Mjerimi që po përndjek bujqit

28/08/2018 4:17 PM 0 komente

Për herë të parë pas 9 vjetësh, eksportet e prodhimeve bujqësore ranë në gjashtëmujorin e parë, pas një rritje dyshifrore vit pas viti. Fermerët, të zhgënjyer nga humbjet e vitit të kaluar, mbollën më pak këtë vit.
Efektet negative zinxhir përhapen në të gjithë ekonominë. Në katër vite, numri i të siguruarve në bujqësi pësoi rënie drastike, ndërsa ikja e të rinjve po errëson perspektivën në sektor. Produktiviteti ka rënë për shkak të kostove në rritje teksa subvencionet mungojnë dhe skema e rimbursimit të TVSH-së nuk funksionon. Ekspertët këshillojnë riorientimin e sektorit

 

Blerina Hoxha

 

Stavri Gjini, nga Gradishta e Lushnjës, kur krijoi kooperativën e parë në vend sipas modelit të ekonomisë së tregut më shumë se 20 vite më parë kishte projektuar një të ardhme të ndritur për veten dhe familjen. Ai është një nga fermerët më të trajnuar vend, pasi ka parë pothuajse të gjitha modelet e suksesshme të fermave në Europë. Por sot Stavri, bashkë me shumë fermerë të Lushnjës dhe Fierit, luftojnë për mbijetesë. Ai dhe familja e tij nuk shkojnë në plazh, nuk bëjnë kurrë pushime, madje tre vitet e fundit nuk ka mundur të paguajë as sigurimet për pensionet, pasi puna në bujqësi vitet e fundit e ka zhytur në borxhe.

Stavri zotëron shumë hektarë tokë, nga të cilët 7 dynymë i ka sera dhe bën pjesë në atë grup që cilësohen biznesmenët e mëdhenj të fshatit. Fitimet në tre vitet e fundit në shumë raste ishin të barabarta me kostot. Bujqësia gjithmonë ka qenë një biznes me rrezik të lartë, por mungesa e subvencioneve tre vitet fundit dhe mosfunksionimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së e kanë përkeqësuar situatën, thotë Gjini. “Një dynym serë nga plastmasa e ka koston 280 mijë lekë, kurse fitimet në optimalen e tyre shkojnë në 350 mijë lekë. Në kosto nuk kam përfshirë hakun e punës sime dhe të familjes” pohon Stavri, i cili tashmë është i lodhur, por pa një zgjidhje tjetër për të siguruar jetesën.

Problemet e bujqësisë janë të shumta dhe komplekse, por Stavri pohon se kryesorja është mungesa e orientimit dhe rregullimit të zinxhirit të tregut. Fermerët mbjellin me intuitë dhe shpesh kjo zhgënjen, se tregu dhe moti sjellin surpriza. Vitin e kaluar, të gjithë fermerët që kultivuan domate, pësuan humbje të mëdha, ndërsa këtë verë, nisur nga përvoja e vjetshme, nuk mbollën. Kjo ka çuar në trefishim të çmimit. Në pikat e pakicës në Tiranë, një kilogram domate fushe kushton 130 lekë nga 30 lekë që ishte një vit më parë në këtë kohë. Mungesa e prodhimit dhe avancimi i vrugut dhe krimbit kanë ulur ofertën për zarzavaten që konsumohet më shumë në treg në këtë periudhë.

“Për shkak të vrugut dhe kalbëzimit të kokrrave, sivjet humba rreth 500 kv domate dhe pjepër. Për këtë shkak po bëjmë rreth 10 ditë që kemi mbaruar kulturat e lashta, ndërsa tani është një moment boshllëku në treg, sepse ka ngelur vetëm domate e mesme në fushë derisa të fillojnë serat për pak ditë”, thotë Leonard Janji, një fermer nga Verria e Fierit.

Ai tha se kostoja për prodhimin e një kilogram domateje është 20 lekë, teksa pikat e grumbullimit japin çmime shumë të ulëta që në shumë raste nuk justifikojnë kostot. “Vjet fillova dhe mbarova domaten me çmim 20 lekë arkën 25 kg, sepse ne si fermerë nuk kemi orientim”.
Por këtë vit, vështirësitë që po kalojnë fermerët janë transferuar në nivel makroekonomik. Inflacioni arriti në 2.3% gjatë muajit korrik prej rritjes së çmimeve të prodhimeve të stinës, frutave dhe zarzavateve dhe, nga ana tjetër, eksportet e prodhimeve bujqësore kanë pësuar ulje për herë të parë pas disa vjetësh, në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në gjashtëmujorin e parë, eksportet e frutave dhe zarzavateve ranë me 5.5%, pas rritjes me ritme dyshifrore vitet e kaluara.

