? Dhe nga ana tjetër, cilat kredi po kërkohen më shumë tani nga klientët, në euro apo në lekë?
Aktualisht banka është e orientuar ndaj kredive në lek, në të cilën janë kryesisht të ardhurat e klientëve, si dhe në ndjekje të këshillimit nga Banka e Shqipërisë për të ulur koston e ripagimit të kësteve.
Raporti i kreditimit ndaj bizneseve tregon që kreditë në euro janë më të larta se në lek meqenëse tregu imobilar apo kompanitë e ndërtimit, të cilat janë një pjesë e konsiderueshme e portofolit të kredisë,
operojnë me euro dhe kjo ka bërë që kërkesa dhe kreditimi kanë qenë në euro. Kjo gjë ndryshon në raportin e kredive për individë ku është leku që prevalon, por jo me diferencë të madhe në avantazh.
Këto raporte tregojnë edhe tendencën e kërkesës së klientëve.
Kushtet e kredisë i keni të njëjta për euro apo lekë, apo ndryshojnë?
Kushtet e kredisë janë pothuajse të njëjta si për lek edhe për euro. Ndryshimi themelor është në normën e interesit.
Si po i menaxhoni kreditë e këqija?
Përqendrimi te kreditë e këqija është maksimal. Menaxhimi i tyre kryhet përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe marrjes së masave për parandalim të problemit që në momentin e parë.
Sa më herët të evidentohet problemi, aq më shumë mundësi ka për përmirësim të situatës nëpërmjet rinegocimit të kushteve e afateve të kredisë apo edhe këshillimeve të ndryshme.
Cila bizneseve po u jepni prioritet për kreditim? Po tek individët?
Fibank është pro çdo lloj projekti premtues në të ardhmen, pavarësisht fushës së operimit, por gjithsesi ata që kanë treguar likuiditet të mirë financiar edhe në kohë krize janë bizneset konsumatore (tregtia në përgjithësi, shërbimet e ndryshme, tregu farmaceutik,
tregu ushqimor, tregu i hidrokarbureve, etj. Në lidhje me individët, prioritet janë të gjithë individët me aftësi ripaguese dhe që plotësojnë kriteret për të qenë kredimarrës të mundshëm në bankën tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.