Kuvendi miratoi në parim sot buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Projektbuxheti u miratua vetëm me 75 vota nga deputetët socialist në një seancë të shkurtër.
Drejtuesja e Kuvendit, Lindita Nikolla, komunikoi rendin e ditës në mes protestave, zhurmave dhe tymuesve teksa opozita bënte thirrje për komisione hetimore.
Deputetët opozitarë erdhën sërish herët në sallën e seancave plenare, përmbysën karriget pranë foltores, ku ishin rreshtuar punonjës të sigurisë. Disa prej tyre ndezën tymuese pranë foltores dhe në tryezat e punës në përpjekje për të pamundësuar zhvillimin normal të seancës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Nikolla i kërko deputetëve opozitarë të merrnin pjesë në diskutimin e projekt-buxhetit të ri.
“Pse ju nuk doni të diskutoni për buxhetin? Pse ju nuk uleni të diskutoni për investimet dhe rritjen e pensioneve dhe pagave për punonjësit e shërbimeve publike?”, tha zonja Nikolla.
Pas thirrjeve në sallë nga disa deputetë të opozitës, ajo nisi procesin e votimit, ku buxheti i ri mori votat pro vetëm të deputetëve të majtë.
Zyra e shtypit të Kuvendit me anë të një njoftimi të shkurtër të shpërndarë me Whatsap ka sqaruar se: “Të gjitha aktet ligjore në seancën e sotme plenare u votuan me 73 vota pro”
Buxheti i vitit 2024 do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7 mld euro), mbi një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm. 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh.
Fondi për vijimin e rritjes së pagave duke filluar nga 1 korrik 2024 është planifikuar në shumën 11 miliardë lekë dhe përfshin rritjen e pagës për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimorë, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.