Fermeri Maliq Minga, nga Vajkani i Fierit, thotë se vitin e kaluar ka pësuar humbje të mëdha nga kulturat e sezonit të dimrit, teksa këtë verë, ato fitime të pakta shkojnë për të mbuluar humbjet e dimrit. Ai tha se, fermat në të gjithë botën janë një biznes që mbështeten me politika dhe subvencione nga qeveritë, por në Shqipëri shteti është inekzistent, nuk jep dot as këshilla dhe orientime.

Por teksa bujqësia tradicionale e mbjelljes në fushë duket se nuk po jep rezultate pozitive për familjet fermere, disa shembuj në sektorin e agroturizmit janë shpresëdhënës. Shyqyri Poçi, një inxhinier pyjesh, është zhvendosur nga Tirana në pronat e familjes në Komunën Malzi në Kukës, një vend gati i braktisur nga vendasit, por me një biodiversitet të pasur dhe pyje të shumta të gështenjës, për të ngritur një biznes, që mbështetet në agroturizëm.

 

 

Eksportet bujqësore, rënia e parë pas 10 vitesh

Eksportet bujqësore janë rritur me ritme dyshifrore dekadën e fundit, edhe për shkak të bazës së ulët të tyre, por edhe zhvillimit më të vrullshëm të prodhimit në sera në zonën e Myzeqesë. Por në gjashtë muajt e parë të këtij viti, eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare pësuan rënie me 5.5% në krahasim me një vit më parë.

Kjo ishte rënia e parë që nga viti 2009. Ritmet e rënies vijnë pas një rritje sistematike, ku në vitin 2015, eksportet nga ky grup shënuan rritje me 118%, në vitin 2016, 41% dhe në 2017 mbi 30%. Siç shihet nga të dhënat zyrtare të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, ritmet e rritjes së eksporteve bujqësore kanë pësuar ulje nga viti në vit për të shkuar në rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Leornard Janji, nga Verria e Fierit, pohon se fermerët mbollën më pak këtë vit në fushë, sidomos domate. Ai tha se çmimet e ulëta që dha shumica vitin e kaluar për domatet krijuan humbje të mëdha te fermerët, ndaj ata këtë vit kanë mbjellë më pak, duke krijuar hendek në treg dhe në eksporte.

Ulja e prodhimit vendas ka sjellë rritje të importeve. Në këtë periudhë, kur tregjet e pakicës në Tiranë përmbyteshin nga prodhimi vendas, sot dominojnë prodhimet e importit. Tregtarët e pakicës pohojnë se domatet vijnë nga Maqedonia dhe Kosova, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe çmimet e larta me të cilat po shiten. Pas një rënie vitin e kaluar, importet e produkteve bujqësore u rritën me 11% në janar-qershor 2018.

“Dua të tregoj një fakt që na ndodhi në kulmin e volumit të vjeljes, sesi shteti në bashkëpunim me tregtarët futi disa trajlerë me domate njëkohësisht në Lushnjë, Tiranë, Durrës dhe Fier, të ardhura nëpërmjet shkodranëve dhe shtetasve të Kosovës nga Mali i Zi dhe Serbia, me qëllim uljen e çmimit në treg për fermerët, që produktet në qytet të jenë të lira, duke na bërë përsëri të mos kemi ato fitime që prisnim”, tha fermeri Janji.
Frutat dhe perimet u klasifikuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si një ndër dhjetë mallrat më të importuar në vend gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.

Frutat dhe perimet u renditën të nëntat në radhë në listën e 20 mallrave të importuara nga jashtë. Nga zhdoganimi i tyre, doganat kanë arkëtuar 738 milionë lekë të ardhura, 5,5 milionë euro, në tremujorin e parë. Më 2017, për herë të parë që nga liberalizimi i tregtisë me jashtë, eksportet e fruta-perimeve ishin 14% më të larta se importet e këtij grupi.
Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë më 2017, me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta.

Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017. Ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 11%. Por fermerët, të lodhur nga mungesa e fitimeve këtë vit, duket se kanë vendosur të limitojnë prodhimin, duke sjellë efekte zinxhir në të gjithë ekonominë e vendit, teksa importet ju rikthyen rritjes në këtë 6-mujor.

