Nga proceset e prodhimit te projektimi i baterive të riciklueshme: ja sfidat që duhet të përballet sektori i transportit në rrugëtimin e tij drejt qëndrueshmërisë
Dekarbonizimi
Kemi pak kohë për të stabilizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë: Bashkimi Europian duhet të shkojë më shumë se -40% në sektorë jo-ETS*, si transporti. Janë pikërisht mjetet e transportit pengesa më e madhe për Europën në objektivin e saj të ngrohjes globale.
Në këtë kontekst janë disa kompani të angazhuara që të kalojnë totalisht drejt prodhimit të makinave elektrike brenda vitit 2030, ndër to Deutsche Post, Ikea, Pacific Gas And Electric Company, HP, Unilever, Vattenfall.
Sipas parashikimeve për shitjen e makinave elektrike nga sot në 13 vjet, përqindja do të vazhdojë të rritet deri sa të arrijë 100%. “Dekarbonizimi në sektorin e transporteve është kompleks, pasi kërkon investime dhe infrastruktura”, – shpjegon Emanuele Bompan, gjeograf dhe organizator i Forumit të Inovacionit dhe Mobilitetit të Qëndrueshëm (Forum dell’Innovazione della Mobilità Sostenibile) i mbajtur dhjetorin e kaluar.
Modele alternative
Përdorimi alternativ i makinave si car sharing dhe car pooling mund të ndihmojnë në reduktimin e ndikimit që këto mjete kanë për momentin në mjedis: 50% e sipërfaqes në qytete janë rrugë, parkime dhe stacione shërbimi; megjithatë rrugët kanë trafik të dendur vetëm 5% të kohës. Në 92% të jetës së vet një makinë qëndron e parkuar, 5% është në lëvizje, 1,5% kërkon parkim dhe vetëm 1% është në trafik.
Bateri më të lehta dhe të riciklueshme
“Tranzicioni është i vështirë, por të gjithë janë të një mendimi që lëvizja në vitin 2050 do të jetë tërësisht elektrike”, – shton Bompan. Një tjetër vështirësi lidhet me baterinë, sektor në të cilin janë të nevojshme investime më të mëdha se sa ato aktuale. Sot, shumica e baterive për automjetet elektrike janë të rënda dhe të pariciklueshme.
“Për momentin, bateritë janë të realizuara kryesisht me litium. Sot janë ndërmarrë disa projekte eksperimentale për prodhimin e baterive me magnez, por ka një problem sa i përket qëndrueshmërisë”, – shtoi gjeografi. Magnezi, në një plan teorik, do të ishte materiali ideal: 3% e planetit tonë përbëhet nga ky element kimik. Stabiliteti i dobët elektrik i atomit për fat të keq e pengon përdorimin e tij. Ndër të tjera, prodhuesit kryesorë të baterive janë thuajse të gjithë në Azi.
Edhe disa pjesë të Powerwal të Tesla-s prodhohen në Japoni, nga kompania Panasonic. Në fund, inovacioni duhet të përfshijë edhe proceset prodhuese, jo vetëm materialet. ‘Open innovation’ dhe bashkëpunimi mes startup dhe kompanive të mëdha të sektorit automobilistik po i revolucionojnë paradigmat që dallojnë këtë fushë.
Hub* shumëfunksionalë UPS
Gjatë Forumit të Inovacionit të Mobilitetit të Qëndrueshëm, UPS prezantoi një projekt që do të çojë në zbatimin e shërbimit të printimeve 3D në shumë prej hub-eve të saj logjistikë. Në këtë mënyrë, kompania mund të printojë direkt pjesë dhe t’ia dërgojë ato përdoruesit final (veçanërisht në industrinë aeronautike) duke shmangur fazën e tërheqjes nga kompania prodhuese dhe duke siguruar një shërbim me të tretë që do të ketë ndikim pozitiv në mjedis.
E ardhmja, një makinë që do të rikarikohet vetë
Sot jemi në gjendje të kontrollojmë 100 milionë telefona që gjenerojnë një sasi të pabesueshme informacionesh. Por nuk jemi në gjendje të kontrollojmë një flotë me makina elektrike dhe autonome: në të ardhmen, makina do të bëhet një sistem hardware i smart grid.
“Skenari do të jetë ai i parkimeve inteligjente, një makinë që do të shkojë në pikën e rikarikimit, një rrjet elektrik në gjendje të ndërveprojë me këta komponentë të rinj të mobilitetit inteligjent”, vijon Bompan. Përvoja e makinave të së ardhmes do të jetë tërësisht e personalizuar.
“Në vitin 2035, çdokush mund të përdorë një Panda apo një Ferrari në bazë të nevojave që do të ketë atë ditë. Makina do të vijë poshtë shtëpisë, ju mund të merrni drejtimin e saj vetëm nëse dëshironi, ndryshe do të jetë automjeti do t’ju çojë në destinacionin e dëshiruar. Kur bateria e mjetit të shkarkohet, ai do të shkojë të rikarikohet në autonomi dhe më pas do të shkojë poshtë shtëpisë së një përdoruesi tjetër”, – thotë në fund Bompan.
*ETS është një nga mekanizmat më të rëndësishëm mbi të cilat bazohet politika e Bashkimit Europian për të luftuar ndryshimet klimatike dhe një mjet thelbësor për të reduktuar në mënyrë ekonomikisht eficiente emetimet e gazrave serë.
Është aktiv në 31 shtete (28 të Bashkimit Europian, si dhe në Islandë, Lihteshtein dhe Norvegji)
*Hub nënkupton një hapësirë specifike për të gjithë aktivitetet që lidhen me transportin, logjistikën dhe shpërndarjen e materialeve. Përdoret për tranzitet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe transportohen nga operatorët e shërbimeve postare
Burimi: Corriere della Sera