 

 

 

Çmimet në tregje, rritje e pazakontë

Në dukje, ky vit ka qenë i mbarë për bujqësinë. Me reshje të bollshme, temperatura jo shumë të larta dhe pa përmbytje, ekspertët e sektorit kanë pritur një sezon të mbarë bujqësor. Por, në fakt, ka ndodhur krejt e kundërta, teksa konsumatorët e kryeqytetit nuk po e besojnë dot se, pse duhet të blejnë një kilogram domate tre-katër herë më shtrenjtë se vitin e kaluar.

Shitësit e pakicës pohojnë se tregu po furnizohet me domate dhe prodhime të tjera të stinës nga Kosova dhe Maqedonia, pasi nuk ka prodhim vendas. Edhe ai prodhim vendas që është, po shitet me çmime të larta nga prodhuesit për shkak të ofertë së ulët në treg. Sipas INSTAT, brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 18,3%, ndjekur nga nëngrupet “fruta” me 2,7%, gjatë muajit korrik.

Fermeri Maliq Minga thotë se këtë vit po shet domaten me çmime më të larta. Ai tha se po e shet te pikat e shumicës një kilogram domate me 60 lekë, ndërsa një vit më parë, një arkë domate me 25 kilogramë në të shumtën e rasteve u shit me 200 lekë ose 8 lekë kilogrami. Minga thotë se këtë vit po fiton nga domatja, pasi të tjerët nuk mbollën nga humbjet e vitit të kaluar. Por këto fitime do t’i duhen për të mbuluar humbjet e sezonit të dimrit, pasi preshi u shit nën kosto. Fermerët Minga, Janji dhe Gjini janë të një mendje se bujqësia në Shqipëri po zhvillohet spontanisht, pa orientime se, për ndihmë monetare nga shteti nuk bëhet fjalë.

 

Kostot shpesh tejkalojnë çmimet

Fermerët në zonën e Myzeqesë përllogarisin se kostot shpeshherë janë më të larta se çmimet. Stavri Gjini nga Gradishta e Lushnjës thotë se për kultivimin e një dynym serë, kostot vjetore janë 280 mijë lekë, siç shprehet ai, të reja, ndërsa fermeri Maliq Minga nga Vajkani i Fierit thotë se kosto vjetore e kultivimit me fushë është 80 mijë lekë (të reja). Minga tha se “edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Bujqësisë nuk e besuan, por një ditë erdhën në tokat e mia dhe i bënë llogaritë më laps e letër.

Kostot për kultivimin e një dynymi dolën më të larta, 85 mijë lekë”. Shpesh çmimet nuk i justifikojnë kostot, pohoi ai, pasi në kohën kur dalin prodhimet e fushës, tregu është plot dhe çmimet bien, shpeshherë duke mos justifikuar shpenzimet e larta. Ai tha se të gjitha imputet bujqësore kushtojnë dhe nuk kanë cilësi. Një kilogram pleh kushton 300 lekë (të reja), pastaj pagesat për traktorët që punojnë tokën dhe pesticidet më vonë janë shumë të larta. Të gjitha kanë çmim të lartë thotë Maliqi, por, nga ana tjetër, nuk ekziston një ent rregullator që të mbikëqyrë çmimet. Shpesh një kilogram kastravecë dhe domate kushton në pikat e pakicës në Tiranë tre herë më shumë se çmimi i blerjes në fushë, duke bërë që fitimi të shpërndahet më shumë te tregtarët se sa te prodhuesit, – pohojnë fermerët.

Në Verri të Fierit, në zemrën prodhuese të vendit, fitimet për një dynym me domate nuk shkojnë më shumë se 20 mijë lekë në shumë raste. Kostot për një dynym serë domate arritën në rreth 80 mijë lekë, teksa të ardhurat nga shitja nuk ishim më shumë se 100 mijë lekë. Tregu nuk është i garantuar dhe mungojnë kontratat e shitjes.

Pavarësisht kësaj situate, perimet nga serat në Shqipëri mbeten një nga produktet më me leverdi. Mirëpo që investimet të jenë produktive duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht dhe gjithashtu, skemat e subvencionit duhet të funksionojnë. Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë fizibilitet në sera në më pak se 5 hektarë. Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen së paku 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë.

 

Plakja e popullsisë dhe emigracioni, në kurriz të bujqësisë

“Ma keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë.

Këtë vit më është dashur të kërkoj për punonjës sezonalë në fshatra të largëta, pasi gjithnjë e më shumë po vështirësohet gjetja e punonjësve. “Si mund të punojë një i ri 20 vjeç për një rrogë 15-20 mijë lekë në muaj që mund ta paguajmë edhe pa sigurime, kundrejt një pune kaq të lodhshme siç është bujqësia. Por ne fermerët kaq mundësi kemi.

Fitimet tona nuk garantojnë paga më të larta dhe as pagesën e sigurimeve, prandaj kanë të drejtë të ikin. Për tre muaj punë në kulmin e sezonit në Greqi, ata marrin të ardhurat e të gjithë vitit nga një punë që bëjnë në vendin e tyre”, shprehet Gjini. Ai dhe fermerë të tjerë në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët.

Rënia e popullsisë me ritme të shpejta duket se do ta vërë ekonominë shqiptare para një sfide të re. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) ishte vetëm 484 persona, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, ose vetëm 80 persona në muaj. Kjo shifër është shumë më e ulët në raport me shtesën natyrore të vitit të plotë 2017, që ishte 8,637 persona (720 persona në muaj) dhe nëse vazhdohet me këto rime, viti 2018 pritet të mbyllet me ritmet më të ulëta historike të rritjes natyrale të popullsisë, të paktën që nga koha e Zogut.

Në vitin 1990, viti i parë i tranzicionit, shtesa natyrore e popullsisë ishte gati 64 mijë persona, ose rreth 5300 në muaj. 28 vjet më pas, ky tregues ka rënë me 77 herë, duke arritur në vetëm 69 persona në muaj. Madje në tremujorin e parë 2018, shtesa natyrore ishte negative për herë të parë në historinë e 100 viteve (Gjatë tremujorit të parë 2018 lindën 5,669 persona dhe vdiqën 5,954, duke bërë që personat që u ndanë nga jeta të ishin 285 më shumë se numri i foshnjave që erdhën në jetë.

Emigracioni i lartë dhe numri i pakët e lindjeve duket se po e çojnë rënien e popullsisë në pikiatë më shumë se parashikimet. Projeksionet e popullsisë 2011-2031, sipas skenarit të mesëm, prisnin që shtesa natyrore e popullsisë të ishte në nivel negativ në vitin 2023, ndërsa varianti optimist priste që shtesa natyrore të ishte negative në vitin 2028. Por zhvillimet reale tregojnë se në të vërtetë, ecuria e popullsisë në këtë mënyrë nuk është parashikuar as nga varianti më pesimist i ekspertëve të demografisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e saj për popullsinë shqiptare, sipas normës së fertilitetit parashikonte në Variantin pesimist që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist, me emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit, deri në vitin 2100, të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

 

Rendimenti i ulët, fermerët braktisin skemat e sigurimeve

Mjerimi do të përndjekë fermerët shqiptarë edhe pasi të dalin në pension, pasi shumica e tyre nuk paguajnë kontribute dhe në pleqëri do të trajtohen me pension social që aktualisht nuk është më shumë se 8 mijë lekë. Sipas të dhënave nga anketa tremujore e forcave të punës, në fund të vitit të kaluar u numëruan 456 mijë të punësuar në bujqësi, duke zënë 38.2% të totalit në punësimit. Por, nga të dhënat e Institutit të Sigurimeve, vetëm 58 mijë fermerë paguan sigurimet shoqërore më 2017, ose 12.7% atyre që qeveria numëron si të punësuar në bujqësi. Fermerët e pyetur nga “Monitor” në zonën e Myzeqesë pohuan se kanë shmangur pagesat e sigurimeve vitet e fundit, pasi nuk e kanë pasur të mundur.

Fitimet e ulëta dhe kostot e larta i kanë zhytur në borxhe dhe kredi, duke e bërë të pamundur pagesën e sigurimeve. Pamundësia për të paguar sigurime po na pengon të aplikojmë për subvencione, – shprehet Stavri Gjini, pa llogaritur vështirësitë që do të vijnë nga mungesa e një pensioni dinjitoz në periudhën e pleqërisë. Në vitin 2013 numëroheshin mbi 64 mijë kontribuues ruralë në skemën e pensioneve, teksa ky numër u dyfishua më 2014 në 127 mijë, për shkak të një amnistie që u aplikua mbi gjobat për sigurimet e papaguara. Më pas, në vitin 2015, numëroheshin 89 mijë fermerë që paguanin sigurime, ndërsa më 2017 u numëruan 58 mijë fermerë në skemë. Gjithashtu bujqësia ofron pagesat më të ulëta për punën, si pasojë e mungesës së rendimentit në sektor.

Në vitin 2017, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është 48.967 lekë. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet financiare dhe të sigurimit; Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale. Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe bujqësia, silvikultura dhe peshkimi.
Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit mbetet problematik, për shkak të numrit të vogël të të siguruarve në bujqësi dhe nivelit të ulët të pagës minimale.

Kështu, deficiti financiar i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 11,593.2 milionë lekë më 2016, nga 10,716.3 milionë lekë që ishte një vit më parë, ose 8.2% më shumë se një vit të parë. Situata ka përkeqësuar edhe raportin e mbulimit ku të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë.

 

Eksperimentet zhgënjejnë

Disa kultura të panjohura nga shqiptarët të ardhura nga Kina, Afrika kanë hyrë në bujqësinë shqiptare si mënyra për të gjeneruar fitime të shpejta. Por risku mbetet i lartë për faktin se, duke qenë se shqiptarët nuk janë të familjarizuar me këto kultura, rrezikojnë të dështojnë dhe të humbasin investimet.

Ndërkohë duke u marrë me rritjen e tyre, familjet fermere do të shmangin edhe prodhimet tradicionale për vetëkonsum. Shafrani i hedhur në treg së fundi nga politika si një bimë që ka fitim të lartë, duket se pas çmimit joshës në dukje ka shumë sakrifica.

Për një kilogram pluhur që kushton deri në 10 mijë euro duhen 15,000 lule dhe mbi 600 orë punë, pa llogaritur shpenzimet për farën dhe kostot e tjera për rritjen. Pas çmimit joshës të bimës ka kosto marramendëse, por ekspertët e Agroweb pasi kanë bërë kërkime në kultivimin e kësaj kulturë kanë gjetur se kërkesa për këtë produkt përmbushet nga Greqia, Kosova, Spanja etj.

Ndërsa, tek diskutohet për shafranin, një bimë e re po dominon kultivimin në Europë dhe që shitet shumë. Stevia është një lloj i kallamit të sheqerit, një bimë ëmbëltuese, por që po përdoret nga industria e pijeve pasi ka zero sheqer. Kompanitë e mëdha të pijeve të tilla si Coca-Cola kanë nisur të porosisin në masë kultivimin e saj për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për ëmbëltuesin me zero sheqer. Bima është përdorur më herët si sheqer për diabetikët, për tani kërkesat janë shtuar shumë. Një kilogram nga bima kushton 30 deri në 60 dollarë. Stevia ka nisur të kultivohet shumë vitet e fundit në Europë dhe sidomos në Turqi.

Plepi kanadez dhe paulonja kineze kanë joshur shumë fermerë. Dy vitet e fundit dhjetëra hektarë tokë në të gjithë vendin janë mbjellë paulonja. Mirëpo investimi më i vjetër në këtë fushë nuk ka kaluar tre vjetet dhe nuk e kemi ende një precedent se sa fitohet me ketë kulturë. Paulonja, druri i së cilës është mjaft i kërkuar në industrinë e mobilierisë sidomos për avionë dhe anije duket ka krijuar shumë dashamirës në Shqipëri.

Një fidan kushton vetëm tre euro dhe sipas kompanive që e shesin atë, pema mund të kultivohet në të gjitha zonat e vendit dhe jep prodhimin e parë brenda pesë viteve. Për fitime më të larta, ajo mund të pritet edhe pas 10 ose 15 vitesh. Pasi druri të pritet, ai rigjenerohet rreth tre herë në të njëjtin trend. Por më pas kostot janë shumë të larta për heqjen e saj, pasi pema ka rrënjë të thella dhe heqja shkulja është një proces i vështirë dhe plot kosto. Por kompanitë që shesin fidanët e paulonjës aktualisht ofrojnë kontrata blerje me rreth 200 euro për fermerët.

Një pema e ngjashme që ka nisur të mbillet është edhe plepi kanadez. Pema është mbjellë në disa zona të Shqipërisë së Mesme në toka që nuk janë shumë produktive dhe përdoret për prodhimin e drurit industrial. Mirëpo duke qenë se koha nga investimi deri kthimin e fitimeve është shumë gjatë, nuk ka siguri për ecurinë e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ndaj ekspertet e sektorit nuk rekomandojnë kultivimin e tyre. Tani kur kanë kaluar më shumë se 5 vite kur kanë nisur të kultivohet paulonja, fermerët nuk kanë raportuar ende shitje dhe fitime.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of